Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Tre vende që duhet t’i vizitoni këtë verë

June 1, 2020

|

Pranvera është periudha e vitit kur më shpesh e bëjmë zgjedhjen e vendeve që duam të vizitojmë. Shpesh, këto janë destinacione jashtë kufijve të vendit ku jetojmë. Kësisoj, ndonjëherë harrojmë apo nuk jemi të vetëdijshëm se sa bukuri fsheh Maqedonia përbrenda.

Natyra këtu është shtrirë në çdo skaj. Ajo është treguar aq bujare sa që ka përhapur anembanë bukurinë dhe madhështinë që na përmbush shpirtrat dhe zemrat. Vendi ynë ka aq shumë vende për të cilët duhet të ndjehemi krenarë. Natyra e paprekur, bota e gjallë, historia dhe tradita e gjatë, të gjitha këto veçori e bëjnë atë një vend të bukur, të ngrohtë dhe të dashur për të gjithë.

Nëse nuk e keni mbushur ende listën tuaj të vendeve ku dëshironi të udhëtoni, ju sugjerojmë të vizitoni këto tre vendndodhje të mrekullueshme në Maqedoni, bukuria e të cilave është e pandryshueshme në çdo stinë të vitit. Ato do t'ju mbushin sytë me bukuri dhe prehje, do t'ju qetësojnë shpirtin dhe do t'ju shtojnë dashurinë për vendlindjen.

Vevçani - vendi i mosbindjes



Kur doni të shpëtoni nga zhurma e qytetit dhe të pushoni nga gjithçka, ju rekomandojmë përzemërsisht të vizitoni Vevçanin. Rrugës për në Strugë, pas fshatit Veleshtë ose nëse lëvizni përgjatë rrugës për në Mavrovë, 14 km nga Dibra, në ultësirat e malit Jabllanicë është e vendosur një nga komunat më të bukura në Maqedoni, Vevçani.

Ky fshat fsheh në vete shumë histori legjendare. Përveç se është i njohur për karnavalin tradicional që zhvillohet çdo vit në festën e Vasilicës, më 13 dhe 14 Janar, Vevçani është i pasur me florë dhe faunë, ndërsa tërheqja e vërtetë për të gjithë vizitorët janë burimet e Vevçanit.

Një vend për paqe të shpirtit dhe përallë për sytë. Ndërsa lëvizni përgjatë rrugës që të shpie te burimet, do të shijoni arkitekturën e vjetër unike të shtëpive në Vevçan, që rrezatojnë ngrohtësi. Në kuadër të burimeve, është krijuar një shteg i posaçëm për shëtitje, ku mund të gjeni stola dhe tavolina të drurit dhe të shijoni tingujt e ujit të burimeve, ajrin e pastër, shushurimën e gjetheve në drunj dhe gjelbërimin që ju ndjek në çdo hap.

Tradita e Vevçanit del në pah edhe më shumë me restorantet që gjenden në këtë vend. Specialitetet më të famshme të Vevçanit, që do t'i gjeni në të gjitha restorantet e fshatit janë: flija e Vevçanit, mishi i qengjit ose derrit në saç, gullashi i Vevçanit dhe salsiçja e Vevçanit. Përveç këtyre pjatave, banorët e Vevçanit do t'ju shërbejnë dhe qerasin me verën vendore të quajtur "Vevçanska Kerf".

Përpara burimeve, në anën e majtë gjendet mulliri i vjetër që funksionon akoma dhe ku banorët e Vevçanit bluajnë miellin me të cilin bëjnë pitet dhe bukët e shijshme. Përmes bashkimit të drurit dhe gurit, ushqimeve tradicionale në restorante, arkitekturës dhe natyrës së paprekur të Vevçanit, do të ndjeni tërë ngrohtësinë që ofron vendi ynë. Në Vevçan gjithashtu mund të vizitoni manastirin e Shën Spas Gornit, i cili ndodhet në një lartësi prej 1300 metrash dhe vendin për piknik Jankov Kamen dhe Golina, ku ndodhet liqeni natyror Lokva. Banorët e Vevçanit janë mikpritës të shkëlqyeshëm dhe njerëz që ushqejnë traditën dhe zakonet maqedonase. Çdo shtëpi është e hapur për t'ju mirëpritur dhe gostitur.

Kokino - kalaja e diellit dhe hënës



Bukuritë e vendit tonë janë pa fund. Një prej tyre është edhe ndërtesa e mahnitshme, observatori antik megalit i Kokinos, i krijuar nën ndikimin e forcave natyrore. Ndodhet në një kodër neo-vullkanike, në një lartësi prej 1030 metrash, poshtë majës malore Guri Tatiqev, në zonën e fshatit Kokino, rajoni i Kumanovës. Ky observator u zbulua në vitin 2001 dhe daton në vitin 1800 p.e.s., përkatësisht nga epoka e hershme e bronzit. Në vitin 2005, NASA e renditi këtë kala të 4-tën në botë për sa i përket vjetërsisë. Vendndodhja përbëhet nga disa shkëmbinj të thepisur, të krijuar nga ngurtësimi i lavës së nxjerrë nga një krater vullkanik aktiv, ku janë formuar çarje. Vizitoni Kokinon dhe ndiqni gjurmët e paraardhësve tuaj të epokës së bronzit. Ju këshillojmë ta vizitoni në agim, ngaqë në këtë kohë është magjik dhe meditues.

Kuklica - Rezerva Gjeologjike "Dasma e gëzuar"



Në pjesën lindore të Maqedonisë, në fshatin Kuklica, rajoni i Kratovës, ndodhet rezerva gjeologjike "Dasma e gëzuar", e njohur gjerësisht edhe si Kuklici, Kukli dhe Pijani svatovi. Është fjala për një vepër arti të natyrës, mbi 50 mijë vjet e vjetër, e krijuar nga erozioni vertikal i shkëmbinjve të butë vullkanikë.

Rezerva gjeologjike "Dasma e gëzuar" është një kryevepër e natyrës. Rezerva ka 148 kukulla apo piramida prej balte. Në zonën ku ndodhen kukullat më parë ka pasur liqen. Me shterjen e liqenit, ka filluar modelimi i tyre, që vazhdon edhe sot e kësaj dite nën ndikimin e faktorëve gjeo-ekzogjenë. Në rezervën gjeologjike të Kuklicës gjenden mbetje fosile të dendroflorës, pemët e ngurtësuara. Kjo i jep rëndësi rezervës, duke e bërë një nga tre rezervat e vetme në botë (dy të tjerat janë në Chemnitz dhe Lesbos - Greqi). Vlerësoni këtë fenomen natyror ose legjendë vetë, por gjithsesi shtojeni Kuklicën në listën e ekskursioneve pranverore ose verore të fundjavës.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.30-31 të botimit elektronik të revistës BETTY (QERSHKOR 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>