Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Çfarë është rezistenca psikologjike?

August 1, 2020

|

Aleksandra Prosheva-Dragomanova
Psikologe klinike / psikoterapiste Gestalt



Çfarë është rezistenca psikologjike (rezistenca ndaj stresit dhe traumës e njohur edhe si imunitet psikologjik)?

Rezistenca psikologjike nënkupton aftësinë e përshtatjes në rrethana të vështira të jetës dhe ngjarje traumatike, tragjedi, fatkeqësi, burime të konsiderueshme të stresit, si periudhat e problemeve dhe mosmarrëveshjeve familjare, problemet serioze shëndetësore, problemet në punë, stresi i lidhur me financat etj. Rezistenca psikologjike është tipari që na ruan kur rrethanat janë të vështira, që na dallon nga të tjerët dhe që përcakton se si do të përballemi me sfidat e jetës.

Ndonëse të gjithë duam të ekuilibrojmë të gjitha sferat e jetës dhe të kemi paqe dhe qetësi, ndryshimet janë të pashmangshme. Cikli jetësor i ndryshimeve kërkon që të jemi konstantë në rrjedhën e lumit të jetës, ku ndonjëherë përjetojmë dhimbje emocionale e vuajtje. Këto situata, megjithëse janë të përbashkëta për të gjithë njerëzimin, varet nga rezistenca psikologjike nëse do të na mësojnë të notojmë dhe të zhvillohemi ose do të na çojnë në prapambetje mendore dhe dekompensime psikologjike.

Rezistenca psikologjike mësohet dhe zhvillohet, nuk është tipar biologjik i lindur. Ajo ngërthen në vete mënyrën adaptuese të të menduarit, sjelljes dhe ballafaqimit me problemet, që i mundëson individit të vazhdojë jetën me përvojën nga e cila ka mësuar dhe që do ta përdorë për t'u përballur me sfidat e ardhshme. Falë saj, individi fiton vetëbesim për të ecur përpara, në vend që të shmangë problemet dhe të përvetësojë mënyra keqadaptuese për t'u përballur me stresin, si abuzimi me alkool, substanca etj.

Cilët faktorë ndikojnë në rezistencën psikologjike?

Ndërtimi i marrëdhënieve të ngushta

Kur kalojmë situata të vështira jetësore, afërsia me familjen, rrethi ose rrjeti i kontakteve sociale me të cilët mund të ndajmë ato që po përjetojmë është një nga shtyllat kryesore të mbështetjes emocionale dhe një mënyrë për të kapërcyer më lehtë vështirësitë. Jetojmë në një kohë ku çdo ditë marrim mesazhe që na nxisin të bëhemi të pavarur dhe individualistë. Për më tepër, gjithnjë e më shumë njerëz jetojnë në izolim shoqëror dhe vetmi, ndërsa periudhat e vështira dhe prekshmëria shihen si një dobësi dhe diçka së cilës individi duhet t'ia dalë në krye krejt i vetëm. Kjo bie në kundërshtim me nevojën primitive për afërsi, duke ndikuar negativisht në imunitetin psikologjik.

Si u qasemi problemeve

Çdo problem dhe situatë e vështirë varet nga mënyra sesi ne përballemi me të. Me fjalë të tjera, varet nga ajo nëse i shqyrtojmë të gjitha opsionet dhe alternativat për ta zgjidhur problemin, nëse e shohim si një sfidë me të cilën duhet të përballemi ose lejojmë të mbizotërojnë frika dhe mendimet negative dhe u lëmë hapësirë fantazive katastrofike të tipit "çfarë do të ishte sikur të ishte", duke ndërtuar skenarë të errët për një përfundim negativ. Ballafaqimi dhe vendosja e qëllimeve realiste janë gjithashtu thelbësore për gjërat që do t'i arrijmë, gjithmonë duke pasur parasysh kufizimet tona si njerëz.

Ushtrimi i optimizmit

Ky është pozicioni në të cilin e shohim gotën gjysmë të mbushur ose gjysmë të zbrazët. Qëndrimi optimist ndaj gjërave me të cilat përballemi na jep vetëbesim se mundemi, si dhe na bën të përqendrohemi te mundësitë e jo te kufizimet. Optimizëm nuk do të thotë se i mohojmë apo nuk duam të shohim pengesat përgjatë rrugës, por se përqendrohemi te rrugëdaljet pozitive të situatës apo problemit.

Të mësuarit nga përvojat dhe veprimet e mëparshme

Në vend që të fajësojmë vazhdimisht veten, vëmendja duhet të zhvendoset te mësimi, gjegjësisht, përfitimi i njohurive për të mirat dhe të këqijat e situatave të ngjashme në të kaluarën, si t'i zbatojmë këto njohuri në të ardhmen, vetëdija për mënyrat e sjelljes dhe veprimit nga të cilat duam të heqim dorë, si dhe zgjedhja e mënyrave të reja dhe ndërtimi i kufijve të shëndoshë.

Pranimi i ndryshimit si pjesë e pandashme e jetës

Qëndresa ndaj ndryshimit, qëndrimi në zonën e rehatisë dhe shmangia e problemeve janë vetëm disa mënyra se si e vështirësojmë procesin e pranimit të ndryshimit, se ai proces i dhimbshëm nuk do të zgjasë përgjithmonë dhe se pas ndryshimit nuk do të jemi më ata që ishim, por është mënyra e vetme për t'u rritur si individë.

Kujdesi për veten

Të qenët në kontakt të shëndetshëm me trupin dhe nevojat tona, si përmbushja e nevojës për pushim, dieta e shëndetshme dhe gjumi, lëvizja dhe aktiviteti fizik, jo vetëm që ndihmon në forcimin e trupit kundrejt të gjitha shprehive negative, porse ndikon edhe në rezistencën tonë ndaj stresit dhe tejkalimin më të lehtë të rrethanave të vështira të jetës.

Lëvizja dhe kontakti me natyrën merr pjesë në lehtësimin nga kortizoli, hormoni kryesor i stresit. Kur lehtësohemi nga ky hormon mund të përballojmë më lehtë ndryshimet dhe të marrim vendime më të shëndosha dhe të përshtatshme.

Të kujdesesh për veten do të thotë të ushqesh emocionet e tua, t'i dalësh për zot vetes, të pranosh dobësitë dhe papërsosmërinë tënde, t’u gëzohesh grimcave të haresë dhe të qeshurës që të fal jeta, të shijosh fantazitë pozitive dhe krijimtarinë. Ushqyerja e botës së brendshme, qoftë përmes aspektit fetar me lutje dhe meditim, apo llojeve të tjera të praktikave shpirtërore, ndikon gjithashtu në ndërtimin e rezistencës psikologjike kundrejt situatave të vështira që na shtron përpara jeta.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.20-21 të botimit elektronik të revistës BETTY (GUSHT 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>