Mirjana Lozhankovska Tërniniq
Specialiste e biokimisë mjekësore, mr. farm.
Shefe e Genea Lab
|
Organizmi ynë ka një mekanizëm shumë të rëndësishëm mbrojtës nga humbja e tepërt e gjakut kur lëndohen enët e gjakut ose indet. Ky mekanizëm i quajtur hemostazë, lejon formimin e fijeve të proteinës së fibrinogjenit, të cilat lidhen së bashku dhe formojnë një rrjet fibrinogjeni (trombe). Ky rrjet, së bashku me trombocitet (pllakëzat e gjakut), ndihmon në ruajtjen e mpiksjes së gjakut që formohet në vendin e lëndimit derisa të shërohet. Pasi zona të ketë kohë për t'u shëruar dhe trombi nuk është më i nevojshëm, trupi fillon procesin e kundërt apo fibrinolizën, gjegjësisht shpërbërjen e trombit në copa të vogla, që të mund të mënjanohet nga qarkullimi i gjakut. Një nga produktet e fundit të shpërbërjes së fibrinës, përkatësisht nga trombet e formuara është D-dimeri, i cili mund të matet në një mostër gjaku.
Përcaktimi i vlerës së D-dimerëve në gjak përdoret për të përcaktuar praninë e një trombi joadekuat. Ai është i rëndësishëm për përjashtimin e rrezikut të trombozës së thellë të venave, embolizmit pulmonar dhe goditjes në tru. Prandaj, kur pacienti shfaq simptoma të tilla si dhimbje ose ndjeshmëri të këmbëve, ënjtje të këmbëve, edemë, ndryshim i ngjyrës së këmbëve, rekomandohet të përcaktohet vlera e D-dimerëve në gjak. E njëjta këshillohet edhe në rast të simptomave të embolizmit pulmonar, si gulçim i papritur, kollitje dhe dhimbje e kraharorit që lidhet me mushkëritë. Vlera e D-dimerëve, së bashku me testet e tjera, mund të ndihmojë në diagnostikimin e koagulimit intravaskular të shpërndarë (DIC). Kjo është një gjendje në të cilën aktivizohen faktorët e mpiksjes dhe formohen mpiksje të vogla të gjakut. Është një gjendje komplekse, ndonjëherë kërcënuese për jetën, që mund të paraqitet si pasojë e situatave të ndryshme, duke përfshirë disa procedura kirurgjikale, sepsën, kafshimet e gjarpërinjve helmues, sëmundjet e mëlçisë, si dhe pas lindjes së fëmijës.
Ky test përdoret për të përcaktuar nëse nevojiten ekzaminime shtesë për të ndihmuar në diagnostikimin e sëmundjeve dhe çrregullimeve që shkaktojnë hiperkoagulimin, domethënë një prirje për mpiksje të tepërt të gjakut. Vlerat referente të D-dimerëve ndryshojnë në masë të vogël midis laboratorëve dhe varen nga një numër faktorësh. Por vlerat normale të pranuara përgjithësisht janë nën 500 ng/ml ose 0.5 mg/L. Përqendrimet e D-dimerëve rriten te gratë e moshuara dhe shtatzëna, por edhe në rast të situatave të tjera ku ndodh aktivizimi i proceseve të koagulimit dhe fibrinolizës, siç janë operacionet, lëndimet, infeksionet, proceset inflamatore, kanceri etj. Nuk ka studime të mjaftueshme për testimin e D-dimerëve tek fëmijët. Ka disa metoda të ndryshme për përcaktimin e vlerës së D-dimerëve. Testet aktuale të D-dimerëve në përdorim, të cilat japin rezultate sasiore, bëhen domosdoshmërisht në laboratorë ku vlerësimi i rezultateve bëhet nga një specialist për biokimi mjekësore ose transfuziolog.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.4 të botimit elektronik të revistës BETTY (JANAR 2020).