Dr. Natasha Naumoska
Specialiste për protetikë dentare
Ordinanca dentare IN DENT - Shkup
|
Me humbjen e një ose më shumë dhëmbëve në zgavrën e gojës, ndodhin çrregullime të rënda në funksionimin e tërë organizmit. Pacientët kanë probleme me përtypjen, të folurit, estetikën, por mund të shfaqen probleme edhe me qiellzën dhe nyjën temporomandibulare (të nofullës).
Prandaj është i domosdoshëm rregullimi në kohë i dhëmbëve dhe të bëhet zëvendësimi i dhëmbëve të humbur me kurora (ura) ose implante dentare.
Cila është zgjidhja më e mirë, implanti apo kurora dentare?
Implantet dentare janë një mënyrë moderne dhe efektive për të zëvendësuar dhëmbët e humbur dhe janë krijuar për të imituar dhëmbët e vërtetë. Materialet nga të cilat ndërtohen implantet janë kryesisht me bazë titani dhe janë plotësisht të përputhshme biologjikisht. Implantet janë në të vërtetë një zëvendësim për rrënjën e dhëmbit dhe vendosen në asht për të formuar themelin e dhëmbit të ardhshëm.
Megjithatë, sëmundjet kronike si diabeti dhe leuçemia mund të ndërhyjnë në shërimin e suksesshëm të implantit në asht. Pacientët që nuk mbajnë higjienë të mirë të gojës dhe duhanpirësit janë gjithashtu kandidatë të papërshtatshëm për implante.
Urat dhe kurorat prej porcelani ose qeramike përdoren gjithashtu për të plotësuar hapësirat boshe midis dhëmbëve të humbur. Formimet e urave lidhen për dhëmbët natyralë. Këta dhëmbë fillimisht duhet të gdhenden me qëllim që të zvogëlohet madhësia e tyre dhe të sigurohet hapësirë e mjaftueshme për punimin e mëvonshëm të protezës. Materiali nga i cili punohen mund të jetë porcelan në një skelet metalik ose për estetikë më të lartë, veçanërisht në radhën e përparme, implantet mund të bëhen tërësisht prej porcelani. Ata janë më të afërt me dhëmbët tuaj natyralë për nga pamja.
Sidoqoftë, dentisti do të përcaktojë më së miri se çfarë pune protetike është më e përshtatshme për ju pas konsultimit dhe ekzaminimit të plotë të gojës. Ndonëse rol të madh në zgjedhje luajnë edhe gatishmëria e pacientit për bashkëpunim dhe gjendja financiare e tij.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.6 të botimit elektronik të revistës BETTY (QERSHKOR 2020).