Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Cilat janë sfidat tuaja në rrugën drejt ndryshimit?

October 1, 2020

|

Marina Ançevska
Themeluese e Qendrës për psikologji të biznesit, NLP Sistemike, EJL
Kryetrajnere për NLP
Shkrimtare
Mësuese e jogës



Me çfarë mendimesh çoheni në mëngjes, cilat janë ritualet tuaja të mëngjesit dhe si ndikojnë ato në mënyrën se si silleni dhe reagoni ndaj situatave të përditshme?

Sfida do të ketë gjithmonë, por mënyra se si përballemi me to është pa dyshim një proces individual. Nëse bëni gjithmonë të njëjtën gjë, do të merrni gjithmonë të njëjtat rezultate. Nëse dëshironi ndryshim, duhet të silleni ndryshe, të ndryshoni mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit, për t'u bërë të vetëdijshëm për emocionet tuaja dhe mënyrën se si reagoni. Dhe, gjëja më e rëndësishme është të ndiqni vetveten.

Shumë njerëz, kur vjen momenti të kuptojnë se kanë nevojë për ndryshim, fillojnë menjëherë të japin arsyetime, të tilla si: nuk kam kohë, para ose energji për të bërë ndryshime. Ata e ulin menjëherë vlerën e asaj që dëshirojnë t'u ndodhë, duke ulur standardet e tyre dhe duke e bindur veten se rezultati që do ta arrinin nëse do të bënin ndryshime nuk është edhe aq i vlefshëm.

Frika nga ndryshimi është më e madhe se dëshira për diçka të re. Ndoshta nuk ka të bëjë edhe aq shumë me frikën nga ndryshimi, por me ndërgjegjësimin për hapat që duhen ndërmarrë për të arritur synimet. Atëherë, çfarë mund t'ju ndihmojë për të ndryshuar më lehtë zakonet tuaja kufizuese, të përvetësoni rituale të reja të mëngjesit ose të bëni ndonjë ndryshim që kërkon kohë, para dhe/ose mund?

Nga karriera ime e gjatë si trajnere profesioniste, duke punuar me një numër të madh të kompanive dhe individëve në të gjithë botën, duke i udhëhequr përgjatë një procesi ndryshimi, kam arritur në përfundimin se arsyeja përse shumë njerëz mbeten pre e zakoneve të vjetra e joproduktive, ndërsa disa të tjerë lëvizin me lehtësi përmes ndryshimeve, është sepse ata e matin dhe vlerësojnë kohën ndryshe.

Ekzistojnë 2 lloje njerëzish: disa nuk kanë kohë, ndërsa të tjerët kanë kohë! Në të vërtetë, të gjithë njerëzit në planet kanë 24 orë në dispozicion. Dallimi qëndron në atë se disa e matin kohën sipas mënyrës se si e kanë kaluar, ndërsa të tjerët sipas mënyrës se si e kanë investuar!

Parafytyroni si do të ishte sikur që tani e tutje të investoni me vetëdije kohën, paratë dhe energjinë tuaj dhe të filloni të jetoni me dijeninë se gjithçka është një investim? Në bazë të rezultatit, ju matni dhe dini të thoni se keni shpenzuar kohë, para dhe energji, pa qenë të vetëdijshëm se gjithçka është një investim. Në fakt, ka të bëjë me vetëdijen se si e planifikoni kohën tuaj, gjegjësisht si, ku dhe në çfarë e investoni atë.

Tani që e keni këtë dijeni, pyeteni veten se në çfarë jeni duke e investuar pa vetëdije kohën tuaj, nëse vazhdimisht po e bindni veten se nuk keni kohë për të ushtruar, për t'u ushqyer në mënyrë të shëndetshme, për shëtitje në natyrë dhe një numër aktivitetesh të tjera që do t'ju sjellin shëndet të mirë dhe do t'ju mbushin me energji?

A e investoni kohën tuaj më shumë sesa duhet në rrjete sociale, duke parë televizor, duke zhvilluar biseda të paqëllimta që “ju shterin energjinë”, duke analizuar gjithçka që po ju ndodh në jetë, punë, në marrëdhëniet me njerëzit, duke kërkuar përsosmërinë në rregullimin e mjedisit në të cilin jetoni, si dhe në një sërë aktivitetesh dhe ritualesh të tjera që ju lodhin dhe “shpenzojnë kohën, paratë dhe energjinë”?

Shkaqet që ju pengojnë për të mos bërë ndryshime janë në kokën tuaj dhe rrjedhin nga bindjet personale. Ju mund t'i ndryshoni lehtësisht ato duke investuar me vetëdije kohën, paratë dhe energjinë në diçka që ju plotëson e jo në diçka që ju rraskapit dhe sjell rezultate të padëshiruara.

E keni ju në dorë të vendosni nëse do të shpenzoni ose investoni!

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.28 të botimit elektronik të revistës BETTY (TETOR 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>