Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Qasja holistike dhe sëmundjet psikosomatike

December 1, 2020

|

dr. med. sci. Maja Milovançeva-Popovska
Interniste-Nefrologe
IPSH PROMEDIKA MEDIKAL CENTAR



Termi çrregullime psikosomatike nënkupton sëmundjet në të cilat ekziston një çrregullim organik dhe faktorë psikologjikë ose socialë që ndikojnë fuqimisht në fillimin ose ecurinë e sëmundjes. Termi përdoret për të treguar "një sëmundje fizike që mendohet se shkaktohet ose përkeqësohet nga faktorë mendorë".

Psikosomatike do të thotë mendje (psikikë) dhe trup (soma). Në një farë mase, shumë sëmundje janë psikosomatike, domethënë prekin si mendjen ashtu edhe trupin. Sëmundjet tipike janë neurodermatiti, astma, presioni i lartë i gjakut, mbipesha. Pacientët zakonisht ankohen për një numër simptomash fizike dhe shpesh shkojnë nga një mjek tek tjetri.

Reagimi ndaj sëmundjes ndryshon shumë nga personi në person. Për shembull, skuqja që vjen nga psoriaza nuk është shumë shqetësuese për disa njerëz. Por disa të tjerëve, skuqja u shkakton depresion e madje edhe më shumë dhimbje.

Nga ana tjetër, sëmundjet mendore gjithashtu mund të kenë efekte fizike. Në disa sëmundje mendore, pacienti mund të mos hajë ose të kujdeset për veten e tij, gjë që mund të çojë në probleme fizike.

Disa sëmundje fizike janë veçanërisht të prirura të përkeqësohen nga faktorë mendorë, të tillë si stresi dhe ankthi: ekzema, psoriaza, sëmundja e ulcerës, presioni i lartë i gjakut. Mendohet se faktorët mendorë mund të ndikojnë në pjesën fizike të sëmundjes (ashpërsia e skuqjes, niveli i presionit të gjakut).

Mendja ndikon në sëmundjen fizike

Lidhja midis mendjes dhe trupit është komplekse dhe nuk kuptohet plotësisht. Por është e qartë se mendja mund të shkaktojë simptoma fizike. Për shembull, kur jemi të frikësuar ose të shqetësuar mund të përjetojmë dhimbje koke, frymëmarrje të shpejtuar, rrahje të shpejta të zemrës, dhimbje gjoksi, dridhje, djersitje, tharje të gojës, gungë në stomak, të përziera.

Mënyra e saktë në të cilën mendja shkakton simptoma fizike nuk është e qartë. Kur jemi në ankth, rritet aktiviteti i impulseve nervore që dërgohen nga truri në pjesë të ndryshme të trupit dhe çlirohen hormone dhe substanca të tjera kimike që shkaktojnë simptoma fizike. Ka prova që truri ndikon në pjesë të sistemit imunitar që përfshihen në sëmundje të ndryshme fizike.

Çfarë është somatizimi?

Somatizimi është një gjendje në të cilën faktorët mendorë, psikologjikë ose emocionalë shkaktojnë simptoma fizike. Kur somatizojmë, një problem mendor ose emocional shprehet si një ose më shumë simptoma fizike. Simptomat janë reale, nuk janë të shpikura; ka me të vërtetë rritje të presionit të gjakut, shpejtim të pulsit ose diarre. Shumë njerëz herë pas here kanë dhimbje koke nga stresi mendor.

Stresi dhe probleme të tjera mendore mund të shkaktojnë shumë simptoma të ndryshme fizike, si lodhje, marramendje, dhimbje gjoksi, rrahje të parregullta të zemrës, dhimbje qafe, dhimbje shpine, të përziera, probleme të zorrëve, probleme seksuale, probleme menstruale.

Somatizimi është i zakonshëm. Ankthi dhe depresioni janë shkaqe të zakonshme të shfaqjes së simptomave fizike. Simptomat fizike zakonisht zhduken kur faktorët emocionalë dhe mendorë bëhen më të lehtë.

Termi "funksional" përdoret kur nuk dihet shkaku i simptomës fizike. Çrregullimi funksional do të thotë se ekziston një simptomë fizike, mosfunksionim (diarre, dhimbje, mpirje) por shkaku nuk dihet. Mund të ndodhë për shkak të faktorëve mendorë (somatizimi), faktorëve fizikë që nuk janë zbuluar ende ose një kombinimi i të dyve.

Cilat janë çrregullimet somatoforme?

Çrregullimet somatoforme janë një formë e rëndë e somatizimit ku simptomat fizike mund të shkaktojnë ankth të madh dhe afatgjatë tek njerëzit që janë të bindur se simptomat e tyre kanë bazë fizike. Këto janë raste ekstreme në shkallën e somatizimit, të klasifikuar si çrregullime të shëndetit mendor. Simptomat fizike vazhdojnë për një kohë të gjatë ose janë të rënda, por nuk ka ndonjë sëmundje fizike që mund të shpjegojë plotësisht simptomat.

Njerëzit janë shumë të ndjeshëm për problemet e tyre, nuk pajtohen që simptomat e tyre rrjedhin nga faktorë mendorë dhe janë të bindur se shkaku i simptomave të tyre është një problem fizik.

Është e vështirë për mjekun të diagnostikojë një çrregullim të tillë, është e vështirë të jesh i sigurt se nuk ka asnjë shkak fizik për simptomat. Individët udhëzohen tek specialistë të ndryshëm dhe u nënshtrohen një sërë ekzaminimesh. Shumë raste nuk diagnostikohen.

Faktorët gjenetikë dhe mjedisorë (ndikimi nga prindërit, bashkëmoshatarët, media) luajnë rol në zhvillimin e këtyre çrregullimeve.

Çrregullimet e somatoforme përfshijnë:

Cili është trajtimi?

Një qasje pak më ndryshe...

Mjekët sot i kushtojnë shumë më shumë vëmendje mënyrës se si simptomat ndikojnë në jetën dhe mirëqenien e pacientëve. Çdo sëmundje ka opsionet e veta të trajtimit. Për sëmundjet fizike, trajtimet fizike, ilaçet dhe operacionet janë shpesh më të rëndësishmet.

Ritmi i shpejtë i jetës së përditshme imponon mungesën e kohës dhe një qasje të përgjithshme ndaj njeriut, duke anashkaluar tërësinë, shumëllojshmërinë dhe veçantinë e tij. Çdo qenie njerëzore është një, unike dhe e tërë. Sot nuk kemi kohë për të zbuluar problemet dhe për të përmbushur nevojat. Nuk kemi kohë për të ekuilibruar trupin, mendjen dhe emocionet. Lidhja me unin tonë të brendshëm është e domosdoshme për shëndetin dhe baraspeshën e personalitetit tonë.

Qasje holistike ndaj shëndetit shëron njeriun, jo sëmundjen.

Fjala "holistik" vjen nga fjala greke "holos" që do të thotë "e tërë". Do të thotë ta shohësh njeriun në tërësi, jo të ndarë në pjesë, trup, mendje dhe psikikë. Të tre përbërësit përfaqësojnë njeriun në tre nivele të ndryshme që janë të lidhura ngushtë dhe së bashku veprojnë si një e tërë. Nëse ka çekuilibër të një përbërësi, e njëjta pasqyrohet në dy të tjerët. Lëndimi fizik ndikon në gjendjen shpirtërore, ndjenjat dhe mendimet. Sëmundja nuk ndodh papritmas, sëmundja zhvillohet pasi prishet ky ekuilibër. Më shpesh një person e di se çfarë po ndodh në jetën e tij që kushtëzon dhe nxit shfaqjen e sëmundjes.

Qasja holistike ndaj shëndetit përfshin zbulimin e shkaqeve të brendshme dhe të jashtme që prishin ekuilibrin dhe zbutjen ose mënjanimin e tyre. Qasja e përgjithshme nënkupton të menduarit për të gjitha aspektet e jetës, shprehitë, mënyrën e të ushqyerit, aktivitetin fizik, gjumin, problemet personale dhe gjendjen emocionale, sëmundjet somatike.

Për të trajtuar dhe shëruar sëmundjen, është e nevojshme të ndryshohet vetëdija, të ndryshohen zakonet e jetës në një nivel të vetëdijshëm, të përvetësohet një mënyrë e re jetese. Mbajtja e trupit të shëndetshëm kërkon aktivitet, dietë të shëndetshme, mbajtjen e një peshe dhe gjendjeje fizike të shëndetshme, ritëm të shëndetshëm të zgjimit dhe gjumit, baraspeshë emocionale dhe qartësi mendore, si dhe marrëdhënie të shëndetshme farefisnore dhe miqësore.  E gjithë kjo ndihmon për të shëruar dhe kthyer personin në një gjendje natyrore baraspeshe, harmonie dhe pajtueshmërie.

Shëndeti nuk është vetëm mungesa e sëmundjes

Është më e lehtë për një njeri të kërkojë nga mjeku që t'ia zgjidhë të gjitha problemet, por kjo është e pamundur. Në qasjen ndaj shëndetit, njeriu është pjesëmarrës aktiv dhe i barabartë në procesin e shërimit. Njeriu është përgjegjës për shëndetin e tij dhe rezultatin e trajtimit, sepse ai është një tërësi, trup, mendje dhe shpirt. Të gjitha sistemet në trup punojnë së bashku në mënyrë efikase dhe për mrekulli, ndaj nuk duhet të jemi mosmirënjohës. Trupi dërgon sinjale që thonë ''nuk jam mirë'' por ne i shpërfillim ("nuk kam kohë ta mendoj sot"), duke rrezikuar që nga simptoma të vogla të zhvillojmë probleme më serioze shëndetësore. Me shprehi të shëndetshme jetese dhe duke u kujdesur për shëndetin fizik dhe shpirtëror, njeriu parandalon në mënyrë aktive sëmundjet dhe kur ato shfaqen, lehtëson trajtimin e tyre.

Prandaj, të kujdesemi për shëndetin tonë ashtu siç kujdesemi për aspektet e tjera të jetës, shtëpinë, financat, makinën, të marrim kontrollin sa më shumë që të mundemi.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.22-23 të botimit elektronik të revistës BETTY (DHJETOR 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>