Dr. Biljana Koleva
Specialiste e mjekësisë interne
Qendra Diagnostike-Shkup
|
Sëmundjet kardiovaskulare janë sëmundja më e zakonshme nga sëmundjet kronike jongjitëse. Grupi i sëmundjeve kardiovaskulare përfshin të gjitha sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut. Ky grup sëmundjesh përfshin gjithashtu arteriosklerozën vaskulare (grumbullimi i depozitave yndyrore në anën e brendshme të enëve të gjakut), funksioni i parregullt i zemrës (aritmitë kardiake), sëmundjet valvulare të zemrës (sëmundjet e valvulave të zemrës), pamjaftueshmëria e zemrës (pamundësia e zemrës për të pompuar mjaftueshëm gjak), si dhe goditja në tru dhe në zemër.
Vendi ynë bën pjesë në mesin e vendeve me një rrezik shumë të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare. Të gjithë pacientët që kanë një histori familjare të sëmundjeve kardiovaskulare, diabet, pamjaftueshmëri të veshkave, hiperkolesterolemi familjare (rritje të trashëguar të yndyrnave në gjak) dhe moshë mbi 70 vjeç, kanë gjithashtu një rrezik në rritje të sëmundjeve kardiovaskulare.
Faktorët më të zakonshëm të rrezikut, sipas rekomandimeve të trajtimit të gushtit 2021 nga Shoqëria Evropiane e Kardiologjisë, janë kolesteroli i lartë, presioni i lartë i gjakut, pirja e duhanit, shtimi në peshë, diabeti dhe gjinia.
Kolesteroli i rritur
Nivelet e rritura të kolesterolit të përgjithshëm luajnë një rol të madh në vlerësimin e rrezikut kardiovaskular. Ruajtja e zgjatur e vlerave të ulëta të LDL-x (kolesteroli me densitet të ulët, "kolesteroli i keq") është treguar në studime dhe prova të shumta se zvogëlon rrezikun e sëmundjeve aterosklerotike. Kolesteroli LDL mbart një përqendrim të lartë të kolesterolit, i cili bartet në enët e gjakut dhe merr pjesë në formimin e pllakave ateromatoze (ngjitjet në brendësi të enëve të gjakut), duke zvogëluar kështu lumenin dhe qarkullimin nëpër enët e gjakut. Me kalimin e kohës, ngjitjet rriten dhe vjen deri te fibroza dhe ngurtësimi i murit të enëve të gjakut.
Në varësi të moshës dhe sëmundjeve shoqëruese të pacientit, dallojnë edhe vlerat e synuara të kolesterolit LDL. Pavarësisht nëse pacienti merr pilula për rregullimin e yndyrës në gjak, rekomandohet aktiviteti fizik dhe një regjim i duhur ushqimor.
Presioni i lartë i gjakut
Presioni i lartë i gjakut është një faktor kryesor rreziku për zhvillimin e sëmundjeve koronare të zemrës, pamjaftueshmërinë e zemrës, sëmundjet cerebrovaskulare, sëmundjet kronike të veshkave dhe punën e parregullt të zemrës (aritmitë). Matja e presionit të lartë të gjakut nuk do të thotë që pacienti ka presion të lartë kronik të gjakut. Hipertension konsiderohet kur vlerat e presionit të gjakut rriten në mënyrë të përsëritur, të cilat maten në zyrën e mjekut në vizita të ndryshme dhe/ose gjatë matjes ambulatore të presionit të gjakut, me monitor Holter. Në popullatën më të re, terapia farmakologjike rekomandohet kur vërehen vlera mbi 140/90mmHg, ndërsa në popullatën e moshuar mbi 160/100mmHg.
Pirja e cigareve
Pirja e duhanit, si shkaktar, konsiderohet të jetë përgjegjës për 50% të vdekshmërisë së shmangshme, nga të cilat 50% është nga sëmundja aterosklerotike. Pirja e duhanit për një kohë të gjatë mendohet të ketë më shumë efekte anësore te gratë sesa te burrat. Njerëzit të cilët janë të ekspozuar ndaj tymit të dorës së dytë (prania në dhomat ku pihet duhan) kanë gjithashtu një rrezik në rritje të sëmundjeve kardiovaskulare, edhe pse nuk pinë duhan në mënyrë aktive.
Rreziku i sëmundjeve kardiovaskulare te duhanpirësit nën moshën 50 vjeç është pesë herë më i lartë se tek jo duhanpirësit. Konsumatorët e cigareve elektronike dhe produkteve të tjera të duhanit pa tym (smokeless tobacco) kanë të njëjtin rrezik si duhanpirësit. Te pacientët që kanë nevojë për mbështetje dhe nuk janë në gjendje të lënë duhanin, gjithashtu duhet të merret parasysh terapia zëvendësuese e nikotinës (varenicline, bupropion). Të gjitha format e terapisë zëvendësuese të nikotinës (në formën e çamçakëzit, fashave transdermale të nikotinës, sprejit të hundës dhe inhalatorëve, tabletave nën gjuhë) janë treguar të jenë efektive në lënien e duhanit.
Pesha e rritur e trupit
Studime të shumta dhe meta-analiza kanë treguar se shtimi i peshës lidhet drejtpërdrejt me rritjen e zhvillimit të arteriosklerozës dhe DM-së te pacientët. Si tregues i shtimit të peshës nuk merren vetëm kilogramët e matur në peshore, ndikim më të madh kanë edhe BMI-ja (indeksi i masës trupore) dhe raporti i perimetrit të belit dhe vitheve (tregues i dhjamit visceral). Raporti bel-vithe >0.95 te meshkujt dhe raporti> 0.85 te gratë, konsiderohet si rrezik i shtuar i sëmundjeve kardiovaskulare.
Rritja e aktivitetit fizik dhe ndryshimi i stilit sedentar të jetesës kanë një ndikim të madh në rregullimin e peshës. Rekomandohen 150-300 minuta aktivitet fizik të moderuar ose 75-150 minuta ushtrime intensive aerobike në javë, nëse e lejon gjendja shëndetësore. Te grupi i pacientëve më të moshuar, rekomandohet aktiviteti fizik me shumë përbërës, i përbërë nga stërvitja aerobike, shtrirja e muskujve dhe ushtrimet e ekuilibrit, me qëllim të parandalimit të rënieve eventuale. Përveç regjimit ushqimor, rekomandohet marrja më e ulët e kalorive, duke konsumuar një dietë ku mbizotërojnë proteinat, me sasi të mjaftueshme fibrash, ku karbohidratet janë në sasi më të ulëta. Rekomandohet të shmangni yndyrnat trans, të kufizoni konsumin e kripës në 5g në ditë dhe konsumin e alkoolit deri në 100 ml në javë.
Diabeti
Para-diabeti, diabeti i tipit 1 dhe diabeti i tipit 2 janë faktorë të pavarur shtesë të rrezikut të arteriosklerozës. Në varësi të kontrollit terapeutik të diabetit, rreziku mund të jetë dy herë më i lartë se te pacientët e së njëjtës moshë pa diabet. Çrregullimi i metabolizmit të sheqernave sjell një ndryshim në metabolizmin e yndyrnave, duke çuar kështu në një faktor tjetër rreziku për sëmundjet kardiovaskulare. Gratë me diabet kanë rrezik më të lartë të goditjes në tru sesa burrat.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.6-7 të botimit elektronik të revistës BETTY (NËNTOR 2021).