Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

11 Mars 2021 – Dita botërore e veshkës

March 1, 2021

Mr. Dushko Gjorgjiev, Kryetar
Shoqata e qytetarëve të sëmurë nga veshkat
NEFRON - Shkup

|



Dita Botërore e Veshkës World Kidney Day është ngjarja më e njohur në botë që fokusohet në rëndësinë e shëndetit të veshkave. Kjo ditë shënohet çdo vit të enjten e dytë të marsit, në më shumë se 200 vende të botës në të gjitha kontinentet.

Maqedonia, nëpërmjet aktiviteteve të Shoqatës së qytetarëve të sëmurë nga veshkat Nefron, që nga viti 2007 i është bashkuar fushatës mbarëbotërore të organizatave ndërkombëtare ISN dhe IFKF World Kidney Day dhe që atëherë, në bashkëpunim me shoqatat profesionale mjekësore, institucionet, pacientët dhe mediet në vendin tonë, po kryejnë aktivitete për ngritjen e vetëdijes publike për sëmundjet kronike të veshkave për parandalimin, diagnostikimin, trajtimin dhe ballafaqimin me sëmundjen. Çdo vit, fushata botërore fokusohet në një temë specifike që lidhet me sëmundjen kronike të veshkave, ndërsa në vitin 2021 slogani i fushatës është: “Jetoni në mënyrë cilësore me sëmundjen e veshkave”.

Sëmundjet e veshkave janë sëmundje jongjitëse që aktualisht prekin mbi 850 milion njerëz në mbarë botën. Një nga dhjetë të rritur ka një formë të sëmundjes kronike të veshkave. Në nivel global, SKV (Sëmundja kronike e veshkave) rritet çdo vit dhe parashikohet se në vitin 2040 do të jetë sëmundja e pestë si shkak i vdekshmërisë nga viti në vit. Edhe në Maqedoni, sipas statistikave, 1 nga 10 të rritur ose rreth 200 000 qytetarë kanë një formë të sëmundjes së veshkave. Në fazën përfundimtare të sëmundjes (faza e 5-të) kur është e nevojshme të aplikohet terapi renale zëvendësuese, trajtohen 1600 pacientë me dializë në 23 qendra të dializës në të gjithë vendin.



Dializa është metoda më e zakonshme në vendin tonë për trajtimin e fazës përfundimtare të sëmundjes së veshkave, kur të dy veshkat nuk mund të kryejnë më funksionet që janë jetike për trupin. 1600 njerëz vazhdojnë jetën e tyre çdo të dytën ditë falë dializës.  Ata kalojnë 4-5 orë në një qendër dialize ku gjaku pastrohet nga të gjitha helmet dhe uji i tepërt nga trupi me ndihmën e aparatit të dializës. Trajtimi me dializë është i rëndë dhe rraskapitës për pacientët. Sidomos ngaqë pacienti duhet të përshtatet me një rutinë të re të jetës dhe të ndryshojë shumë nga aktivitetet dhe zakonet e veta, duke mësuar që të jetojë me kufizime të shumta. Vizitat e dializës janë të fiksuara, të shpeshta, zgjasin shumë dhe nuk duhet të humben. Çdo të dytën ditë pacienti në dializë “blen” kohë për të jetuar, duke u dializuar 4 - 5 orë për t'i shtuar jetës edhe 48 orë të tjera.

Megjithëse metoda më optimale e trajtimit të sëmundjes së veshkave është transplantimi i veshkave, në vendin tonë nuk përdoret sa duhet. Transplantimi i veshkave nga një donator i gjallë ose nga një kufomë është procedurë komplekse mjekësore, ku në trupin e personit të sëmurë “mbillet” organi nga një person tjetër. Donatori mund të jetë anëtar i familjes ose një i panjohur, kur me “dhurim organesh” trupat e personave të vdekur me vdekje klinike transplantohen në trupin e të tjerëve për t'u shpëtuar jetën.

Nëse dhurimi i organeve do të ishte më i zhvilluar dhe do të kryheshin më shumë transplantime, më shumë njerëz me sëmundje të veshkave do të mund të jetonin më denjësisht dhe më cilësisht. Pacienti me transplantim rehabilitohet, mund t'u kthehet obligimeve të përditshme, të kontribuojë në familje dhe shoqëri, nuk është “i lidhur me një aparat” dhe mund të udhëtojë ku të dëshirojë. Cilësia e jetës te pacientët me sëmundje kronike të veshkave ndryshon në varësi të karakterit të tyre, mjedisit, atmosferës familjare dhe sëmundjeve të tjera shoqëruese.

Sëmundja kronike e veshkave (SKV) është një sëmundje e rrezikshme dhe e heshtur që më shpesh diagnostikohet vonë. Sëmundjet e veshkave mund të parandalohen dhe të trajtohen nëse zbulohen në kohë. Me diagnozën në kohë dhe trajtimin adekuat mund të shtyhet ose shmanget ardhja e fazës së pestë dhe përfundimtare të sëmundjes. Prandaj i bëjmë thirrje çdo personi që të paktën një herë në vit të kontrollojë funksionin e veshkave. Ajo kryhet përmes testeve të thjeshta të gjakut dhe urinës (matja e vlerave të uresë dhe kreatininës). Ky kontroll mund të bëhet nga mjeku amë përmes analizave në çdo laborator. Vlera e kreatininës në botë deri më tani është treguar të jetë shënuesi më i mirë për matjen e funksionit të veshkave.

Shumica e njerëzve nuk kanë simptoma derisa sëmundja kronike e veshkave të përparojë. Njeriu mund të humbasë deri në 90% të funksionit të veshkave pa ndjerë asnjë shenjë ose dhimbje. Kjo është arsyeja pse kjo sëmundje njihet edhe si “vrasësi i heshtur i organizmit”. Tensioni i lartë i gjakut dhe diabeti janë shkaktarët më të zakonshëm të fillimit të sëmundjes së veshkave tek të rriturit.



Duke iu përgjigjur disa pyetjeve të thjeshta mund të zbuloni nëse jeni në rrezik të zhvilloni sëmundje kronike të veshkave:

*** Nëse përgjigjeni me PO në më shumë se një pyetje, sigurohuni që të konsultoheni me mjekun amë për të kontrolluar veshkat tuaja!



Sido që të jetë, parandalimi i sëmundjes së veshkave është i mundur me ndihmën e një mënyre të shëndetshme të jetës dhe të ushqyerit, e cila mund të praktikohet që nga mosha më e hershme. Ekzistojnë 8 rregulla të arta që zvogëlojnë rrezikun e sëmundjes kronike të veshkave dhe këto janë:

  1.     1 . Jini aktiv dhe ushtroni

  2.     2 . Kontrolloni rregullisht sheqerin në gjak

  3. Matni dhe rregulloni presionin e gjakut

  4. Hani shëndetshëm dhe kontrolloni peshën tuaj trupore

  5. Pini lëngje të mjaftueshme, sidomos ujë

  6. Mos pini duhan

  7. Mos merrni ilaçe sipas kokës suaj

  8. Të paktën një herë në vit kontrolloni funksionin e veshkave tuaja.


Simptomat që mund të tregojnë fillimin e sëmundjes janë kyçet e fryra të këmbëve, lodhja, vështirësisë në përqendrim, ulja e oreksit, gjaku në urinë ose urina e shkumëzuar.  Diagnoza në kohë e sëmundjes do të kontribuojë në përballimin e suksesshëm dhe vonimin ose ndalimin e përparimit të saj. Prandaj, mendoni rregullisht për veshkat tuaja dhe kujdesuni për to ndërsa janë të shëndetshme, sepse ato janë një nga organet vitale pa të cilat nuk mund të jetoni normalisht.

Çdo gjë tjetër është vetëm “përshtatje” me një sëmundje që do t'ju përcaktojë në masë të madhe pjesën e mbetur të jetës.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.4-5 të botimit elektronik të revistës BETTY (MARS 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>