Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Çka ështe okluzioni?

October 1, 2020

|

Dr. Katerina Nikollovska
Doktoreshë e stomatologjisë
Specialiste e ortodoncisë



Okluzioni (kafshimi) është mënyra në të cilën dhëmbët e sipërm dhe ato të poshtëm përputhen në mes vete kur personi e ka gojën të mbyllur. Malokluzioni paraqet një mospërputhje midis dhëmbëve në harkun e sipërm dhe të poshtëm të dhëmbëve kur takohen nofulla e sipërme dhe e poshtme gjatë mbyllje së gojës. Me fjalë të tjera, malokluzioni është çdo devijim i okluzionit nga normalja. Në vlerësimin e malokluzionit është thelbësore të merren parasysh estetika dhe funksionaliteti.
Nëse këto aspekte janë të pranueshme për personin,  përkundër përkufizimit zyrtar të malokluzionit, atëherë trajtimi mund të mos jetë i nevojshëm. Në ortodonci, malokluzionet ndahen në disa klasa. Ndoshta efekt më negativ në mirëqenien psikosociale ka e ashtuquajtura klasa III (e tretë) e malokluzionit - prognatizmi. Shenja më e spikatur e malokluzionit të klasës III është mungesa e harmonisë së fytyrës, e cila në profil karakterizohet nga një e treta e poshtme e fytyrës tejet e theksuar, gjegjësisht mjekra është "e nxjerrë përpara", ndërsa përballë - një treta e poshtme e fytyrës e shkurtuar. Shpesh tek individët e tillë ka një rritje të tepërt të nofullës së poshtme në krahasim me të sipërmen. Shenjë karakteristike në gojë është shquarja më e madhe e dhëmbëve të përparmë të poshtëm, gjegjësisht dhëmbët e përparmë të poshtëm janë të vendosur përpara atyre të sipërm.

Mbizotërimi i kësaj anomalie në popullatë është 2-4% dhe zakonisht ka faktor trashëgues, ndërsa frekuenca e saj varet nga mosha dhe variacionet gjeografike. Studimet tregojnë se prognatizmi vërehet që në pubertet. Për herë të parë te një individ kjo gjendje gjendet te të porsalindurit në muajin e dytë (në këtë periudhë është një gjendje normale) dhe zakonisht zhduket në muajin e katërt. Në disa raste, veçanërisht kur fëmija lind para kohe, kjo gjendje mund të mbetet.
Një nga arsyet më të rëndësishme për korrigjimin e kësaj gjendjeje është ana estetike dhe funksionale. Gjendja mund të ketë një ndikim psikologjik tek personi, duke rezultuar në vetëbesim të ulët dhe gjithashtu vështirësi në të folur dhe në përtypjen e ushqimit.
Një nga opsionet për korrigjimin e kësaj anomalie në fazat e hershme është pajisja për modifikimin e rritjes, e ashtuquajtura maskë e llojit Delaire (Delaire mask) ose maskë e fytyrës. Pajisja përbëhet nga dy pjesë: proteza fikse, që vendoset në gojë dhe mbahet gjatë gjithë kohës dhe pjesa e jashtme apo maska, e cila mbahet 12 orë në ditë, të paktën për 6 muaj, sipas nevojës. Kontrollet bëhen te ortodontisti juaj, në fillim një herë në disa ditë, ndërsa më vonë dy herë në muaj e më rrallë. Kjo pajisje stimulon rritjen e nofullës së sipërme dhe të dhëmbëve përpara dhe përposh, ndërsa nofulla e poshtme lëviz përmbrapa dhe përpjetë. Kjo metodë është e vetmja që mund të arrijë rezultatet më të mira dhe është optimale që fëmijët të fillojnë ta mbajnë në periudhën nga viti i tetë dhe i nëntë i jetës. Sa më e gjatë terapia, aq më pak ka gjasa që gjendja të kthehet pas trajtimit. Menjëherë pas heqjes së maskës, jepet një pajisje ruajtëse, e cila mbahet për të ruajtur rezultatet e arritura të terapisë.
Nëse te fëmijët e moshës 5-6 vjeç, megjithëse dhëmbët e përhershëm nuk kanë mbirë ende, vëreni shquarje të tepruar të nofullës së poshtme, ndërsa dhëmbët e përparmë të poshtëm janë të vendosur përpara dhëmbëve të përparmë të sipërm, është e nevojshme të konsultoheni me një ortodontist sa më shpejt të jetë e mundur për të filluar me terapi.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.24 të botimit elektronik të revistës BETTY (TETOR 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>