dr. Aleksandar Mitov
|
Ka shumë probleme të ndryshme shëndetësore që shfaqen shpesh tek meshkujt dhe që meritojnë
vëmendje dhe kujdes të veçantë. Ndoshta një nga problemet më të zakonshme, veçanërisht në popullatën më të vjetër mashkullore, janë
problemet e prostatës. Problemet shëndetësore të lidhura me prostatën janë të shumta në numër, por të gjitha kërkojnë trajtime dhe vëmendje të ndryshme. Prandaj, në artikullin e sotëm, do të nxjerrim në pah gjendjet më të zakonshme, simptomat e tyre dhe hapat e nevojshëm për trajtimin e tyre.
Cilat janë problemet më të zakonshme të prostatës që kanë meshkujt?
Para se të fillojmë, le të veçojmë disa fjali që do të shpjegojnë
funksionin e prostatës në organizëm. Prostata është një
gjëndër e vendosur pak më poshtë fshikëzës tek meshkujt. Ajo rrethon pjesën e sipërme të tubit përmes së cilës urina zbrazet nga fshikëza. Funksioni kryesor i prostatës është të
prodhojë lëngun i cili do t'i ushqejë dhe do t'i transportojë spermatozoidet përmes spermës. Prostata është ne madhësi dhe formë të një arre, por mund të rritet me moshën.
Problemet e prostatës janë më të zakonshme tek meshkujt mbi 50 vjeç, ku e njëjta mund të
ënjtet ose të
zmadhohet për shkak të
problemeve të ndryshme:
- zmadhimi i prostatës ose shpesh i përshkruar si zmadhim beninj i prostatës ose hiperplazi beninje e prostatës
- inflamacioni i prostatës dhe
- kanceri i prostatës.
Çfarë është zmadhimi i prostatës?
Kjo gjendje është shumë e zakonshme dhe
lidhet kryesisht me plakjen.
Mbi 33% e
burrave mbi 50 vjeç do të kenë simptoma të zmadhimit të prostatës gjatë jetës së tyre. Shkaku i saktë i kësaj rritjeje nuk dihet, por nuk shkaktohet nga kanceri dhe nuk rrit gjasat dhe rrezikun e shfaqjes së kancerit.
Një prostatë e zmadhuar mund të shkaktojë
presion në traktin urinar, kështu që mund të ndikojë në urinimin normal.
Simptomat më të shpeshta janë:
- Vështirësi në fillimin ose ndalimin e urinimit
- Rrjedhë e dobët e urinës
- Ndjesi e zbrazjes jo të plotë gjatë urinimit
- Nevojë e shpeshtë për të urinuar
- Urinim i shpeshtë gjatë natës
Nëse vëreni ndonjë nga këto simptoma, drejtohuni te mjeku juaj për ndihmë. Kjo gjendje është zakonisht e
lehtë për t'u trajtuar dhe mund të ndihmojnë ndryshime të vogla të shprehive, siç janë:
pirja e më pak lëngjeve - veçanërisht diuretikëve (kafe, çaj, alkool),
marrja e ilaçeve,
pirja e çajrave ose ekstrakteve mbi baza natyrale etj.
Inflamacioni i prostatës
Kjo gjendje mund të shkaktohet nga një
infeksion bakterial, por më shpesh
ndodh pa ndonjë infeksion dhe për arsye të panjohura. Ndryshe nga prostata e zmadhuar ose kanceri i prostatës, të cilat janë gjendje që lidhen më së shpeshti me meshkujt e moshuar,
inflamacioni i prostatës mund të ndodhë edhe në
popullatën më të re. Nga kjo gjendje preken kryesisht meshkujt e moshës
30 deri në 50 vjeç.
Simptomat më të zakonshme janë:
- Dhimbje në legen, organet gjenitale, pjesën e poshtme të shpinës
- Dhimbje gjatë urinimit
- Nevojë e shpeshtë për të urinuar
- Vështirësi në urinim
Në rast të simptomave të tilla, konsultimi dhe ekzaminimi nga mjeku është i domosdoshëm. Kjo gjendje trajtohet me ilaçe dhe zakonisht zgjat për javë ose muaj.
Kanceri i prostatës
Ky lloj kanceri konsiderohet të jetë
një nga llojet më të zakonshme të kancerit tek meshkujt.
Është lloji më i zakonshëm i kancerit në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka
40,000 raste të reja të diagnostikuara çdo vit. Shkaqet e sakta të tij janë të panjohura, por
rreziku rritet me moshën. Kjo gjendje i vë
burrat mbi 50 vjeç në rrezik dhe është
më e zakonshme tek ata
mbi 65 vjeç.
Rreziku i kancerit të prostatës gjithashtu rritet dhe varet nga:
- Grupi etnik
- Gjenetika dhe historia familjare
Simptomat e kësaj gjendjeje mund të jenë të
vështira për t'u spikatur dhe mund të jenë të
ngjashme me ato të prostatës së zmadhuar. Ato mund të jenë:
- Nevoja për urinim më të shpeshtë dhe urinim të shpeshtë gjatë natës
- Nevoja e ngutshme për të urinuar
- Vështirësi në fillimin e urinimit
- Rrjedha e dobët e urinës
- Ndjenja e zbrazëtisë jo të plotë
- Gjaku në urinë ose spermë
Nëse shfaqet ndonjë nga këto simptoma, duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Simptomat zakonisht janë për shkak të zmadhimit të prostatës, por
duhet medoemos të përjashtohet mundësia e kancerit. Ky lloj kanceri konsiderohet se
përparon ngadalë dhe gjasat për trajtimin e tij të suksesshëm janë zakonisht të
mira dhe të larta. Ndonjëherë nuk ka nevojë për ndërhyrje ose trajtim të menjëhershëm, por vetëm kontroll dhe vëzhgim të rregullt.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.4-5 të botimit elektronik të revistës BETTY (NËNTOR 2021).