|
Për çdo vit, vendet në mbarë botën festojnë Ditën Botërore të dhurimit të gjakut më 14 qershor. Përmes një sërë aktivitetesh të organizuara në këtë ditë, dëshirojmë të falënderojmë dhuruesit vullnetarë të gjakut dhe të ndërgjegjësojmë publikun për nevojën e dhuruesve të rregullt të gjakut, me qëllim të sigurimit të gjakut të sigurt, të arritshëm dhe cilësor për pacientët në nevojë.
Theksi i fushatës së sivjetshme është dhurimi i gjakut si një akt solidariteti, që nxjerr në pah vlerat themelore njerëzore - altruizmin, respektin, dhembshurinë dhe mirësinë.
Ideja është që të përqendrohemi në kontributin që secili dhurues mund të japë në përmirësimin e shëndetit të të tjerëve në komunitet. Njësitë e dhuruara të gjakut janë të nevojshme për të siguruar që individët dhe komunitetet të kenë qasje në gjak dhe produkte të sigurta të gjakut, si në jetën e përditshme ashtu edhe në raste urgjente. Përmes fushatës dhe motos “
Gjaku i sigurt shpëton jetë. Dhuroni gjak - bëjeni botën një vend më të shëndetshëm për të jetuar“, u bëjmë thirrje njerëzve në mbarë botën që të bëhen shpëtimtarë të jetëve përmes aktit të dhurimit të gjakut dhe të dhurojnë gjak rregullisht.
Dhurimi vullnetar i gjakut dhe shpëtimi i jetës së dikujt, i nxitur nga motive altruiste, është një vepër fisnike dhe pasqyrim i vlerave të larta etike, humanitare dhe morale. Duke dhënë gjak, dhuruesi shpreh shkallën më të lartë të solidarizimit me të gjithë ata që kanë nevojë, pavarësisht nga mosha, gjinia, raca, ngjyra, kombësia ose feja. Dhurimi i gjakut zhvillon sjelljen e njerëzishme dhe solidaritetin midis qytetarëve, ndërsa veçanërisht në mesin e të rinjve, kontribuon në ngritjen e nivelit të kulturës shëndetësore dhe ngritjen e vetëdijes së qytetarëve. Prandaj motivimi i popullatës për dhurim vullnetar të gjakut është jashtëzakonisht i rëndësishëm në drejtim të ndërtimit të një qëndrimi pozitiv ndaj dhurimit të gjakut.
Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Instituti i Mjekësisë së Transfuzionit, përmes motivimit dhe frymëzimit për dhurim vullnetar të gjakut dhe përmes veprimtarisë së planifikuar, masive dhe të vazhdueshme sigurojnë sasitë e nevojshme të gjakut dhe produkteve të gjakut (55,000 njësi të gjakut), ngrisin vetëdijen e qytetarëve për rëndësinë dhe domethënien e dhurimit të gjakut dhe kryejnë veprimtari të synuar shëndetësore-edukative dhe motivuese.
Programi për organizimin dhe përparimin e dhurimit të gjakut në RMV dhe Ligji për siguri në furnizimin me gjak zbatohen përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe të përhershëm me Institutin e Mjekësisë së Transfuzionit, ndërsa shumica e aktiviteteve realizohen nga ekipi i përbashkët i koordinimit, i cili punon në planifikimin dhe organizimin e aksioneve për dhurimin e gjakut, mbikëqyr dhe koordinon të gjitha aksionet e dhurimit të gjakut të parashikuara në Planin vjetor integral dhe ofron këshilla dhe rekomandime të ekspertëve për organizatat komunale të Kryqit të Kuq dhe shërbimet e mjekësisë së transfuzionit.
Për promovimin e suksesshëm të dhurimit vullnetar të gjakut, Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë përgatit vazhdimisht materiale propagandistike, ceremoni mirënjohjeje për dhuruesit e gjakut, zhvillon sondazhe, organizon ligjërata, tribuna dhe fushata me grupe të ndryshme të synuara, organizon seminare edukative dhe punëtori për edukimin e motivuesve për dhurim vullnetar të gjakut, zhvillon aktivitete në përputhje me Strategjinë për dhurimin e gjakut, mban regjistrime elektronike dhe me shkrim për dhuruesit e gjakut dhe përgatit raporte mujore, periodike dhe vjetore.
Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut i kushton vëmendje të veçantë punës vullnetare të klubeve të dhuruesve të gjakut, me qëllim mobilizimin e një numri të madh të dhuruesve të gjakut, të cilët informohen rregullisht për të gjitha aktivitetet dhe problemet me të cilat përballen në fushën e dhurimit të gjakut. Aktivitetet e Klubit 25 - klubi i dhuruesve të rinj dhe të mundshëm të gjakut janë gjithashtu të njohura. Klubi 25 zhvillon aktivitete për të rritur numrin e dhuruesve të rinj, për t'i rekrutuar dhe mbajtur siç duhet në procesin e dhurimit të gjakut dhe për të krijuar një rrjet të dhuruesve të rinj të gjakut, me qëllim promovimin dhe motivimin e dhuruesve të rinj të gjakut në institucionet arsimore.
Një hap përpara në procesin e promovimit të dhurimit të gjakut në territorin e qytetit të Shkupit përbën edhe hapja e Qendrës së dhurimit të gjakut. Përvojat pozitive nga puna e Qendrës ditore ndihmojnë në mbarëvajtjen e mëtejshme, afirmimin e saj, dhurimin e gjakut në baza vullnetare, organizimin e një numri aktivitetesh promovuese dhe aksioneve për dhurimin e gjakut, të cilat tashmë janë të njohura për qytetarët e Shkupit dhe dhuruesit e gjakut.
Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.4-5 të botimit elektronik të revistës BETTY (QERSHKOR 2020).