Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Dermatiti seborroik

April 1, 2022

Dr. Emilija Minova
Specialiste e dermatologjisë dhe venerologjisë
Poliklinika Res Humana

|



Dermatiti seborroik është inflamacion kronik dhe i përsëritur i rajoneve seborroike. Shkaku i saktë është ende i panjohur, por besohet se ka disa faktorë që luajnë rol të rëndësishëm në shfaqjen e tij. Më parë mendohej se kushti themelor për shfaqjen e dermatit seborroik janë predispozitat gjenetike. Edhe pse ndryshimet ndodhin kryesisht në rajonet seborroike, çështja e seborresë (yndyrëzimi intensiv i lëkurës) mbetet e diskutueshme, pasi rritja e sekretimit të gjëndrave dhjamore është e pranishme vetëm te rreth 50% e pacientëve.

Në qoftë se manifestohet seborrea, do të thotë se është një faktor predispozues dhe se në të kontribuon mosfunksionimi hormonal dhe vegjetativ. Inflamacioni i lëkurës ndodh zakonisht për shkak të stimujve nga disa faktorë dytësorë, shpesh kompleksë (p.sh. mikroorganizmat e ndryshëm ose mbetjet e tyre, ndryshimet në përbërjen e sebumit, trauma mekanike, acarimi i lëkurës me rroba). Në vitet e fundit, shumica e autorëve kanë pranuar majanë Pityrosporum ovale si përgjegjëse për zhvillimin e sëmundjes. Dermatiti seborroik shfaqet në rreth 2-5% të popullsisë, më shpesh te meshkujt.

Dy periudha janë karakteristike për shfaqen e kësaj gjendjeje: tre muajt e parë të jetës dhe adoleshenca. Dermatiti seborroik te të porsalindurit është në thelb identik me sëmundjen e pranishme te të rriturit. Dallimet e vetme lidhen me vetitë anatomike dhe biologjike të rajoneve, çka e bën lëkurën e të porsalindurve të reagojë ndryshe nga ajo e të rriturve. Te të porsalindurit ekziston një irritim i fortë e  i papërcaktuar dhe gatishmëria për një reagim me eksudativ, ndryshe nga të rriturit, ku stimuli i njëjtë çon në akumulimin e infiltratit qelizor dhe në lëkurë të thatë dhe të përflakur.

Deri në fund të javës së gjashtë të jetës, hormonet nga nëna qarkullojnë në trupin e foshnjës dhe janë si stimul fiziologjik për gjëndrat dhjamore, ndërsa më vonë, dermatitit seborroik mund të mbështetet nga çrregullime të tretjes, për shkak të traktit të tretjes me funksionim ende të pamjaftueshëm ose një diete të papërshtatshme, të pasur me yndyrna.

Dermatiti seborroik zakonisht prek të ashtuquajturat rajone seborroike, si koka, fytyra, rajoni prapa llapës së veshit, kafazi i kraharorit dhe shpatullat, më pak rajonin nën gjëndrat qumështore, nënsqetullat, bërrylat dhe gropat pas gjunjëve. Në lëkurën e kokës janë të pranishme vatra të kufizuara ashpër, sa një monedhë metalike ose më të mëdha, me forma të ndryshme, me ngjyrë rozë në të kuqe, të mbuluara me luspa të bardha në të verdhë, të cilat mund të bashkohen.

Ndonjëherë ndryshimet mbulojnë të gjithë lëkurën e kokës dhe kalojnë në lëkurën e ballit, rajonin temporal, retroaurikular dhe nukal, në formën e një brezi të verdhë në të kuqërremtë të kufizuara ashpër, përgjatë skajit të kapilarëve, me gjerësi 1 deri në 2 cm dhe me luspa të theksuara (corona seborrhoica). Nëse ndodh një infeksion dytësor me streptokok në rajonin retroaurikular, mund të çojë deri në eritemë të fortë dhe lagështi në këtë rajon, i cili mbulohet me kore dhe luspa (streptodermitis retroauricularis).

Dermatiti seborroik i lëkurës së kokës, i cili paraqitet me intensitet të theksuar nga aspekti klinik, si dhe nga ai histologjik, ndonjëherë vështirë dallohet nga psoriaza e lëkurës së kokës. Raste të tilla kalimtare quhen sebopsoriazë.

Ndonjëherë mund të shfaqen vatra në formë ovale ose të parregullt, me madhësi të një monedhe metalike, të mbuluara me depozita luspash të bardha, të cilat kanë një shkëlqim si grimcat e asbestit, ndërsa nën to vërehet një lëkurë e kuqe dhe e lagësht. Ndryshime të tilla përmblidhen me termin pseudotinea amiantacea.

Në rajonin e fytyrës, ndryshimet zakonisht ndodhin në vetulla, përgjatë anëve të hundës, faqeve dhe mjekrës, në formë të vatrave të thata me ngjyrë rozë, pak a shumë të kufizuara ashpër, me zbokth dhe kruajtje minimale. Skajet e qepallat mund të jenë të skuqura dhe me kokrriza në sipërfaqe (blepharitis marginalis).

Dermatitis seborrhoica colli perstans është variant i dermatitit seborroik, i cili ndodh te popullata femërore në rajonin e qafës, në formë të depozitave të holla dhe të thata, me ngjyrë kafe të lehtë në të verdhë, të kufizuara ashpër, të cilat vështirë se hiqen me kruarje. Në rajonin e kafazit të kraharorit dhe të shpatullave, vatrat janë më shpesh të rrumbullakëta, ovale ose në formën e një monedhe metalike me të njëjtën madhësi, të infiltruara lehtë dhe me ngjyrë të kuqe në të verdhë (dermatitis seborrhoica mediothoracica "typus petaloides").

Në palosje, në nënsqetulla, nën gjëndrat qumështore, në rajonin e ijëve dhe atë ano-gjenital zakonisht shfaqet me një reagim të përhapur, të kufizuar ashpër, me luspa dhe kore, ndërsa në thellësinë e palosjeve formohen edhe plagë. Rrjedha e sëmundjes është kronike, me përsëritje dhe përkeqësime. Më shpesh fillon në lëkurën e kokës dhe më vonë përhapet në vende të tjera.

Diagnoza zakonisht bazohet në pasqyrën klinike. Ekzaminimi mikologjik shpesh konfirmon praninë e majasë Pityrosporum ovale. Në diagnostikimin diferencial duhet të merren parasysh dermatozat që karakterizohen nga paraqitja e vatrave eritematoze, në sipërfaqen e të cilave ka luspa: në lëkurën e kokës kryesisht psoriaza, në fytyrë dhe trung eritematoza diskoide dhe pemfigusi seborroik, në trung pitiriaza rosea.

Trajtimi terapeutik zakonisht është afatgjatë dhe jo gjithmonë i suksesshëm. Terapia e përgjithshme është e ngjashme me atë që jepet në rast të seborresë. Në dietë duhet të shmangen karbohidratet e përqendruara, yndyrnat dhe erëzat e forta. Terapia lokale është në formën e shampove, pluhurave, pluhurave të lëngshëm, xhelit, emulsionit ose suspensionit të alkoolit (në varësi të shkallës së inflamacionit të lokalizimit), ku ka squfur (2-10%), acid salicilik (2 -5%), rezorcinol (0,5-3%), katran (0,5-1%), precipitat të bardhë merkuri (5-10%), sulfur të kuq merkuri (1-3%), sulfid seleni, piriton zinku dhe antimikotikë, sidomos ketokonazol, të cilët veprojnë në majanë Pityrosporum ovale.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.26-27 të botimit elektronik të revistës BETTY (PRILL 2022).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>