|
Ushqimi si një kanavacë në të cilën gastronomët mund të pikturojnë ngjyrat? Pse jo. Ylber i shërbyer në tryezë, një mbushulli për shqisat e shikimit, erës dhe shijes.
Ngjyrat janë ushqim për shpirtin. Ekspertët po rekomandojnë gjithnjë e më shumë që të hamë një larmi ushqimesh të shëndetshme. Por çfarë do të thotë në të vërtetë të qenët i larmishëm? Është fjala për produktet që përveç se kanë prejardhje dhe cilësi të ndryshme, janë gjithashtu me ngjyra të ndryshme. Çdo ngjyrë e një produkti të caktuar mbart në vete përfitime të veçanta dhe shëndetësore për trupin e njeriut.
Ushqimi është ilaç. Trupi ynë konsumon sende ushqimore në forma, përbërje dhe ngjyra të ndryshme çdo ditë. Konsumimi i ushqimit në trupin tonë duhet të jetë i ekuilibruar. Ngrënia në mënyrë të arsyeshme dhe të zgjuar kontribuon në mirëmbajtjen e peshës dhe shëndetit tonë. Cfare do te thotë kjo? - Ngrënia e më shumë frutave dhe perimeve të stinës me ngjyra të bukura dhe të llojllojshme, në vend të ushqimeve të përpunuara industriale.
Ngrënia e ushqimit "të ylbertë" ndihmon në parandalimin e sëmundjeve të tilla si: sëmundjet kardiovaskulare, osteoporoza, diabeti dhe sëmundjet malinje, të cilat janë të lidhura drejtpërdrejtë me stilin e jetës dhe dietën moderne.
Ngjyra natyrale e ushqimit na tregon se çfarë lëndë ushqyese dhe antioksidantë përmban. Në shkencë ekzistojnë 6 grupe kryesore të ushqimeve me ngjyra, të cilat medoemos duhet t'i përfshijmë në menynë tonë javore sa herë që të kemi mundësi. Ushqimet që sjellin shumë energji dhe kanë veprim stimulues janë kryesisht me ngjyrë të kuqe, portokalli dhe të verdhë, ndërsa e gjelbra, e kaltra dhe vjollca veprojnë si qetësues në trupin tonë.
Ngjyra e bardhë
Ushqimet që përmbajnë ngjyrë të bardhë janë sinonim i pastërtisë. Në këtë grup ushqimesh do të cekim: qepët, kërpudhat, lulelakrat, preshtë, hudhrat. Ato përmbajnë flavonoide, acide folike, vitaminat C dhe K dhe beta glukan, të cilat janë të dobishme për trupin tonë. Ato rrisin imunitetin dhe janë të rëndësishme për zvogëlimin e rrezikut të kancerit të zorrës së trashë, gjirit dhe prostatës. Antioksidantët që përmbahen në këtë ushqim ngadalësojnë plakjen e trupit tonë.
Ngjyra e kuqe
Ushqimi me ngjyrë të kuqe është i njohur për energji, gjallëri dhe shpejtësi. Ushqimi i kuq është me bollëk, ndaj është mëkat të mos e bëni pjesë të menysë suaj të përditshme, veçanërisht në verë. Në këtë mes përfshihen luleshtrydhet, specat, qershitë, domatet, mollët, qershitë, panxhari, shegët, shalqiri, mishi, stafidhet dhe shumë të tjera. Likopeni, i cili është një detoksifikues i jashtëzakonshëm, është përbërës kryesor i këtyre ushqimeve. Ato gjithashtu përmbajnë biflavonoide, vitaminat A dhe C dhe mangan. Përfitimet nga konsumimi i këtyre ushqimeve vërehen në zvogëlimin e rrezikut të malinjitetit të prostatës dhe gjirit, kontrollin e presionit të gjakut dhe kolesterolit, përmirësimin e imunitetit dhe mirëmbajtjen e vitalitetit të qarkullimit të gjakut. Ato gjithashtu marrin pjesë në parandalimin e inflamacionit të indeve.
Ngjyra e verdhë
Ngjyra e gëzimit dhe inteligjencës, ushqen trurin dhe sistemin nervor, duke stimuluar aktivitetin mendor dhe kujtesën. Ky grup ushqimesh përfshin bananet, pjeprin, limonin, ftoin, misrin dhe gjalpin. Këto ushqime përmbajnë sasi të mëdha të manganit, magnezit, kaliumit, karotenoideve, biflavonoideve dhe vitaminave A, C dhe B. Ushqimi i verdhë përmirëson tretjen, zvogëlon ngërçet e muskujve, përmirëson shikimin dhe i bën lëkurën dhe kockat më të shëndetshme. Ato janë gjithashtu të mira për zemrën, dhëmbët dhe mirëmbajtjen e sistemit imunitar.
Ngjyra e gjelbër
Kur flasim për ekuilibrin dhe harmoninë në trupin tonë, e kemi fjalën për ushqimin e gjelbër. Ushqimi i gjelbër është mjaft i përhapur, veçanërisht në trajtën e perimeve me gjethe jeshile, të cilat janë burim i celulozës dhe bëjnë alkalizimin e trupit të njeriut. Spinaqi, majdanozi, bizelet, brokoli, marulja, kungull i njomë, avokadoja, kivi. Ato i japin trupit substanca të shëndetshme si luteinë, klorofil, kalcium, hekur, acid folik, kalium, vitaminat A dhe B.
Ngjyra vjollcë
Keni problem me gjumin apo nuk mund të flini? Trupi juaj vuan nga mungesa e ushqimeve të purpurta si rrushi, lakra e kuqe, patëllxhani, manaferrat dhe disa lloje peshqish. Këto ushqime janë të pasura me antioksidantë, luteinë, antocianinë, acid elagjik dhe vitaminë C. Ky ushqim është i mirë për lëkurën dhe është parandalues dhe mjekues i fuqishëm i sëmundjeve malinje.
Ngjyra portokalli
Oreksi i shëndoshë dhe tretja e mirë i detyrohen grupit portokalli. Karotat, kajsitë, kungulli, patatet e ëmbla, pjeshkat, portokalli, mangoja, mandarinat, e verdha e vezës. Ngjyra kryesore e këtyre ushqimeve rrjedh kryesisht nga beta-kriptoksantina, beta-karoteni dhe zeaksantina (karotenoidet). Këto ushqime përmbajnë gjithashtu acide yndyrore omega-3, likopen, kalium dhe vitaminat B dhe C. Ushqimi i portokalltë zvogëlon aciditetin e trupit, ul kolesterolin, mbron lëkurën nga sëmundjet, rregullon presionin e gjakut dhe përmirëson shikimin.
Ne ju rekomandojmë të hani ushqim të shëndetshëm dhe të larmishëm me ngjyrat e ylberit, si dhe ta filloni çdo mëngjes me një smoothie të ylbertë.
Shërbeni familjes tuaj ushqim të shëndetshëm dhe ylberin që do t'u çelë oreksin të gjithëve.
Thuaj po ushqimit me ngjyra!
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f. 22-23 të botimit elektronik të revistës BETTY (QERSHKOR 2020).