Spec. dr. Zorica Martinoska Andonova
IPSH CITUS, SHTIP
|
Temperatura e trupit është një pjesë shumë e rëndësishme e sistemit mbrojtës të organizmit të njeriut. Ajo e ndihmon trupin të luftojë infeksionin, duke qenë se vepron në mënyrë të pafavorshme për zhvillimin e shumë viruseve dhe baktereve. Temperatura e trupit rregullohet nga qendra termorregulluese e vendosur në tru dhe detyra kryesore e saj është ta mbajë atë në një lartësi prej 36,1 deri në 37
oC, me ndryshime fiziologjike gjatë ditës.
Ndryshimi fiziologjik i temperaturës së trupit gjatë ditës është rreth 1 gradë, ndërsa gjatë aktivitetit fizik intensiv temperatura mund të rritet me 2 gradë. Temperatura e trupit duhet të matet në prehje dhe zakonisht matet nën sqetull dhe në anus. Është veçanërisht e rëndësishme të dini se temperatura e matur nën sqetulla dhe në anus ka vlera të ndryshme. Temperatura e trupit e matur në anus është gjithmonë 0,5 deri në 1
oC më e lartë. Qendra e rregullimit të temperaturës te të porsalindurit, foshnjat dhe fëmijët e vegjël nuk është e zhvilluar sa duhet, kështu që nëse vishet me shumë shtresa rrobash ose dhomë është shumë e ngrohtë, do të vijë deri te rritja e temperaturës së trupit.
Temperatura e lartë e trupit apo ethet janë reaksion mbrojtës i organizmit ndaj një infeksioni ose çrregullimi tjetër në organizëm. Temperatura nuk është sëmundje në vetvete, por simptomë e një infeksioni ose sëmundjeje. Trajtimi i duhur i kësaj simptome ndihmon për të ndjekur rrjedhën e sëmundjes dhe efektivitetin e trajtimit. Temperatura e lartë e trupit është ajo që i tremb më shumë prindërit, sidomos kur është më e lartë dhe kur bëhet fjalë për fëmijët më të vegjël.
Shkaqet e temperaturës
Shkaku më i zakonshëm i temperaturës te fëmijët janë sëmundjet infektive, të cilat mund të jenë me prejardhje virale ose bakteriale. Në raste të rralla, shkaktar i etheve mund të jenë disa sëmundje sistemike (lupusi, artriti reumatoid dhe të tjera), si dhe sëmundjet malinje.
Çfarë duhet të bëni nëse fëmija juaj ka temperaturë?
Gjendja me temperaturë, pavarësisht nga shkaku, shoqërohet me humbje të shtuar të lëngjeve për shkak të djersitjes intensive dhe frymëmarrjes së shpejtë, të cilat janë mekanizma për uljen e temperaturës. Nëse preket edhe trakti gastrointestinal, pra ka të vjella dhe jashtëqitje të lëngshme, ekziston rrezik real për dehidrim. Për këto arsye duhet pasur kujdes që lëngjet që konsumohen të përmbajnë edhe elektrolite. Duhet të theksohet se foshnjat dhe fëmijët e vegjël dehidratohen më lehtë se fëmijët më të mëdhenj dhe të rriturit, për faktin se përmbajnë një sasi më të madhe të lëngjeve në trup dhe homeostaza e tyre prishet shumë më shpejt. Teorikisht, nevojat për lëngje të një fëmije që peshon 10 kg është 1000 ml në 24 orë, ndërsa të një fëmijë me peshë 20 kg 1500 ml në 24 orë. Gjithmonë duhet të merren parasysh kërkesat e shtuara për lëngje në rast të temperaturës, të vjellave dhe diarresë.
Dushi me ujë të vakët në një temperaturë prej rreth 32 deri në 33
oC (aspak me ujë të ftohtë) ose masazhimi i trupit me një leckë të lagur me ujë të vakët, gjithashtu mund të ulë temperaturën. Nëse fëmija ka të ftohtë (që ndodh kur temperatura e trupit fillon të rritet), mund ta mbuloni me një batanije të lehtë, e cila më duhet t'i hiqet kur të ngrohet. Këshillojmë që fëmija të qëndrojë në një dhomë të pastër dhe të ajrosur, temperatura e dhomës të mbahet nga 20 deri në 22
oC, të jetë i veshur me rroba të lehta pambuku dhe të shmangë sforcimet fizike.
Barnat për uljen e temperaturës - antipiretikët
Për shkak se temperatura është pjesë e mekanizmit mbrojtës imunitar, ulja e saj e ndërpret këtë përgjigje dhe çrregullon mbrojtjen e trupit. Sipas udhëzuesve evropianë, temperatura nuk duhet të ulet derisa të kalojë vlerën prej 38
oC dhe nuk rekomandohet dhënia e barnave për uljen e temperaturës. Grupi i barnave (antipiretikëve) që përdoren për temperaturë janë paracetamoli dhe ibuprofeni në një dozë të përcaktuar nga pesha trupore.
Antipiretikët zakonisht jepen nga goja në formën e shurupeve dhe tabletave, ose në mënyrë rektale si supozitorë. Është mirë që bari të jepet nga goja, por nëse fëmija vjell ose refuzon ta marrë barin nga goja, atëherë mund të përdoren supozitorë. Dozat janë të njëjta, por efekti i barit ndodh pak më shpejt sesa me preparatet orale. Kur përdorni supozitorë, supozitori duhet të aplikohet butësisht në anus dhe duhet pasur kujdes që të përthithet. Supozitorët nuk duhet t'i jepen fëmijës kur ka diarre, pasi atëherë substanca aktive mund të mos përthithet siç duhet dhe mund të përkeqësojë diarrenë.
Aspirina (acidi acetilsalicilik) nuk duhet të përdoret si antipiretik te fëmijët, pasi përdorimi i saj shoqërohet me rrezik për komplikime serioze. Komplikimi më i zakonshëm është shfaqja e sindromës Reye.
Kur të vizitoni mjekun?
Një nga arsyet më të zakonshme për të vizituar mjekun e familjes është temperatura. Prindërit kanë frikë të vazhdueshme se diçka e tmerrshme do të ndodhë nëse fëmija i tyre ka temperaturë. Në të vërtetë nuk ka nevojë për t'u shqetësuar. Temperatura nënkupton mbrojtjen e trupit dhe e kemi të nevojshme për ta mposhtur infeksionin.
Zakonisht, temperatura te fëmijët ka një kohëzgjatje të shkurtër prej 3 deri në 5 ditë. Kur ka shenja të lokalizuara, diagnoza mund të bëhet vetëm me ekzaminim dhe historinë mjekësore të prindit. Kur nuk ka shenja të lokalizuara si skuqje fyti, rezultat auskultativ etj, atëherë diagnoza vendoset sipas analizave laboratorike. Temperatura që zgjat më shumë se katër deri në shtatë ditë kërkon konsultë dhe ekzaminime shtesë, ndërsa temperatura që zgjat më shumë se dy javë është tregues i një sëmundjeje të rëndë dhe kërkon ekzaminim të plotë.
Prindi duhet ta telefonojë menjëherë mjekun nëse tek foshnja më e vogël se 3 muajshe vëren ndonjë nga këto shenja:
- temperaturë mbi 40 gradë,
- foshnja nuk qetësohet nga të qarat (qan me ton të lartë),
- ka ngërçe (konvulsione), shtrëngon qafën ose ka skuqje në lëkurë,
- foshnja është 3 deri në 6 muajshe dhe ka temperaturë për më shumë se 72 orë,
- temperatura ka rënë gjatë 24 orëve dhe më pas është rritur përsëri.
Të dashur prindër, nuk ka nevojë të shqetësoheni nëse fëmija juaj është me temperaturë dhe ka lëkurë normale, pigmentim të buzëve dhe gjuhës, qesh dhe qan normalisht. Nëse megjithatë mendoni se keni nevojë për konsultim shtesë, drejtohuni te një profesionist ose mjek i cili do t'ju japë udhëzime shtesë në lidhje me trajtimin e temperaturës te fëmija juaj.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.4-5 të botimit elektronik të revistës BETTY (JANAR 2022).