SË BASHKU MË TË FORTË
SHOQATA E MBËSHTETJES PËR NJERËZIT
QË JETOJNË ME HIV SHKUP
|
Disa fakte themelore në lidhje me trajtimin e infeksionit HIV
Kur HIV, virusi i mungesës së imunitetit njerëzor, u zbulua në fillim të viteve 1980, ai shkaktoi tmerr dhe frikë të vërtetë në të gjithë botën. Ky infeksion viral manifestohej si një sindromë e mungesës së fituar të imunitetit, e njohur shkurt si AIDS, që rrjedh nga gjuha frënge.
Termi AIDS u bë sinonim i sëmundjes më të tmerrshme që mund ta prekte dikë. Në të njëjtën kohë, ky term, si vetë sëmundja, sillte ndërmend dhe lidhej me diçka të ndyrë dhe të pamoralshme, që si pasojë krijoi perceptimin se kjo mund t'u ndodhte vetëm njerëzve me një mënyrë jetese "të pahijshme".
Megjithëse u kuptua shpejt se çdokush mund të prekej, paragjykimet dhe stigmatizimi lidhur me sëmundjen mbizotëronin edhe më tej. Ata edhe sot e kësaj dite parandalojnë shumë njerëz nga testimi për HIV dhe kontrolli i gjendjes së tyre në lidhje me HIV.
Ndërkohë, shkenca ka bërë hapa të mëdhenj në trajtimin e këtij infeksioni, kështu që prej kohësh po trajtohet thjesht si një sëmundje kronike që mund të menaxhohet me sukses me ndihmën e terapisë. Fatkeqësisht, shpesh duket se shumë prej këtyre arritjeve nuk janë ende të njohura sa duhet për publikun.
Nuk ka shërim për infeksionin me HIV, por ekziston një trajtim i suksesshëm
Shumë studiues në të gjithë botën po merren me sfidën për të gjetur një shërim që mund të përjashtojë plotësisht virusin HIV nga trupi i njeriut ose të paktën ta shtypë atë përgjithmonë. Megjithëse po provohen qasje të ndryshme, duket se ende jemi larg qëllimit, nga i cili do të përfitonin rreth 38 milion njerëz në botë.
Ndërkohë, njerëzit që jetojnë me virusin HIV përdorin të ashtuquajturën terapi antiretrovirale, e cila zakonisht përbën një kombinim të 3 barnave që kanë ndikim te virusi. Kombinimi i 3 barnave pengon procesin e shumëzimit të virusit, kështu që ai vdes dhe përqendrimi i tij në gjak zvogëlohet në mënyrë dramatike. Rreth 3 muaj pasi një pacient me HIV fillon trajtimin, sasia e virusit HIV në gjak bëhet aq e ulët sa nuk mund të matet me teste rutinë të PCR-së dhe ky nivel i virusit quhet i pazbulueshëm. Për sa kohë që pacienti merr terapi të rregullt, niveli i virusi në gjak do të mbetet në nivel të pazbulueshëm. Kjo gjendje lejon që sistemi imunitar i njeriut të rigjenerohet dhe të rifitojë funksionin e tij për të mbrojtur trupin nga shkaktarë të tjerë të sëmundjeve. Si rezultat, njerëzit me HIV mund të jetojnë jetë plotësisht normale, ashtu si njerëzit pa HIV. Gjithashtu, sot nuk pritet që njerëzit me HIV të kenë ulje të jetëgjatësisë ose cilësi më të dobët të jetës si pasojë e infektimit të tyre.
Është interesante që kjo nuk është aspak një njohuri e re. Ilaçi i parë antiretroviral u miratua në vitin 1987 dhe terapia e kombinuar e suksesshme është në përdorim që nga viti 1996 në mbarë botën. Në Maqedoni u vu në përdorim në vitin 2005 dhe është plotësisht falas për të gjithë njerëzit me HIV.
Barnat për HIV janë zakonisht në formë pilule dhe sot shumica e pacientëve marrin vetëm një pilulë një herë në ditë, e cila përmban të tre barnat nga terapia e kombinuar.
Një nivel i pazbulueshëm i virusit do të thotë që virusi nuk mund të transmetohet
Mjekët dhe shkencëtarët e kanë ditur prej kohësh që kur njerëzit me HIV marrin terapinë e tyre dhe kanë nivel të pazbulueshëm të virusit në gjak, gjasat që virusi të transmetohet tek një person tjetër përmes marrëdhënieve seksuale zvogëlohen në mënyrë drastike. Por pasi u krye studimi i madh ndërkombëtar PARTNER (pjesa e parë midis viteve 2010 dhe 2014), u vërtetua se këto gjasa janë praktikisht zero. Sot është e pranuar gjerësisht që HIV nuk mund të transmetohet përmes marrëdhënieve seksuale nga një person që ka nivel të pazbulueshëm të virusit në gjak dhe merr trajtim të rregullt. Vetëm në pjesën e parë të studimit, morën pjesë rreth 900 çifte, ku njëri partner ishte HIV pozitiv dhe merrte terapi, kurse tjetri ishte HIV negativ, dhe këta çifte nuk përdorën prezervativ gjatë marrëdhënieve seksuale. Edhe pas 4 vitesh ndjekje, nuk u regjistrua asnjë rast i vetëm i transmetimit të HIV nga një partner HIV pozitiv, të cilit i ishte shtypur virusi falë terapisë së rregullt.
Gratë shtatzëna mund të parandalojnë kalimin e virusit tek foshnjat e tyre
Terapia antiretrovirale gjithashtu mund të parandalojë transmetimin e virusit HIV nga një nënë HIV pozitive tek fëmija i saj në lindje. Për të parandaluar mundësinë e transmetimit, është ideale që një grua shtatzënë të fillojë terapinë për HIV të paktën 6 muaj para lindjes. Për këto arsye, gjinekologët amë duhet t'i shpjegojnë gruas shtatzënë përfitimet e zbulimit dhe trajtimit të hershëm të infeksionit të mundshëm me HIV dhe ta inkurajojnë atë të bëjë një test për HIV në tre muajt e parë të shtatzënisë. Testi për HIV, si të gjitha ndërhyrjet e tjera mjekësore, duhet të bëhet mbi baza vullnetare.
Disponueshmëria e një terapie efektive për infeksionin me HIV, e cila mundëson funksionimin normal të trupit të njeriut, një jetë të gjatë dhe cilësore për njerëzit me HIV dhe parandalon transmetimin e mëtejshëm të virusit, do të thotë se nuk ka arsye të mirëqena për frikën nga testimi për HIV. Në Maqedoni, ku transmetimi i virusit HIV regjistrohet pothuajse ekskluzivisht përmes marrëdhënieve seksuale pa prezervativ, testi për HIV duhet të jetë pjesë e kujdesit për shëndetin personal të çdo personi seksualisht aktiv.
Në fund, kujtojmë që virusi HIV mund të transmetohet përmes marrëdhënieve seksuale (kryesisht vagjinale dhe anale) pa mbrojtje, gjatë përdorimit të përbashkët të gjilpërave për injektim të drogës ose instrumenteve të tjera të pa sterilizuara për ndërhyrje të lidhura me gjak, si dhe nga një nënë HIV pozitive tek fëmija i saj, gjatë shtatzënisë, lindjes ose ushqyerjes me gji. Virusi HIV mund të transmetohet nga vetëm 5 lëngje trupore: gjaku, sperma dhe lëngu para ejakulimit, sekrecionet vagjinale dhe qumështi i gjirit. Prandaj, ndryshe nga viruset e frymëmarrjes siç është KOVID-19, HIV nuk mund të transmetohet përmes kontakteve shoqërore, përqafimit, puthjes, prekjes ose përdorimit të përbashkët të takëmeve të ngrënies.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.4-5 të botimit elektronik të revistës BETTY (DHJETOR 2020).