|
Pavarësisht nëse e pini të nxehtë gjatë dimrit ose të ftohtë gjatë këtyre ditëve të nxehta, çaji është tejet dobiprurës për shëndetin tuaj.
Meqenëse ka më pak kalori, çaji i ftohtë i paëmbëlsuar mund të jetë zgjedhje e shkëlqyer për ata që duan të humbin peshë dhe të ulin sasinë e sheqerit të konsumuar gjatë ditës. Duke zëvendësuar pijet e gazuara dhe lëngjet e ëmbëlsuara të frutave me çaj të ftohtë, njëherësh mund të zvogëloni edhe marrjen e përditshme të kalorive. Dallimi midis çajit të ftohtë të paëmbëlsuar të shtëpisë dhe çajit të ftohtë të blerë qëndron në atë se në 350 ml çaji të ftohtë të ëmbëlsuar mund të ketë afro 125 kalori, ndërsa çaji i ftohtë i paëmbëlsuar i shtëpisë përmban vetëm 2 kalori. Megjithatë këto shifra varen nga të gjithë përbërësit që shtoni në pijen tuaj freskuese.
Pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për çaj nenexhiku apo xhenxhefili, sipas publikimeve të fundit të universitetit Harvard, çaji është i pasur me antioksidantë që luftojnë radikalet e lira në trupin tuaj.
Sasia e madhe e lëngjeve që duhet të konsumojmë, veçanërisht gjatë verës, ka një rëndësi të madhe ngaqë ekspozimi në temperatura të larta dhe djersitja e tepërt çon në humbje të lëngjeve në trupin tonë. Ndonëse hidratimi i mjaftueshëm është i rëndësishëm gjatë gjithë vitit, vera është koha kur na kanoset më së shumti rreziku i dehidratimit dhe goditjes nga nxehtësia. Marrja e lëngjeve si uji, çajrat e ftohtë të paëmbëlsuar dhe pije të tjera të shëndetshme është me rëndësi të veçantë për ruajtjen e ekuilibrit të lëngjeve, i cili është faktori kryesor në funksionimin e drejtë të trupit tonë.
Nëse jeni lodhur nga pirja e sasive të mëdha të ujit të thjeshtë, i cili është tretës natyral i të gjitha substancave organike dhe inorganike, ju mund ta hidratoni trupin përmes çajrave të ftohtë të paëmbëlsuar, të cilët janë freskues të shkëlqyeshëm verorë. Duke hidratuar trupin tuaj, ju do të jeni në gjendje të ruani temperaturën normale të trupit, të rregulloni presionin e gjakut dhe kështu të mirëmbani qarkullimin e drejtë të gjakut. Këto lëngje luajnë një rol të madh në përcjelljen e lëndëve ushqyesve përgjatë trupit tuaj. Në të njëjtën kohë, lëngjet e hidratojnë lëkurën, duke e bërë më elastike dhe të qëndrueshme ndaj rrudhave të parakohshme.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.16-17 të botimit elektronik të revistës BETTY (GUSHT 2020).