Dr. Dragana Emel Markoska
Specialiste e pediatrisë
IPSH Stars Medika
|
Ushqyerja me gji është mënyra më e shëndetshme dhe më e mirë e ushqyerjes që mund t'ia mundësoni foshnjës suaj. Nëse nënat janë në gjendje, rekomandohet gjidhënia EKSKLUZIVE, dmth. që foshnjat të ushqehen vetem me gji në gjashtë muajt e parë.
Përfitimet e ushqyerjes me gji janë:
- Nxit lidhjen emocionale midis nënës dhe fëmijës
- Përbërja biokimike plotëson nevojat e të porsalindurit dhe foshnjave, gjegjësisht me rritjen dhe zhvillimin e fëmijës, përbërja e qumështit të gjirit ndryshon vetvetiu
- Është lehtësisht i tretshëm
- Mbron nga infeksionet
- Parandalon alergjitë
KRIJIMI I QUMËSHTIT zhvillohet në tre faza
- MAMOGJENEZA - kjo është faza që fillon në shtatzëni, ku, nën ndikimin e hormoneve të sekretuara, fillon rritja dhe zhvillimi i gjëndrave të qumështit. Mendohet se prodhimi i kolostrumit mund të fillojë që në javën e 16-të të shtatzënisë.
- LAKTOGJENEZA - kjo është faza e dytë ose faza kur fillon sinteza dhe sekretimi i qumështit të gjirit. Fillon rreth 12 javë para afatit të lindjes dhe zgjat në javët e para të puerperiumit.
- GALAKTOGJENEZA - Kjo është faza e tretë e cila në fakt është një proces i mirëmbajtjes afatgjate të sintezës, sekretimit dhe çlirimit të qumështit të gjirit.
HORMONET PËRGJEGJËSE PËR SEKRETIMIN E QUMËSHTIT TË GJIRIT
Hormonet kryesore përgjegjëse për prodhimin dhe sekretimin e qumështit të gjirit, si dhe për ruajtjen e laktacionit, janë prolaktina dhe oksitocina. Këto dy hormone marrin pjesë në procesin e çlirimit të qumështit. Prolaktina vepron në gjëndrat e qumështit dhe bën që qumështi të formohet ndërsa oksitocina është përgjegjëse për lëshimin e qumështit. Përveç hormoneve, ka edhe faktorë të tjerë që mendohet se ndikojnë në sasinë e qumështit që sekreton nëna.
NXISIN REFLEKSIN |
ZMBRAPSIN REFLEKSIN |
Thithja e foshnjës
Acarimi i thithave
E qara e fëmijës
Të shikuarit e fëmijës
Nxehtësia
Stabiliteti mendor |
Frika
Lodhja
Shqetësimet
Rraskapitja
I ftohti
Dhimbja
Pirja e duhanit
Alkooli |
Sekretimi i qumështit në ditët e para nuk i kalon 50 ml kolostrum. Nga dita 4-14 rritet në 50-100 ml në ditë, ndërsa pas javës së dytë të gjidhënies, gjinjtë janë në gjendje të prodhojnë 800-1000 ml qumësht në ditë.
Përkundër kësaj, nënat nuk duhet të përqendrohen fare në atë se sa mililitra qumësht u kanë prodhuar gjinjtë. Ato duhet të shikojnë fëmijën nëse është i kënaqur, i ngopur me gjumë, nëse urinon dhe del jashtë siç duhet, ngjyrën e jashtëqitjes etj. Gjinjtë zakonisht prodhojnë qumësht të mjaftueshëm sipas nevojave ditore të foshnjave të tyre.
A është qumësht i mjaftueshëm që foshnjat të shtojnë në peshë? Nënat nuk duhet të blejnë peshore për t'i matur vazhdimisht foshnjat e tyre, matja e peshës duhet të bëhet në zyrat e pediatrit ose qendrat e këshillimit për fëmijë të shëndetshëm. Pediatri është ai që përcakton nëse dhe sa ushqim shtesë i nevojitet foshnjës, përkatësisht formulë qumështi.
NDRYSHIMET NË PËRBËRJEN E QUMËSHTIT TË GJIRIT
Nga dita e parë e lindjes së fëmijës deri në fund të muajit të parë të ushqyerjes me gji, sasia dhe përbërja e qumështit të gjirit ndryshon. Nga dita 1-3 formohet kolostrum, pastaj nga dita 4-14 është qumësht kalimtar që dalëngadalë shndërrohet në qumësht të pjekur.
KOLOSTRUMI - qumështi që është i pasur me proteina dhe ka më pak karbohidrate dhe yndyrna. Ai gjithashtu përmban vitamina të tretshme në yndyrë, si dhe imunoglobulina. Krahasuar me dy llojet e tjera të qumështit, kolostrumi është i pasur me imunoglobulina, të njohur si faktorë mbrojtës. Nga këtu buron edhe funksioni i tij kryesor, ai mbrojtës. Ndihmon gjithashtu në zbrazjen e zorrëve, përkatësisht marrjen e mekoniumit.
QUMËSHTI KALIMTAR - ky është ai që krijohet pas kolostrumit dhe dalëngadalë shndërrohet në qumësht të pjekur. Përbërja e tij ndryshon nga dita në ditë, duke kaluar në qumësht të pjekur pas dy javësh gjidhënie. Ky qumësht gradualisht zvogëlon sasinë e imunoglobulinave dhe proteinave, si dhe vitaminave të tretshme në yndyrë dhe rrit përqendrimin e yndyrës, laktozës dhe vitaminave të tretshme në ujë, si dhe sasinë e përgjithshme të energjisë.
QUMËSHTI I PJEKUR - krijohet në fund të muajit të parë të ushqyerjes me gji. Vlera e tij energjetike është 68 kcal./100 ml. Qumështi i gjirit nuk është i barabartë në fillim dhe në fund të ushqyerjes me gji. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që fëmija të zbrazë mirë gjirin gjatë thithjes.
Për të qenë i suksesshëm procesi i ushqyerjes me gji, është e nevojshme që nëna të përgatitet që gjatë shtatzënisë, gjatë qëndrimit në maternitet dhe më pas të vazhdojë me pediatrin.
KËSHILLA THEMELORE PËR FILLIM TË DREJTË TË GJIDHËNIES DHE LAKTACIONIT
- Që në maternitet, vendoseni fëmijën tuaj në gji më shpesh. Thithja fillon të çlirojë oksitocinën.
- Sa më shumë të zbrazet gjiri, aq më shumë sinjal dërgohet për të prodhuar qumësht të ri.
- Sigurohuni që foshnja të vendoset siç duhet në gji, gjë që është e rëndësishme për zbrazjen e mirë të gjirit dhe parandalimin e dëmtimit të thithave.
Pse është e rëndësishme që foshnja të vendoset siç duhet në gji?
Parandalon dëmtimin e thithave, shfaqjen e çarjeve të thithave, dhimbjen gjatë ushqyerjes me gjir, lejon kullimin e plotë të qumështit nga gjiri.
Rekomandohet të mos përdorni thitha silikoni gjatë ushqyerjes me gji, përveç në rrethana kur është e domosdoshme, si në rast të lindjes së parakohshme, thithave të sheshta, të dhimbshme ose të ndara, ankiloglosisë dhe disa deformimeve të nofullës. Nëse e keni patjetër të përdorni thitha silikoni, duhet të këshilloheni me pediatrin ose konsulentin e laktacionit apo infermieren.
USHQYERJA E NËNËS GJATË GJIDHËNIES
Nënat gjidhënëse duhet të ushqehen me një dietë të shëndetshme, të larmishme dhe të ekuilibruar. Nevojat për energji gjatë periudhës së laktacionit rriten me rreth 500-650 kalori në ditë, ndaj është veçanërisht e rëndësishme që të rritet marrja e energjisë së nënave gjidhënëse me rreth 500 kalori në ditë. Por ky rregull vlen vetëm nëse nëna gjidhënëse nuk ka shtuar shumë peshë gjatë shtatzënisë. Nëse jeni mbipeshë nuk keni nevojë të merrni kalori shtesë, pasi kjo mund të ndikojë në sasinë e qumështit që prodhoni. Nëse dieta gjatë shtatzënisë dhe laktacionit nuk është adekuate, nëna do të harxhojë rezervat e saj me lëndë ushqyese dhe kështu ato do të ulen në trupin e saj.
Nënat gjidhënëse duhet të konsumojnë 2-3 litra lëngje çdo ditë, ndërsa nevoja për lëngje mund të jetë më e lartë në periudhën e verës. Marrja e sasive të duhura të lëngjeve (ujë, çajra bimorë, lëngje natyralë frutash) është e rëndësishme për krijimin dhe mbajtjen e laktacionit. Nënat gjidhënëse këshillohen të konsumojnë çajra për nënat gjidhënëse, të cilat janë një kombinim i bimëve që nxisin laktacionin, lehtësojnë ngërçet dhe lirojnë gazrat nga zorrët.
Përdorimi i barnave duhet të bëhet në konsultim me pediatrin ose konsulentin e laktacionit.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.4-5 të botimit elektronik të revistës BETTY (GUSHT 2021).