|
d-r Kosta Cvetkovic
spec. dermatovenereolgjisë
Dermatiti atopik është një sëmundje e trashëguar, kronike, inflamatore, e përsëritur e lëkurës, që karakterizohet nga skuqja dhe një ndjenjë subjektive e kruajtjes së fortë. Një emër tjetër karakteristik i kësaj sëmundjeje është ekzema, por ky term në popull shoqërohet më shpesh me paraqitjen e simptomave të njëjta në duar. Në më shumë se 90% të rasteve, simptomat e para shfaqen në vitin e parë të jetës, ndërsa në 75% deri në vitin e tretë të jetës. Ekziston edhe një formë e ashtuquajtur “e rritur“ ku simptomat e atopisë shfaqen në periudhat e mëvonshme të jetës. Dallimi midis formës foshnjore, adoleshente dhe të rritur është në intensitetin dhe shpërndarjen e simptomave. Në aspektin e përfaqësimit gjinor, gratë kanë më shumë të ngjarë të zhvillojnë atopi sesa burrat.
Kjo sëmundje është një kompleks apo sindromë e tërë ku nuk preket vetëm lëkura, prandaj si e tillë ajo trajtohet gjatë gjithë jetës. Nuk është sëmundje vdekjeprurëse, por mund të ndikojë shumë në cilësinë e jetës së këtyre individëve dhe shpesh kërkon trajtim multidisiplinor. Karakterizohet nga paraqitja e zonave të thata në lëkurën e kokës, ballit, fytyrës, si dhe në anët e brendshme të gjymtyrëve të sipërme dhe të poshtme. Shpesh fryhen si fshika nga ku rrjedh një lëng i tejdukshëm. Foshnjat dhe fëmijët e vegjël shpesh mund të shihen duke u fërkuar kundër sipërfaqeve të ashpra për të lehtësuar kruajtjen. Për këtë shkak, në lëkurë shfaqen plasaritje (çarje), të cilat janë portë për shumë infeksione, por edhe një dukuri shoqëruese e dermatitit atopik.
Te pacientët me rrjedhë kronike të sëmundjes dhe të cilët kanë vite që e administrojnë atë, lëkura në vendet e prirura është shpesh e trashur dhe mund të kruhet, pavarësisht nëse bëhet fjalë për një episod të përkeqësimit të sëmundjes apo jo. Përveç simptomave të lëkurës, këta pacientë janë të prirur ndaj astmës, si dhe alergjive ndaj alergjenëve të ndryshëm që përkeqësojnë më tej pasqyrën dermatologjike dhe janë 100% të pranishëm/përgjegjës për sulmet e reja të atopisë, kruajtjes dhe sikletit. Është më e zakonshme në pranverë kur alergjenët e ajrit janë më të përhapur, si dhe në qytetet që kanë shkallë më të lartë të ndotjes së ajrit.
Dermatiti atopik në një përqindje të madhe të rasteve është pjesë e asaj që ne dermatologët e quajmë “predispozitë atopike“. Ky term përmbledh gjithashtu simptoma të tjera kongjenitale, përveç vetë dermatitit atopik. Këtu përfshihen rinititi alergjik shpesh i përsëritshëm, konjunktiviti alergjik dhe astma. Është e rëndësishme të theksohet se dermatiti atopik nuk është një sëmundje ngjitëse e as pasqyrë e higjienës.
Trajtimi i sëmundjes zhvillohet më shumë në drejtim të menaxhimit dhe ndryshimit të stilit të jetesës sesa kah marrja e ndonjë lloj terapie të rregullt. Mjekimi është i domosdoshëm dhe më shpesh simptomatik. Trajtohet kruajtja, thatësia dhe skuqja, si dhe komorbiditetet e mundshme, si infeksionet bakteriale ose fungale. Preparatet kortikosteroide dhe inhibitorët topikë të kalcineurinës përdoren si hapi i parë i trajtimit. Ato kryejnë imunosupresion, duke lehtësuar kështu simptomat e inflamacionit, që është mekanizmi themelor në etiopatogjenezën e kësaj sëmundjeje.
Siç përmenda më parë, infeksionet dytësore janë të zakonshme dhe në këtë rast, trajtimi i të njëjtave kryhet me anë të antibiotikëve/antimikotikëve që aplikohen në mënyrë topikale ose sistematike, në varësi të intensitetit të vetë infeksionit. Ekzistojnë gjithashtu metoda alternative për trajtimin e simptomave të dermatitit atopik. Këtu do të doja të përmend banjat në varikinë të tretur, që ka veprim antibakterial, vajrat e kokosit, që kanë efekt qetësues dhe antimikrobik në lëkurë, si dhe terapinë me probiotikë, e cila vërteton teorinë që dermatiti atopik përkeqësohet si pasojë e trazimit të mikroflorës natyrore.
Menaxhimi i sëmundjes është pjesa më e rëndësishme e trajtimit, ku pacientit i jepen udhëzime specifike për dietën, llojin e materialeve të rrobave, alergjenët që duhen shmangur, aktivitetet që zvogëlojnë stresin dhe të ngjashme. Rekomandohen materialet natyrore, veçanërisht prej pambuku, ngaqë janë selektive dhe nuk lejojnë që grimcat të arrijnë në lëkurë, duke lejuar që lëkura të marrë frymë normalisht. Gjendja emocionale e këtyre pacientëve ndikon shumë në sulmet e kruajtjes. Disiplina e pacientit dikton suksesin e trajtimit dhe rezultatin e simptomave.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f. 24-25 të botimit elektronik të revistës BETTY (QERSHKOR 2020).