Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Noti, sport shëndetësor

October 1, 2021

Mile Avramovski
Kryetrajner
Klubi i notit Karposh - Shkup

|

okt 2021

Të nderuar, si autor i këtij teksti, me 15 vjet sport aktiv dhe 25 vjet arsim dhe praktikë, mund të kthej kontekstin e tekstit në tre drejtime. Drejtimi i parë është promovues, drejtimi i dytë është shkencor dhe drejtimi i tretë është i qartë, konkret, të cilin do ta lexoni me fëmijët, nipërit e mbesat tuaja. Unë do të zgjedh drejtimin e tretë.

Pse e quaj notin një "sport shëndetësor"? Sepse ky sport ju përtërin, ju mban të freskët, me humor të mirë, elastik dhe i sjell dobi trupit tuaj. Përfitimet e notit janë afatgjata, domethënë i ndjeni kur merreni në mënyrë aktive me të si dhe shumë vite pasi ta lini.

Në pika sa më të shkurtra, në dy faqe, do të trajtoj 3 aspekte:

  1. 5 arsye pse fëmijëve u pëlqen të notojnë

  2. 5 arsye pse noti është i shëndetshëm

  3. 5 gjërat që duhet t'i keni parasysh kur regjistroni fëmijën tuaj në not


Se sa i qëlluar është teksti, do të them se ai mbështetet në 25 vjet punë, gjatë së cilës kohë kishte 5 klube ose një e pesta e qytetarëve të trajnuar të qytetit të Shkupit. Dhe sigurisht kjo vlen për 90 përqindëshin, jo për 100 përqindëshin.

5 arsye pse fëmijëve u pëlqen të notojnë:

  1. Fëmijët fillojnë të notojnë që në vegjëli, më herët se në çdo sport tjetër


Dallimi nga sportet e tjera, përveç moshës kur fillojnë me këtë sport, është edhe aspekti psikologjik dhe pedagogjik kur fillojnë me gara. Garat e notit fillojnë shumë më vonë pasi të fillojnë notin. Në fillim kalojnë kohë duke u përshtatur, pastaj duke u argëtuar dhe stërvitur dhe vetëm pas këtyre, disa vazhdojnë të garojnë, ndërsa të tjerët vazhdojnë të notojnë për shkak të përfitimeve të notit nga pikëpamja shëndetësore ose thjesht për miqësi.

Ndryshe nga sportet e tjera, ata nuk gjykohen nga fëmijët e tjerë, prindërit dhe të afërmit menjëherë nëse nuk mund ta kapin topin, nuk mund të japin kosh, nuk mund të mbrojnë etj. Një gjë është të merresh me një sport për qejf dhe një gjë krejt tjetër të kesh trysni për të pasur sukses dhe fëmijët e ndiejnë këtë.

  1. Lëndimet në not pothuajse nuk ekzistojnë, nëse janë nën mbikëqyrje


Fëmijët përballen me frikën e lëndimeve pas moshës 3 vjeç. Kjo është arsyeja pse fëmijët e përdorin çdo rast ku iu jepet mundësia të mos mendojnë për atë frikë nga lëndimi dhe të jenë të shkujdesur, sepse e duan lirinë e tyre, duan të jenë ata që janë, pra thjesht fëmijë.

Noti nuk është sport kontakti, nuk mund të të lëndojë dikush ndërsa noton. Kur hidhesh në ujë, askush tjetër nuk mund të hidhet mbi ty, ndërsa kur noton, askush tjetër nuk mund të notojë mbi ty dhe askush nuk mund të zhytet mbi ty. Me pak fjalë, fëmija ndihet i lirë dhe bën lëvizje me të gjithë trupin, krahët dhe këmbët, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për zhvillimin dhe e cila nuk mund të arrihet në asnjë sport të thatë. Ndonëse fëmija nuk zgjatet dhe as nuk kërcen si portier pas topit në asfalt, me çka zgjatet i gjithë trupi, fëmija e bën një gjë të tillë shumë herë në stërvitjet në ujë. Prandaj, në ujë trupi zgjatet edhe më shumë sesa me gjimnastikë, ndërsa elasticiteti i trupit arrihet që nga stërvitja e parë.

  1. Noti nuk kërkon forcë


Në ujë trupi ndien 30 përqind të peshës së vet. E gjithë shkenca e notit përbëhet nga lundrimi, përkatësisht pluskimi në ujë dhe ecja përpara me sa më pak forcë të jetë e mundur. Më i miri është ai që rrëshqet më së miri në ujë.

  1. Trupi nuk djersitet kur noton


Në dukje nuk është diçka e veçantë, por kush dëshiron të djersitet! Në not, çdo stërvitje e nënshtron fëmijën në aklimatizim të shpejtë. Nga e thata futet në ujë, kurse pas notit, për një kohë të shkurtër del i thatë. Trupi duhet të reagojë shpejt në mënyrë që të mos ftohet. Noti ndihmon në formimin e indeve më të trasha të lëkurës, gjë që lejon aklimatizim më të mirë dhe më pak djersitje.

  1. Elektrolitet


Ndjenja e freskisë që secili prej nesh e ndien kur hyn në dush.

5 arsye pse noti është i shëndetshëm

  1. Zhvillimi i sistemit skeletor dhe nyjave


Në pozicionin horizontal nuk ka presion të peshës dhe gravitetit, rruazat janë të lira, të zgjatura dhe rriten siç duhet, duke zënë aq hapësirë sa u nevojitet për zhvillim. E njëjta gjë vlen edhe për këmbët, që domethënë se, në not, nuk ka notar me këmbë në formën e shkronjës O, siç është rasti në futboll. Ajo shfaqet nga presioni i ushtruar në këmbë në një moment kritik kur trupi po rritet dhe zhvillohet.

Zhvillimi i nyjave. Në asnjë sport tjetër nuk ka një rrotullim të vazhdueshëm të krahëve me 360 gradë. Në asnjë sport tjetër përveç notit rrotullimi i nyjave nuk është pa peshë shtesë. Prandaj, zhvillimi i nyjave është i moderuar.

  1. Zhvillimi i mushkërive


Në sipërfaqen e ujit, kur thithet ajri në kraharor, presioni është i njëjtë si në një lartësi mbidetare prej 1000 metrash. Merreni me mend të stërviteni në atë lartësi mbidetare!

Kraharori zgjerohet nga presioni i ajrit kur thithet dhe më pas, kur në gjoks ajri të kthehet nga oksigjen në dioksid karboni, i cili shtyp për të dalë jashtë. Prandaj është e këshillueshme që t'i lini fëmijët të zhyten. Sa më thellë të zhyten, sa më shumë ajër të thithin, aq më shumë u zgjerohet kraharori; sa më shumë të shtypë dioksidi i karbonit për të dalë, aq më shumë rritet kapaciteti i tyre. Ky efekt nuk mund të arrihet me asnjë sport tjetër të thatë. Kjo është arsyeja pse shihni në video se si atletët më të mirë bëjnë stërvitje individuale me maskë, ngase dëshirojnë të arrijnë të njëjtin efekt.

Noti rekomandohet shumë për astmatikët, duke qenë se, gjatë notit, frymëmarrja e cekët, e cila shkakton gulçim, zëvendësohet me frymëmarrje të thellë, ku në çdo thithje përdoren i gjithë kraharori dhe diafragma.

  1. Zhvillimi i zemrës dhe enëve të gjakut


Në not, nuk ka notar me çrregullim të sistemit vaskular ose enëve të gjakut, duke qenë se të njëjtat janë më elastike te pjesëmarrësit në këtë sport. Zemra punon horizontalisht, ndërsa i gjithë qarkullimi i gjakut, në vend se të jetë vertikalisht nën presion, në ujë lëviz horizontalisht. Në ujë merret frymë përmes hundës dhe frymëmarrja është e qetë, gjë që e qetëson zemrën, ndërsa trupi ndihet me 30 përqind të peshës së vet, kështu që mundimi i zemrës që shkaktohet nga notimi, është më i vogël dhe më i balancuar.

  1. Zhvillimi i sistemit muskulor


Nuk është e mundur të kishit parë notar me trup dhe stomak të lëshuar. Nuk është e mundur të kishit parë notar me gjymtyrë të shëndosha. Nuk është e mundur të kishit parë notar të kërrusur. Nuk është e mundur të kishit parë notar me njërën anë të trupit më të zhvilluar se tjetra.

Kjo ndodh sepse uji siguron rezistencë të barabartë për të gjithë trupin në çdo moment të notit. Sa më shumë që notoni, aq më shumë zhvillohen të gjithë muskujt.

  1. Pesha


Pesha është shumë më e lehtë për t'u rregulluar me not sesa me cilindo sport tjetër. Kjo ndodh sepse, edhe nëse qëndroni në ujë, temperatura e ujit është zakonisht nën temperaturën e brendshme të njeriut, kështu që trupi përdor energji për të prodhuar nxehtësi dhe për të ruajtur nxehtësinë e brendshme normale të njeriut.

Fëmijët me peshë më të ulët trupore, pas stërvitjes duan të hanë menjëherë, duke bërë kështu superkompensim. Nga ana tjetër, fëmijët me peshë më të lartë trupore dhe pa shumë aktivitet fizik, shpenzojnë energji të cilën mund ta kompensojnë vetëm 1 orë pas notit, kohë e cila i nevojitet trupit për të shpenzuar tepricën e futur më herët, ndërsa pas një ore stërvitje, ata mund të hanë dhe ta kompensojnë ndjenjën e urisë pa pasoja.

5 gjërat që duhet t'i keni parasysh kur regjistroni fëmijën tuaj në not

(Maqedonia nuk e ka të rregulluar statusin e profesionistëve që lejohen të punojnë si trajnerë, ndaj rekomandojmë):

  1. Çmimi. Të gjithë bëjnë gabim kur kërkojnë një klub noti, duke u mbështetur te çmimi për të vendosur se në cilin klub ta regjistrojnë fëmijën. Me një tarifë anëtarësimi 100 denarë më të lirë, llogarisni menjëherë të paktën 2 fëmijë më tepër; me 200 denarë, 4 fëmijë etj. Ju si prindër, e dini se si është t'ia dalësh në krye me 1-2 fëmijë, ndaj merreni me mend se jeni në plazh dhe jeni përgjegjës për 10 fëmijë. Do ta kuptoni se e njëjta gjë i ndodh edhe trajnerit në pishinë. Gjithmonë vlen rregulli: sa më pak fëmijë, aq më shumë vëmendje ndaj fëmijës suaj.

  2. Pagesa në dorë. Sa herë që dikush ju ofron pagesë në dorë, duhet ta dini menjëherë se më shumë i bëhet vonë për biznesin dhe pasurimin e shpejtë sesa për fëmijën tuaj.

  3. Zbritje në Grouper, fletushka etj. Të gjithë keni qenë dëshmitarë të prezantimeve të ndryshme dhe e dini qëllimin e prezantimeve të tilla. Në sport, ngjarjet sportive organizohen çdo vit falas. Nga ato ngjarje, asnjë fëmijë i vetëm nuk është regjistruar për të vazhduar të merret me sportin që e ka provuar. Më mirë të paguani një muaj më shumë, ku për ato para do të përpiqen ta mbajnë fëmijën në atë sport dhe më vonë, nëse ka kënaqësi të ndërsjellë, domethënë, nëse fëmijës i pëlqen sporti dhe pranohet mirë nga vendi, të vendosni nëse do të vazhdoni.

  4. Një klub me një traditë të gjatë ose përvojë shumëvjeçare. Ju e dini që, si në çdo sferë të jetës, edhe në port, çdo ditë shfaqen sipërmarrje të reja, të cilat pas një periudhe të caktuar zhduken. Zgjidhni sigurinë dhe komoditetin, për ju dhe fëmijën tuaj. Zgjidhni vetëm vendet me nam të mirë.

  5. Trajnerët, pronarët e klubeve dhe puna. Bëni pyetje dhe informohuni! Ekspertët nga Fakulteti i Kulturës Fizike janë njerëzit e duhur që mund t'ju tregojnë për këtë. Dhe sigurisht, nëse sporti me të cilin dëshiron të merret fëmija juaj është puna e dytë, e tretë etj. për ta, vëmendjen do ta kenë shumë më pak të përqendruar, sesa nëse është e vetmja punë që bëjnë. Kërkoni certifikata, diploma... Është gjithmonë më mirë për fëmijën tuaj nëse trajneri ka përvojë si atlet në atë sport, me një diplomë universitare, përvojë të madhe si trajner dhe certifikata ndërkombëtare.


P.S. Noti ndihmon shumë më tepër në jetën e përditshme (zhvillimi i sistemit nervor, zvogëlimi i lëvizjeve të pakontrolluara, personave me aftësi të kufizuara etj.) dhe për këtë arsye kërkon shumë hapësirë për t'i shkruar të gjitha përfitimet e tij. Ndoshta në një rast tjetër me pyetjet tuaja.

Filloni të notoni. Do të jetë gjëja më e mirë që keni bërë ndonjëherë!

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.24-26 të botimit elektronik të revistës BETTY (TETOR 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>