Mr. Dr. Simonida Kotlarova Poposka
Specialiste e gjinekologjisë dhe obstetrikës
IPSH ReMedika, Shkup
|
Kapsllëku gjatë shtatzënisë është një problem i zakonshëm me të cilin përballen pothuajse gjysma e të gjitha grave shtatzëna. Kapsllëku ndodh kur ka lëvizje të rënda dhe të rralla të zorrës së trashë dhe kalim të jashtëqitjes së ngurtë. Pacienti ankohet për dhimbje të barkut, siklet dhe fryrje.
Cilët janë shkaktarët e kapsllëkut gjatë shtatzënisë?
Në përgjithësi, shqetësimi, ankthi, mungesa e lëvizjes dhe dieta me pak fibra janë shkaktarët më të shpeshtë të kapsllëkut. Kapsllëku gjatë shtatzënisë vjen për shkak të rritjes së hormoneve të progesteronit që relaksojnë të gjithë muskujt në trupin e njeriut, duke përfshirë edhe muskujt e zorrëve, gjë që sjell deri te lëvizja më e ngadaltë e ushqimit dhe mbeturinave të tij përmes traktit gastrointestinal. Kjo çon deri te përthithja e një sasie më të madhe të ujit nga jashtëqitja dhe kështu ajo bëhet më e thatë dhe e ngurtë.
Në këtë mekanizëm mbështeten edhe barnat që mund të përdoren në shtatzëni për të trajtuar çrregullimin në fjalë. Këto barna quhen laksativë dhe ka lloje të ndryshme të tyre, varësisht nga mekanizmit të veprimit:
- Laksativët osmotikë veprojnë duke tërhequr ujë në zorrë. Shembuj të osmotikëve janë kripërat (të tilla si hidroksid magnezi dhe bisfosfonat natriumi) dhe sheqernat (të tilla si laktuloza dhe glikol polietileni). Këto preparate zvogëlojnë vlerën pH të përmbajtjes fekale në zorrën e trashë dhe shkaktojnë diarre osmotike duke tërhequr ujin në zorrë. Barnat osmotike nuk përthithen mirë nga zorrët, prandaj shumë pak hyjnë në qarkullimin e gjakut. Kjo do të thotë se ekspozimi ndaj tyre gjatë shtatzënisë është i vogël.
- Në mesin e fibrave ose celulozës përfshihen lëvorja nga fara e dellit, psiliumi dhe metilceluloza. Fibrat lidhin 60 deri në 100 herë më shumë ujë sesa masa e tyre dhe kështu fryhen në pjesën e poshtme të traktit digjestiv. Ato stimulojnë peristaltikën në mënyrë natyrore fiziologjike. Meqenëse këta përbërës në përgjithësi nuk hyjnë në qarkullimin e gjakut, nuk janë as të dëmshëm për gruan shtatzënë.
- Ndër zbutësit e jashtëqitjes përfshihen dokusat natriumi dhe glicerina.
- Stimuluesit më të përdorur janë sena, bizakodili dhe vaji i ricinit (i bërë nga fara e ricinit), si lubrifikantë. Këto produkte hyjnë në qarkullimin e gjakut në sasi të vogla, kështu që mund të ketë një ekspozim të lehtë për shtatzëninë. Stimuluesit dhe këta lubrifikantë mund të shkaktojnë ngërçe në stomak, të cilat mund të jenë serioze gjatë shtatzënisë.
Ja disa gjëra që mund të bëhen për të parandaluar kapsllëkun ose për të trajtuar veten nëse e keni përjetuar tashmë:
- Ushqehuni me një dietë të pasur me fibra: është mirë që të konsumoni 25 deri në 30 gram në ditë fibra nga frutat, perimet, drithërat për mëngjes, buka integrale, kumbullat dhe krundet. Kjo ndihmon për të krijuar jashtëqitje më voluminoze.
- Pini shumë lëngje: pirja e mjaftueshme e lëngjeve është e rëndësishme, sidomos kur rritja e konsumimit të fibrave ndihmon për jashtëqitje më të buta. Pini 10 deri në 12 gota lëngje çdo ditë. Është kombinimi i një diete të pasur me fibra së bashku me sasi të mjaftueshme të lëngjeve që më së miri ju ndihmon të nxirrni jashtë mbeturinat. Djersa, klima e nxehtë dhe e lagësht dhe ushtrimet trupore mund t'jua rrisin nevojën për sasi shtesë të lëngjeve.
- Bëni ushtrimet pjesë të rutinës, sepse nëse nuk jeni aktive, ka më shumë të ngjarë që të vuani nga kapsllëku. Ecja, noti dhe ushtrime të tjera të moderuara do të ndihmojnë punën e zorrëve duke i stimuluar ato. Planifikoni ushtrimet tri herë në javë, nga 20-30 minuta.
- Zvogëloni ose mënjanoni shtojcat e hekurit: shtojcat e hekurit mund të kontribuojnë në bërjen kaps. Ushqimi i mirë shpeshherë mjafton për të plotësuar nevojat tuaja për hekur gjatë shtatzënisë. Marrja e dozave më të vogla të hekurit gjatë ditës, në vend se marrja përnjëherë, mund të zvogëlojë kapsllëkun.
A është kapsllëku gjatë shtatzënisë ndonjëherë serioz?
Zakonisht jo, por ka raste kur kapsllëku gjatë shtatzënisë mund të jetë simptomë e një problemi tjetër. Nëse keni kapsllëk të rëndë të shoqëruar me dhimbje barku ose nëse kapsllëku ndryshon me diarre ose përzihet me mukozë ose gjak, telefononi menjëherë mjekun tuaj.
Gjithashtu, shtërzimi gjatë lëvizjes së zorrës së trashë ose kalimi i një jashtëqitjeje të fortë mund të çojë në shfaqjen e hemorroideve ose të përkeqësojë ato ekzistueset, të cilat janë vena të fryra në zonën e rektumit. Hemorroidet mund të jenë jashtëzakonisht të pakëndshme, edhe pse rrallë shkaktojnë probleme serioze. Në shumicën e rasteve, ato zhduken menjëherë pas lindjes së fëmijës suaj. Megjithatë, nëse dhimbja është e fortë ose keni gjakderdhje nga rektumi, telefononi mjekun tuaj.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.16 të botimit elektronik të revistës BETTY (JANAR 2020).