Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

ZHVILLIMI I PAVARËSISË TE FËMIJËT

June 1, 2020

|

prof. d-r Slagjana Angjelkoska
psikolog



Çdo prind dëshiron dhe përpiqet që fëmija i tij të jetë i lumtur dhe për ta arritur këtë, prindërit janë të gatshëm të heqin dorë edhe nga lumturia e vet. Për të pasur një fëmijë të lumtur, ai duhet të mësojë të përjetojë gëzim dhe të mësojë të shikojë problemet e jetës nga një këndvështrim optimist.

Gjatë jetës së tyre njerëzit e gjejnë shpesh veten në situata të paparashikuara, me të cilat duhet të përballen dhe që ndonjëherë i detyrojnë të marrin vendime të shpejta dhe të palëkundshme. Me situata të tilla mund të ballafaqohen vetëm njerëzit që janë të pavarur dhe të sigurt në veten e tyre dhe vendimet e marra.

Pavarësia është një nga cilësitë më të rëndësishme në jetën e të gjithë njerëzve dhe si e tillë, ajo duhet të zhvillohet dhe të ushqehet te fëmijët që në moshë të re. Pavarësia është një nga veçoritë themelore dalluese të çdo personi.

Siç është aftësia për të zhvilluar të folurit, e cila ndonëse e lindur, duhet të zhvillohet dhe të ushqehet, po ashtu është edhe aftësia për të zhvilluar pavarësi. A do të jetë fëmija ynë i pavarur apo jo varet nga sa i keni mundësuar që ta zhvillojë atë pavarësi.

Çdo prind duhet ta njohë fëmijën e vet, si dhe nevojat, aftësitë dhe interesat e tij. Prindi duhet të dijë se fëmija që në moshë të vogël ka nevojë për pavarësi dhe se pavarësia duhet të ushqehet. Fëmija nuk mund të jetojë pa praninë e të rriturve, por nga dita në ditë gjithnjë e më shumë fiton forcë dhe ndërton përvoja personale. Si rrjedhojë, sa vjen e i shtohet dëshira për t'u bërë i pavarur dhe për t'u shkëputur nga prania e të rriturve.

Që në moshë të vogël, fëmija fillon të plotësojë nevojën për pavarësi me atë që fillon të ushqehet vetë, të vishet vetë, të ecë vetë. Fëmija është këmbëngulës në ndërtimin e asaj pavarësie. Ndonjëherë ndodh që, sapo fillon të ecë, fëmija e largon dorën e prindit dhe thjesht dëshiron të ecë pa e mbajtur njeri. Pasi ta bëjë këtë, fëmija kthehet te vendi prej ku është nisur, duke ecur me krenari dhe si fitimtar, me çka i dëshmon prindit që mund të ecë vetë. Në vitin e dytë të jetës, fëmija nuk fillon të hajë derisa t’i jepet lugë për të ngrënë vetë. Këta dhe shembuj të tjerë vërtetojnë se dëshira për pavarësi është e pranishme te fëmija që në moshë shumë të vogël.

Fëmija dëshiron të provojë aftësitë e tij, të bëjë diçka vetëm e kur ia del mbanë, ai ndjehet i lumtur dhe i kënaqur dhe dëshiron të lavdërohet. Kur lind, fëmija nuk është i vetëdijshëm për veten e tij, nuk di të bëjë dallimin midis vetes dhe mjedisit që e rrethon. Por dalëngadalë, gjatë viteve të para të jetës ai fillon të zbulojë veten, mjedisin dhe personalitetin e tij, si dhe të krijojë unin e vet. Fëmija e zhvillon vetëdijen për veten përmes aktiviteteve dhe veprimeve të ndryshme, duke gjetur vazhdimisht mënyra për ta provuar veten para prindërve, me qëllim që ta lavdërojnë.

Ne nuk e edukojmë fëmijën vetëm kur i kushtojmë vëmendje të veçantë, kur flasim ose luajmë me të, por edhe kur nuk jemi me të dhe afër tij; prindërit e edukojnë fëmijën me vetë mënyrën e jetës dhe sjelljen e  tyre. Fëmija sheh, pranon dhe ndjen gjithçka që ndodh në familje. Çdo çast i jetës lë gjurmë te fëmija dhe i jep drejtim mënyrës së jetës dhe zhvillimit të tij. Nëse në familje mbizotëron një atmosferë e qetë dhe e lumtur, nëse fëmija lejohet të luajë dhe të argëtohet lirisht, kjo do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e tij. Në të kundërt, mungesa e organizimit të mirë të jetës familjare dhe shembulli i keq që prindërit u japin fëmijëve të tyre do të pasqyrohet negativisht në zhvillimin e fëmijës. Nga e gjithë kjo rrjedh se nga një atmosferë e mirë-organizuar familjare varet edhe zhvillimi i pavarësisë së fëmijëve.

Nëse prindi vëren se fëmija ka dëshirë të bëjë diçka vetë, është mirë ta lejojë ta bëjë. Ndër dëshirat e para për pavarësi te fëmija janë të hajë vetë, të vishet vetë, të marrë gotën dhe të pijë vetë. Shumë shpesh prindërit humbasin durimin kur shohin që fëmija në përpjekjen e parë për të ngrënë vetë derdh gjysmën e ushqimit ose kur fëmija vishet i nevojitet shumë kohë, por sado të mërziten nga ngathtësia e fëmijës, prindërit duhet të bëjnë çmos që ta përmbajnë veten dhe të mos e shtypin dëshirën e fëmijës për pavarësi. Çdo gjë që duket e thjeshtë për prindin është shumë e ndërlikuar për fëmijën.

Gjatë zhvillimit të pavarësisë së fëmijëve, prindërit duhet të nisen nga mundësitë dhe forca e fëmijës dhe hap pas hapi ta udhëheqin fëmijën nga format më të thjeshta dhe më të ulëta të punës së pavarur, deri në gjëra më të ndërlikuara dhe të vështira.

Prindërit duhet të nxisin vetë-iniciativën e fëmijës, dëshirën e fëmijës për të ndërmarrë hapa të caktuar drejt diçkaje, ta përkrahin fëmijën dhe t'i mbjellin vetëbesimin dhe besimin në forcën dhe aftësitë e veta.

Duke pavarësuar fëmijën, duke e parë se si ecë i sigurt nëpër jetë, na bën të lumtur dhe të kënaqur, sepse për prindin nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të rrisë një fëmijë të pavarur, të guximshëm dhe të vendosur, që di se çfarë dëshiron, që di se si ta arrijë atë që do, që ka vullnet të çeliktë dhe karakter të paepur.

LOJA NË ZHVILLIMIN E FËMIJËVE



Në periudhën nga 3 deri në 7 vjeç, aktiviteti kryesor i fëmijëve është loja. Prandaj  fillimi i zhvillimit të pavarësisë së fëmijëve është përmes lojës. Në të, fëmija ka mundësitë më të mëdha për të zhvilluar shkathtësitë, dijen, përvojën, unin e tij, si dhe për ta zhvilluar dhe për të shprehur pavarësinë e tij.

Loja është një lloj shkolle ku fëmija zhvillon dhe shton forcën e tij, formon tiparet e karakterit, formon personalitetin e tij dhe mëson të jetë i pavarur. Për këtë shkak, fëmija duhet të pajiset me një vend në shtëpi, ku mund të luajë lirshëm; t'i jepet lodra, të lejohet të luajë me grupe fëmijësh. Ndonëse edhe në lojë prindi duhet t'i japë fëmijës njëfarë ndihme, t’i japë udhëzime, ndërsa në ndonjë lojë duhet të marrë pjesë edhe vetë. Me pjesëmarrjen në lojë, prindi duhet ta inkurajojë fëmijën të përmbushë qëllimet dhe të arrijë një shkallë më të lartë të vetë-iniciativës.

Për udhëheqje të duhur të fëmijës përmes lojës, është shumë e rëndësishme zgjedhja e lodrave. Fëmija nuk duhet të ketë shumë lodra sepse vëmendja e tij do të kalojë nga njëra tek tjetra, por as nuk duhet të lihet pa lodra. Nëse fëmija nuk ka lodra apo materiale për të luajtur, loja do t'i duket e mërzitshme, monotone dhe kjo do të parandalojë zhvillimin e imagjinatës dhe mendimeve të tij. Kukullat, arinjtë prej pelushi, kubet, plastelinat, ngjitëset, kartoni për prerje, pëlhurat dhe të ngjashme, të gjitha këto duhet të jenë të pranishme midis lodrave të fëmijëve. Në këndin fëmijëror duhet t’i lejojmë fëmijës të ndjehet i lirë, i pavarur, i vetëmjaftueshëm dhe të mos shqetësojë askënd. Kur e gjithë kjo t'i mundësohet fëmijës, prindi i jep atij mundësinë të bëjë zgjedhje të pavarura në lojë, të dijë të parashtrojë problemin dhe të gjejë zgjidhjen, të zhvillojë të menduarit e pavarur e kështu me rradhë. E gjithë kjo është e rëndësishme për zhvillimin e pavarësisë te fëmijët.

Ja një shembull se si loja ndikon pozitivisht në zhvillimin e pavarësisë së fëmijëve.



Nikolla është katër vjeç; ai mori një tren me binarë si dhuratë. Në fillim mësoi të vendoste lokomotivat. Më pas iu desh të mësonte të vendoste binarët, por kjo nuk ishte e lehtë, meqë binarët duhej të merrnin formën e përshtatshme që të mund të kalonte treni përgjatë tyre. Pas disa përpjekjesh, ai kërkoi ndihmë nga babai i tij, i cili i tregoi se si të lidhte binarët. Babai u tërhoq që Nikolla të mund të vazhdonte vetë atë që kishte filluar, por Nikollës përsëri nuk i ecte lehtë dhe duke qarë e thërriti përsëri babanë e tij.

Këtë herë, kërkesës së fëmijës që babai t'i rregullonte të gjithë hekurudhën, babai iu përgjigj me fjalët "Mund ta bësh vetë, le të shohim se ku është gabimi". Në këtë mënyrë, babai e inkurajoi fëmijën, gjetën së bashku gabimin, ndërsa fëmija e korrigjoi vetë dhe e vendosi hekurudhën. Më pas, pranë hekurudhës fëmija ndërtoi një stacion nga kubet dhe vendosi kukulla në vend të udhëtarëve. Si përfundim, fëmija e ndërtoi vetë lojën me ndihmën e imagjinatës.

Nga kjo mund të konkludohet se prindërit përmes lojës mund të nxisin zhvillimin e imagjinatës te fëmija, ta ndihmojnë atë në lojë për të arritur qëllimin, ta inkurajojnë të këmbëngulë në zbatimin e vendimeve të marra, ta inkurajojnë që të kërkojë në mënyrë të pavarur mjetet dhe mënyrat në lojë dhe të fuqizojnë pavarësinë e tij dhe besimin në forcën e vet.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.20-21 të botimit elektronik të revistës BETTY (QERSHKOR 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>