Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Enureza – urinimi i pavullnetshëm

March 1, 2021

Dr.Jasna Jermilova
Pediatre
IPSH Medika MIM

|



Enureza apo urinimi i pavullnetshëm përkufizohet si mungesa e kontrollit të urinimit te një fëmijë mjaftueshëm i madh për të kontrolluar zbrazjen e fshikëzës. Varësisht se në cilën pjesë të ditës ndodh, dallohet enureza e natës dhe enureza e ditës. Kontrolli i zbrazjes së fshikëzës te një fëmijë zakonisht zhvillohet në moshën dy vjeç e gjysmë, por mund edhe të vonohet, ndonëse jo anormal.

Shkaku më i zakonshëm i enurezës ditore është i një natyre psikologjike. Faktorët e zakonshëm të aktivizimit janë për shembull lindja e një vëllai ose motre, fillimi i shkuarjes në çerdhe, keqkuptimet në familje, divorci i prindërve ose ndonjë traumë. Përveç natyrës psikologjike, enureza gjithashtu ndodh si pasojë e një shkaku organik, siç është mosfunksionimi neurologjik i fshikëzës, zbrazja e parregullt ose e rënduar e zorrëve (kapsllëku), anomalia kurrizore ose ndonjë anomali kongjenitale e traktit urinar, si dhe prania e infeksionit.

Enureza e natës, e njohur si “urinim në shtrat” është zbrazja e pakontrolluar e fshikëzës në gjumë, veprim për të cilin fëmija nuk është i vetëdijshëm. Është shumë më e zakonshme tek djemtë dhe mund të kombinohet me enurezën e ditës. Ajo karakterizohet si primare, që do të thotë se fëmija nuk ka zhvilluar kurrë kontrollin mbi zbrazjen e fshikëzës.

Enureza sekondare ndodh tek fëmijët të cilët nuk kanë urinuar paraprakisht në shtrat për të paktën 6 muaj, kurse më pas, për ndonjë arsye, vjen deri te rikthimi i urinimit të natës.

Ka shumë arsye, më shpesh me karakter psikologjik, por gjithmonë duhet të mendohet edhe për natyrën organike të enurezës. Fëmija bëhet i vetëdijshëm kur duhet të zbrazë fshikëzën në moshën dy deri në tre vjet dhe kontrolli i mirë ditor zhvillohet deri në vitin e katërt (te vajzat edhe më herët). Por te disa djem, urinimi i natës mund të ndodhë aksidentalisht edhe pas vitit të katërt.



Ka disa arsye për shfaqjen e enurezës së natës, njëra prej të cilave është kur trupi nuk dërgon sinjale reale. Me fjalë të tjera, trupi sekreton vetvetiu substancën vazopresinë, e cila ndikon mbi veshkat dhe “u tregon” që të zvogëlojnë sekretimin e urinës gjatë natës. Nëse nuk ka sekretim të mjaftueshëm të vazopresinës, mesazhi nuk arrin te veshkat, fshikëza tejmbushet gjatë natës dhe zbrazet në mënyrë të pakontrolluar ndërsa fëmija fle.

Një arsye tjetër është zvogëlimi i kapacitetit funksional të fshikëzës gjatë natës. Të gjithë njerëzit kanë pragun e vet të ngacmueshmërisë që nevojitet për t'u zgjuar nga gjumi.  Fëmijët me gjumë të rëndë reagojnë më pak ndaj sinjalit të fshikëzës së mbushur, që do të thotë se nuk zgjohen për ta zbrazur atë. Kjo gjendje shpesh kombinohet me mosfunksionimin e vazopresinës. Jo rrallëherë shkaktari për shfaqjen e enurezës së natës është i trashëguar.

Një nga këshillat që ne rekomandojmë është të përpiqeni të ndryshoni zakonet e fëmijës për pirje të lëngjeve në fund të ditës. Fëmija duhet të pijë lëngje të mjaftueshme gjatë ditës, duke shmangur dhënien e lëngjeve para se të shkojë në shtrat. Shmangni pijet e gazuara. Regjimi i dietës duhet të ndryshohet nëse fëmija shpesh ka jashtëqitje të fortë. Jepini ushqime të pasura me fibra, fruta dhe perime të freskëta, bukë integrale dhe të ngjashme. Me ndihmën e një sistemi shpërblimi, përpiquni të nxiteni fëmijën që të kontrollojë më mirë urinimin. Gjithmonë kujdesuni që fëmija të urinojë para se të shkojë në shtrat ose zgjojeni natën në të njëjtën kohë.

Edhe pse ekziston mendimi se ky problem kalon me zhvillimin e fëmijës, asnjëherë nuk duhet të shpërfillet plotësisht dhe nëse nuk trajtohet në mënyrë adekuate mund të ndikojë negativisht në zhvillimin dhe vetëvlerësimin e fëmijës. Ka mënyra efektive, të shpejta dhe të besueshme të trajtimit. Për shembull, përdorimi i vitaminave të grupit B, si shurupi B kompleks është treguar të jetë një mjet i mirë në trajtimin e këtij problemi, veçanërisht kur është fjala për shkaktarin psikogjenik. Megjithatë, nëse fëmija juaj ka problem me urinimin e pavullnetshëm, gjithmonë konsultohuni me një pediatër.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.6-7 të botimit elektronik të revistës BETTY (MARS 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>