Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Probiotikët – masë parandaluese dhe zgjedhje terapeutike për infeksionet verore të zorrëve

June 1, 2020

|

Kiril Pecevski
m-r Farm.



Jemi në prag të verës, një nga stinët më të bukura të vitit, kryesisht falë motit të ngrohtë dhe mundësisë për të kaluar çaste të bukura në ambient të hapur, në natyrë ose në plazh pranë detit ose liqenit. Duke pasur parasysh situatën e tanishme, ndoshta shumë prej nesh do ta lënë këtë të fundit për më vonë dhe do të shtyjnë udhëtimet për ndonjë muaj tjetër ose vitin e ardhshëm. Por kjo nuk do të thotë që nuk do të çlodhemi dhe të argëtohemi me të dashurit tanë, duke e plotësuar kohën me një përzgjedhje të madhe ushqimesh, pijesh freskuese, akullore etj.

Duke qenë se shpesh ndodh ta teprojmë me ngrënie dhe pirje, si dhe për shkak të temperaturave të larta, rreziku i çrregullimeve të metabolizmit tonë dhe infeksioneve tretëse është relativisht i lartë. Por zgjidhja është këtu dhe është e njohur për një pjesë të madhe të popullatës, ndaj mbetet vetëm që të zbatohet siç duhet. Kuptohet, është fjala për probiotikët, bakteret e mira të nevojshme për metabolizmin normal dhe shëndetin e mirë të stomakut, si dhe zgjedhja e parë në trajtimin e diarresë.

Kur çrregullohet metabolizmi i zorrëve, vjen deri te shfrytëzimi minimal i lëndëve ushqyese dhe ujit dhe kjo rezulton në jashtëqitje të shpeshta dhe të lëngshme, që mund të na dehidratojnë dhe të na shterojnë plotësisht. Diarreja është shumë më e zakonshme në muajt e verës kur, për shkak të temperaturave të larta, lëndët ushqyese dhe uji kontaminohen më lehtë me mikroorganizma patogjenë, veçanërisht me baktere. Për të shmangur këtë fenomen dhe për të mbrojtur sistemin tretës, rekomandohet përdorimi parandalues i probiotikëve.

Nuk janë shumë ushqimet që përmbajnë probiotikë, prandaj këshillohet të merrni shtojca dietike me përqendrim të lartë të probiotikëve në përbërjen e tyre. Në to zakonisht gjenden kulturat probiotike të gjinisë Lactobacillus dhe Bifidobacterium (ato janë zakonisht pjesë e mikroflorës së zorrëve dhe kanë veprim tejet të dobishëm në metabolizmin e ushqimit). Probiotikët duhet të mbizotërojnë në mikroflorën e zorrëve, për të siguruar shpërbërjen dhe përthithjen e duhur të materieve ushqyesve dhe ujit përmes sekretimit të enzimave dhe prodhimit të disa vitaminave (nga grupi B.)

Ata nuk lejojnë që mikroorganizmat patogjenë të shumohen së tepri, përkatësisht rregullojnë mjedisin e acidik të zorrëve dhe krijojnë një ambient të pakëndshëm për patogjenët e mundshëm. Ata kompensojnë vendet e receptorëve me patogjenë që pengojnë rritjen e tyre dhe rregullojnë dhe shpërbëjnë toksinat e mikroorganizmave patogjenë. Disa probiotikë kanë aftësi të prodhojnë metabolite që kanë efekte antibakteriale kundrejt organizmave të tjerë, si dhe të sekretojnë proteina baktericide, të quajtura bakteriocina, që mund ta bllokojnë kolonizimin e organizmave patogjenë. Në rast të diarresë, të gjitha këto veprime nga prania dhe aktiviteti i baktereve të mira (probiotikët) ndjehen në orët e para nga marrja e tyre, ndërsa normalizimi i plotë i punës së sistemit të tretjes ndodh brenda 1-3 ditëve. Për rezultate më të mira, përdorni një probiotik për të paktën 10 ditë, ndonëse siç u përmend më herët, është më mirë të veprojmë në mënyrë parandaluese dhe gjatë kësaj periudhe të marrim vazhdimisht probiotikë, që ta bëjmë trupin më të qëndrueshëm ndaj infeksioneve të mundshme.

Vlen të përmendet edhe veprimi i përgjithshëm i baktereve të mira në rregullimin e përgjigjes imunologjike. Ata aktivizojnë makrofagët lokalë dhe stimulojnë prodhimin e imunoglobulinave (IgA) në nivel lokal dhe sistematik, rregullojnë veprimin e citokinave inflamatore dhe zvogëlojnë mbindjeshmërinë e antigjeneve ndaj ushqimit. Në fakt, shumica e antitrupave prodhohen në sistemin tretës, ndërsa përgjegjës për këtë janë probiotikët. Nëse e rrisim konsumimin e tyre në organizëm, ne sigurojmë baraspeshë të tretjes dhe një imunitet të fortë dhe të gatshëm për t'u ballafaquar me shkaqet e infeksioneve të zorrëve. Përveç probiotikëve, në rregullimin e problemeve të diarresë, rekomandohet gjithashtu që probiotikët të kombinohen me prebiotikë (ushqim për bakteret "e mira"), pastaj zink (që zbut intensitetin dhe shkurton kohëzgjatjen e diarresë, si dhe forcon sistemin imunitar), vitaminat e grupit B (më saktë vitamina B6, e cila ndihmon në metabolizmin normal të proteinave dhe glikogjenit), si dhe ekstrakte të kamomilit dhe nenexhikut, që përdoren në mjekësinë tradicionale dhe kanë efekt pozitiv në problemet e stomakut.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.28-29 të botimit elektronik të revistës BETTY (QERSHKOR 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>