Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Përfitimet e sumakut

January 1, 2021

|



Me ndihmën e një diete të shëndetshme, është e mundur të forcohet sistemi imunitar dhe të parandalohet shfaqja e llojeve të caktuara të sëmundjeve. Në planin tuaj të ushqimit, përpiquni të përfshini sa më shumë ushqime të pasura me antioksidantë, vitamina dhe minerale ose bimë të dobishme nga të cilat do të keni shumë përfitime shëndetësore.

Një nga përbërësit e pasur me përfitime për organizmin tonë është sumaku, i cili shpesh përdoret në gatim, veçanërisht në rajonet lindore dhe juglindore. Këshillohet përfshirja e këtij përbërësi të dobishëm dhe ushqyes në dietën tonë të përditshme për të gëzuar shëndet të mirë.

Sumaku është një lloj erëze që fitohet nga bima e quajtur Rus, e cila shpesh quhet ''pema e sumakut''. Frutat e kësaj bime kanë një shije të thartë, ndërsa në dukje përngjan si shkurre. Sumaku merret nëpërmjet tharjes, me ndihmën e teknikave të përshtatshme pasi të mblidhet nga pema. Më shpesh përzihet me kripën dhe përdoret si pluhur, në formë të erëzës. Në kultura të caktuara, sidomos në shtetet lindore, shpesh përdoret në lloje të ndryshme të sallatave, veçanërisht në ato ku nevojitet të zvogëlohet era e qepës.

Për shkak të veprimit të saj anti-inflamator dhe antioksidues, kjo erëz e shëndetshme sjell një numër të madh përfitimesh për organizmin e njeriut.

Cilat janë përfitimet që sjell sumaku?

Sumaku është një bar shumë i çmueshëm me përfitime të pafundme. Një nga arsyet më të rëndësishme për këtë është vetia shumë e fortë antioksiduese që e dallon. Aspekti i dytë pozitiv është se ka përmbajtje të lartë të vitaminave dhe mineraleve. Ja përfitimet nga përdorimi i sumakut për shëndetin e njeriut:

Një antioksidant i rëndësishëm

Sumaku është një antioksidant shumë më i fuqishëm se shumë lloje të erëzave që njihen prej shumë kohësh dhe që janë përdorur gjerësisht për vetitë e tyre antioksiduese. Ai zvogëlon radikalet e lira që qarkullojnë në trup dhe ul nivelin e stresit oksidativ. Falë këtij efekti pozitiv që shkakton, parandalon qelizat të bëhen kancerogjene dhe siguron një efekt mbrojtës kundër të gjitha llojeve të kancereve. Përveç kësaj, në sajë të veprimit të tij antioksidues, zvogëlon ndjeshëm mundësinë e shfaqjes së shumë sëmundjeve kronike, veçanërisht sëmundjeve kardiovaskulare.

Ka veti anti-inflamatore

Për shkak të vetive anti-inflamatore, sumaku rrit fuqinë për të luftuar sëmundjet infektive që mund të vërehen në organizëm, në veçanti gripin dhe ftohjet. Ndihmon në uljen e etheve dhe kapërcimin e sëmundjeve ngjitëse. Meqenëse është i mbushur me vitaminë C, sumaku forcon imunitetin.

Rregullon sheqerin në gjak

Disa studime shkencore tregojnë se përdorimi i rregullt i sumakut ofron mbrojtje kundër shumë sëmundjeve kronike dhe mbështet shërimin. Njëra prej tyre është diabeti. Studimet tregojnë se sumaku ndihmon në rregullimin e niveleve të sheqerit në gjak dhe gjithashtu mbështet zvogëlimin e problemeve të shkaktuara nga diabeti i tipit 2, duke mbështetur rënien e nivelit të kolesterolit në gjak. Shumë ndërlikime të vërejtura te pacientët me diabet të tipit 2 ndodhin si rezultat i nivelit të lartë të sheqerit në gjak për një kohë të gjatë.

Mbron nga infeksionet

Për shkak të efekteve antibakteriale, sumaku është i njohur si ndihmës në zbutjen e infeksioneve të shkaktuara nga mikroorganizmat, si Salmonella Tifimurium dhe Aspergillus Flavus dhe mënjanon ndërlikimet e shkaktuara nga këto infeksione. Për më tepër, marrja e sumakut në formën e çajit, zvogëlon dhimbjen e fytit në sëmundjet infektive të traktit të frymëmarrjes, sidomos në zonën e fytit, ndihmon në parandalimin e simptomave si dhimbja e fytit dhe kolla, të shkaktuara nga sëmundja.

Ka efekt diuretik

Sumaku është një diuretik i fuqishëm. Falë këtij efekti, sumaku ndihmon për të mbrojtur kundër infeksioneve të traktit urinar, duke ulur presionin e lartë të gjakut.

Mbron nga sëmundjet e arteries koronare

Sumaku ndihmon në parandalimin e sëmundjeve të arteries koronare duke ndihmuar në uljen e niveleve të kolesterolit dhe triglicerideve në gjak. Në të njëjtën kohë, është shumë efektiv në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare për shkak të efekteve të tij pozitive në shëndetin e enëve të gjakut dhe rregullimin e qarkullimit të gjakut.

Është i rëndësishëm për shëndetin e grave

Studimet tregojnë se konsumimi i sumakut zvogëlon dhimbjen menstruale tek gratë. Gratë që përjetojnë dhimbje të mëdha menstruale duhet të konsumojnë sumakun si erëz, si çaj ose ta shtojnë në kos. Përveç kësaj, dihet se përdorimi i sumakut në dietën e nënave që ushqejnë me gji ka ndikim dobiprurës në qumështin e nënës.

Si të konsumoni sumakun?

Sumaku është një lloj erëze e cila gjen përdorim të shkëlqyer në sallatë. Përveç kësaj, lëngu i sumakut mund të përdoret edhe në ushqime, ku mund të japë një shije të thartë. Çaji i sumakut është gjithashtu një opsion shumë i dobishëm, sidomos për njerëzit me faringjit kronik, ndezje të fytit ose kollë të thatë. Për të përgatitur çaj sumaku, mund të shtoni një lugë sumak në një gotë me ujë dhe ta vloni atë për 5 minuta. Para se të vendosni për përdorimin e rregullt të kësaj erëze, konsultohuni me mjekun ose farmacistin tuaj për sasinë e saktë.



Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.28-29 të botimit elektronik të revistës BETTY (JANAR 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>