Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Veçantia e veshkave

March 1, 2022

Dr. Katerina Ristoska
Specialiste e mjekësisë interne
IPSH Nefroplus, Shkup


|



Dekada më parë, duke i kushtuar rëndësi të madhe sëmundjeve kardiovaskulare dhe malinje dhe tani në kohë pandemie, kur e gjithë vëmendja është e kthyer kah pacientët me SARS CoV-2 dhe ndërlikimet e tij, në një farë mënyre sëmundjet e veshkave duket sikur janë shtypur padrejtësisht dhe sikur është harruar krejtësisht roli i tyre kompleks dhe jashtë mase i rëndësishëm në ruajtjen e mekanizmave homeostatike, metabolike, endokrinologjike dhe nevojave të organizmit.

Po të kemi parasysh se më shumë se 850 milionë njerëz në botë kanë një formë të sëmundjes së veshkave, pra një në 10 të rritur trajtohet për një formë të ndryshme të sëmundjes së veshkave, e cila nëse krahasohet me sëmundjet e tjera kronike është dy herë më shumë se ata që jetojnë me diabet mellitus (422 milionë), njëzet herë më shumë se prevalenca globale e sëmundjeve malinje (42 milionë) dhe afërsisht e barabartë me AIDS-in (36.7 milionë), bëhet shumë më e qartë se sa e rëndësishme është të mendojmë më shpesh për shëndetin e veshkave tona. Fakti që një në tre të rritur që trajtohen për diabet mellitus dhe një në pesë të rritur me presion të lartë të gjakut mund të zhvillojnë sëmundje të veshkave, e cila në shumicën e rasteve çon në sëmundje kronike të veshkave dhe insuficiencë renale terminale, plotëson mozaikun e rëndësisë së zbulimit dhe parandalimit të hershëm të sëmundjeve të këtij organi unik.

Sistemi urinar përbëhet nga organe që marrin pjesë në rregullimin e vëllimit dhe përbërjes së lëngjeve të trupit: veshkat, trakti urinar, fshikëza dhe rrugët urinare. Organi qendror i sistemit urinar janë veshkat, të cilat ndodhen në pjesën e pasme të barkut, një në secilën anë të shtyllës kurrizore, ku veshka e majtë ndodhet pak më lartë se e djathta. Struktura komplekse e veshkës, e cila rregullon vëllimin e lëngjeve, elektroliteve, vitaminave dhe hormoneve, e përfaqësuar nga rreth një milion filtra mikroskopikë të quajtur nefrone, flet për veçantinë e veshkës në ruajtjen e shëndetit tonë. Edhe me funksionimin e vetëm 10% të indeve të veshkave, ato mund të ruajnë homeostazën pa probleme dhe të mos shfaqin simptoma të sëmundjes së tyre ose ato simptoma të mos jenë specifike. Nëse njëra veshkë ose një pjesë e saj nuk e kryen mirë funksionin e saj, atëherë veshka tjetër ose pjesa tjetër e veshkës merr përsipër funksionin e saj për të ruajtur funksionimin normal të trupit. Kështu, parametrat e rëndësishëm fiziologjikë (presioni i gjakut, vëllimi i gjakut) mbeten normalë, derisa veshkat të mos mund të kompensojnë më funksionin e humbur.

Në veshka prodhohet urina, e cila është një produkt i krijuar nga filtrimi i gjakut në veshka. Përbërja e tij varet nga aftësia e veshkave për të mbajtur substancat e nevojshme për funksionimin e duhur të trupit (karbohidratet, proteinat, elektrolitet) dhe për të nxjerrë toksinat, substancat e tepërta të gëlltitura me ushqimin, së bashku me produktet fundore të metabolizmit.

Përveç këtij funksioni ekskretues të veshkave, ato kanë edhe një funksion endokrin, përmes prodhimit, aktivizimit dhe degradimit të hormoneve, siç është eritropoetina, me anë të së cilës veshkat marrin pjesë në prodhimin e eritrociteve (rruazat e kuqe të gjakut) në palcën e eshtrave, ndërsa prodhimi dhe rregullimi i niveleve të reninës dhe prostaglandinës në veshka ndikojnë gjithashtu në sistemin vaskular dhe rregullimin e presionit të gjakut. Veshkat prodhojnë gjithashtu formën aktive të vitaminës D, të quajtur kalcitriol, e cila është e rëndësishme për rregullimin e kalciumit dhe fosfateve në trup, minerale thelbësore që janë kyçe për mineralizimin e eshtrave. Veshkat gjithashtu rregullojnë sasinë e ujit në trup, duke stimuluar sekretimin e disa hormoneve, të cilat, në rast dehidratimi, mbajnë ujin në trup dhe zvogëlojnë vëllimin e urinës (hormoni antidiuretik dhe aldosteroni) dhe sekretimi i të cilave zvogëlohet kur ka mbingarkesë të trupit me ujë dhe rritje të vëllimit të urinës.

Sëmundja e veshkave mund të shkaktohet nga një sërë arsyesh, të tilla si infeksione, toksina, për shkak të qarkullimit të çrregulluar të gjakut nëpër veshka, pamundësia për të urinuar (prania e gurëve në veshka, tumoret e ndryshme, prostata e zmadhuar te meshkujt, e cila ushtron presion ose i mbyll plotësisht rrugët urinare), presioni i lartë i gjakut, sëmundjet gjenetike dhe metabolike (diabeti mellitus) dhe sëmundjet autoimune. Nëse këto sëmundje nuk diagnostikohen dhe trajtohen në kohë, mund të çojnë në dëmtim akut të veshkave (ulje e papritur e funksionit të veshkave dhe sekretimit urinar në disa orë ose ditë) ose të çojnë në sëmundje kronike të veshkave (SKV), në të cilën dëmtimi i veshkave ndodh ngadalë, për të paktën tre muaj. SKV është shkaku i 2.4 milionë vdekjeve në vit, rritjes së vdekshmërisë kardiovaskulare, si dhe vdekjeve të parakohshme (para moshës 65 vjeç). Kjo vdekshmëri, e cila po rritet nga viti në vit, parashikohet të jetë shkaktari i 5-të kryesor i vdekjeve në botë deri në vitin 2040.

Në varësi të shkakut që ka çuar në sëmundjen e veshkave, simptomat mund të jenë jospecifike, afatgjata dhe të mungojnë fare, si dhe të mbivendosen me simptomat dhe të jenë pjesë e një sëmundjeje sistemike specifike që po trajtohet. Zakonisht simptomat e para që tregojnë probleme me funksionin e veshkave janë vështirësia në urinim (urinim i pjesshëm, pamundësi për të kontrolluar urinimin, dhimbje gjatë urinimit, ulje e currilit të urinës, ndryshim i ngjyrës dhe erës së urinës, pamundësi për të urinuar). Mund të shfaqen dhimbje në ijë, bark dhe fshikëz. Temperatura e trupit gjithashtu mund të rritet. Me trajtimin e vonuar dhe përparimin e sëmundjes, vërehen vështirësi në kryerjen e aktiviteteve të përditshme, të përziera, rritje e ndjenjës së lodhjes, shqetësimi i gjumit, ulje e oreksit, kruajtje dhe zverdhje e lëkurës. Të pranishme janë edhe ënjtjet, të cilat mund të jenë fillimisht në fytyrë dhe kyçin e këmbës dhe më pas të përhapen (me mbajtje të lëngjeve në bark, mushkëri, zemër). Kjo mund të çojë në rritje të presionit të gjakut, zhvillim të anemisë, çrregullim të elektroliteve në gjak, zhvillim të aritmive kardiake, mineralizim jo të duhur të eshtrave dhe dobësi të tyre.

Njohja e hershme e sëmundjes së veshkave është shumë e rëndësishme dhe rrit mundësinë e trajtimit dhe ngadalëson përparimin e mëtejshëm të sëmundjes.

Përveç anamnezës, pasqyrës klinike të sëmundjes dhe ekzaminimit klinik, është thelbësore të kryhen edhe analiza laboratorike me ekzaminim të plotë të gjakut, veçanërisht produkteve të degradimit metabolik (kreatinina, ureja, acidi urik) dhe elektroliteve të gjakut, si dhe ekzaminimi i plotë i urinës, sidomos për praninë e proteinave në urinë, që është një nga markerët e sëmundjes së veshkave. Gjithashtu është i nevojshëm ekzaminimi mikrobiologjik i urinës, llogaritja e kreatininës në urinë dhe ekzaminimi ultrasonografik i sistemit urinar dhe i barkut.  Nëse dyshohet për sëmundje të caktuara të veshkave, duhet të kryhet një biopsi e veshkave.

Meqenëse simptomat varen nga shkaku që ka çuar në një sëmundje të caktuar të veshkave, edhe trajtimi varet nga ai dhe përfshin trajtimin e sëmundjes themelore, higjienën dhe dietën e duhur, marrjen e ulur të kripës, marrjen e mjaftueshme të lëngjeve, rregullimin e presionit të gjakut dhe sheqerit në gjak, ndërprerjen e duhanit dhe alkoolit, humbjen në peshë, marrjen e rregullt të terapisë së përshkruar, mosmarrjen e barnave pa këshillën e mjekut, si dhe aktivitet të rregullt fizik. Nga ana tjetër, SKV në fazën terminale trajtohet me terapi renale zëvendësuese: hemodializë dhe modalitetet e saj, dializë peritoneale dhe transplantim veshkash.

Kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme promovimi i shëndetit të njeriut duke ofruar qasje universale dhe të barabartë te kujdesi shëndetësor me cilësi të lartë, duke ulur disponueshmërinë e pabarabartë të kujdesit shëndetësor dhe shërbimeve midis grupeve të caktuara socio-ekonomike të popullsisë.

Ruani veshkat tuaja të mrekullueshme për të ruajtur shëndetin e përgjithshëm. Mendoni më shpesh për këtë organ unik në trupin tuaj dhe kushtojini më shumë kujdes dhe vëmendje.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.4-5 të botimit elektronik të revistës BETTY (MARS 2022).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>