Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Infeksionet e traktit urinar në verë

August 1, 2020

|

Dr. med. sci. Maja Milovançeva-Popovska
Interniste-Nefrologe
IPSH Promedika Medikal Centar



Është verë, ndërsa infeksionet e traktit urinar janë sezonale. Mendja na shkon te pushimet verore, dielli, plazhi, rëra e pishina, mirëpo për dikë, vera mund të sjellë ankth dhe frikë nga shfaqja e infeksioneve të traktit urinar. Fshikëza bëhet shpesh ''viktimë'' e stinës së verës nëse nuk tregohemi të kujdesshëm sa duhet.

Cistiti është një infeksion i rrugëve urinare që prek më shpesh gratë sesa burrat. Cistiti është më i zakonshëm në verë, kur incidenca rritet me 10-20% dhe nuk varet nga ajo nëse pushoni në veri apo në jug. Shkaqet, simptomat dhe rrjedha e infeksionit janë të njëjta. Shkaqet më të zakonshme janë bakteret (Escherichia coli, Enterobacter, Proteus, Klebsiella), por infeksioni mund të shkaktohet edhe nga viruset dhe kërpudhat (Candida). Infeksioni, edhe pse konsiderohet një simptomë ''e zakonshme'', është i pakëndshëm dhe i bezdisshëm dhe mund të prishë kënaqësinë dhe relaksimin e pushimit veror.

Simptomat njihen lehtësisht, si siklet dhe dhimbje në pjesën e poshtme të barkut (suprapubike), dhimbje e zorrës së trashë te burrat, dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale, nevojë e shpeshtë për të urinuar një sasi të vogël të urinës, urgjencë (nevojë për të urinuar tani, ''menjëherë''), dhimbje, skuqje, djegie gjatë urinimit. Urina është e turbullt, e errët dhe ka erë të keqe. Për më tepër, mund të manifestohet me ndjesi të pakëndshme, valë të nxehtësisë dhe të ftohtit, si dhe shqetësim.

Nëse simptomat nuk përmirësohen dhe keni ethe, të dridhura, të përziera dhe të vjella, dhimbje në ijë dhe pafuqi të përgjithshme, ka të ngjarë që infeksioni të jetë përhapur në veshka. Inflamacioni i veshkave, pielonefriti akut, është një ndërlikim serioz që kërkon konsultë të menjëhershme me mjekun.

Në verë, simptomat mund të lehtësohen me shalqi, rrush, kos, çaj majdanozi, mëllage apo xhenxhefili. Boronica është e pasur me fitokemikale, polifenole, vitamina dhe minerale që ndihmojnë në parandalimin dhe trajtimin e cistitit.

Simptomat mund të përkeqësohen duke ngrënë ushqime të skuqura, djegëse, të tharta ose tepër pikante, ëmbëlsues artificialë, duke pirë alkool, kafe, lëngje me gaz dhe lëng domatesh.  Alkooli dhe kafeja mund të çojnë në dehidratim, gjë që nuk është e dobishme për fshikëzën. Prandaj duhet pasur kujdes që të mos konsumohen së tepërmi, për të shmangur rrezikun e dehidratimit. Kafeina ka efekt diuretik nëse pihet më shumë se 4 filxhanë kafe ose 8 filxhanë çaj. Për dashamirët e kafesë që kanë cistit të përsëritur, rekomandohet kafeja pa kafeinë.

Në verë temperaturat janë më të larta, është nxehtë dhe djersitemi më shumë. Djersitja është mënyra më efektive për ftohje të trupit. Nëse humbja e ujit nuk kompensohet me pirje të shtuar të lëngjeve, trupi lehtë mund të dehidratohet. Organizmi është i ndjeshëm dhe reagon menjëherë, që do të thotë se ka aftësi të zbulojë shpejt kur sasia e lëngjeve në trup është e ulët dhe si rrjedhojë, zvogëlon sasinë e urinës së sekretuar, urina bëhet më e errët, ndërsa nevoja për të shkuar në tualet bëhet më e rrallë. Dehidratimi çon në urinë më të përqendruar, e cila mbetet në fshikëz më gjatë. Kjo gjendje krijon kushte të favorshme për shumimin e mikroorganizmave.

Notimi në ujë të ndotur lejon që bakteret të ngjiten lehtësisht në lëkurë, përreth organeve gjenitale dhe në kostumin e banjës. Një kostum banje që është i lagësht dhe i ngrohtë ofron kushte të shkëlqyera për shumimin e baktereve. Pasi këto baktere të jenë shumuar, ato udhëtojnë nëpër rrugët urinare dhe futen në fshikëz, ku mund të shkaktojnë infeksion, gjegjësisht cistit.

Pishinat janë përplot me mikroorganizma të padukshme me sy të lirë, që rrjedhin nga urina, masa fekale, përmbajtja e stomakut, si nga fëmijët ashtu edhe nga të rriturit. Për këtë shkak, pishinat mund të jenë të rrezikshme për shëndetin. Gjëja më e rëndësishme është të notohet në pishinë ku uji ndërrohet, pastrohet dhe dezinfektohet me klor rregullisht.

''Ju lutemi të bëni dush para se të hyni në pishinë''

Dushi nën ujë të rrjedhshëm para hyrjes në pishinë dhe pas daljes nga pishina është i domosdoshëm për të zvogëluar rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve që lidhen me ujin. Dushi para hyrjes në pishinë largon papastërtitë e trupit, që ndryshe mund të lihen në pishinë dhe kështu të rrezikohet shëndeti i notuesve të tjerë. Me dushin pas daljes nga pishina hiqet klori, i cili mund të ketë efekt negativ në lëkurë dhe flokë.

Një nga keqkuptimet më të zakonshme është që vajzat dhe gratë që janë të prirura për infeksione të përsëritura të traktit urinar nuk duhet të lahen as në pishina, e as në ujëra të hapura (lumenj, liqeje, det). Ky rekomandim mund të përligjet vetëm nga mundësia e refluksit bulbouretral të ujit në fshikëz. Por studimet që kanë shqyrtuar këtë mundësi nuk e kanë vërtetuar, gjegjësisht nuk është zbuluar se ky ujë është i pranishëm në fshikëz. Prandaj, ky rekomandim nuk çon në parandalimin e infeksioneve të përsëritura të traktit urinar. Higjiena është më e rëndësishmja, ngaqë, sidomos vajzat, kanë lëkurë shumë të ndjeshme në zonën gjenitale, e cila irritohet lehtë dhe ku bakteret lehtë mund të zënë vend.

A mund të udhëtoj nëse kam cistit?

Inflamacioni i fshikëzës nuk është infeksion që duhet të ndryshojë planin tuaj të udhëtimit, përveç nëse mjeku ju ka këshilluar ndryshe. Është e rëndësishme të qëndroni të hidratuar, të keni me vete ujë të pijshëm në çdo kohë dhe të urinoni rregullisht (çdo 3-4 orë).

A e zvogëlon larja e shpeshtë rrezikun e cistitit?

Në verë, në temperatura të larta, djersitemi më shpesh dhe lahemi më shpesh. Por larja e tepërt, veçanërisht me sapunë të ndryshëm, mund të dëmtojë lëkurën e ndjeshme të zonës gjenitale. Bakteret mund të ''ngjiten'' dhe shumohen më lehtë në lëkurë të dëmtuar. Është e rëndësishme të fitojmë shprehi, që nga fëmijëria, që pas kryerjes së nevojës në tualet fshirja të kryhet gjithnjë nga para mbrapa. Shumica e baktereve që shkaktojnë cistit (më së shpeshti Escherichia coli) vijnë nga zorrët, ku bëjnë pjesë në florën normale të zorrëve.

Në verë, kur rreziku i dehidratimit është më i lartë, rreziku i zhvillimit të cistitit tek njerëzit me mosmbajtje (inkontinencë) dhe urinim të pavullnetshëm mund të rritet. Mosmbajtja e urinës është një dukuri e zakonshme, me një në pesë gra mbi moshën 40 vjeçe që kanë këtë problem. Ekzistojnë disa lloje të mosmbajtjes së urinës. Më e zakonshme është stres-inkontinenca, kur presioni në bark rritet gjatë kollitjes, teshtimës, të qeshurës, ushtrimeve. Nëse keni inkontinencë, është e gabuar të zvogëlohet marrja e lëngjeve për të zvogëluar rrezikun e urinimit të pavullnetshëm nga frika e një ''katastrofe''. Urina atëherë bëhet më e përqendruar, acarimi i murit të fshikëzës më i madh dhe ka më shumë të ngjarë të ndodhë urinim i pavullnetshëm.



Ka disa faktorë që kontribuojnë në infeksionet e traktit urinar gjatë verës, si nxehtësia, rritja e konsumit të alkoolit dhe rritja e aktivitetit seksual. Ja disa masa paraprake për të zvogëluar rrezikun e zhvillimit të një infeksioni të traktit urinar, si dhe për të parandaluar që cistiti t'jua çojë dëm pushimet verore:

- pini më shumë ujë, lëngje - 10-12 gota ujë për të përmbushur nevojat e trupit dhe për të shpëlarë bakteret nga fshikëza. Trupi mund të hidratohet edhe me shalqi dhe tranguj, të cilat përmbajnë deri në 70% ujë.

- dush para dhe pas notit - lani duart me sapun pas përdorimit të tualetit.

- mos hyni në ujë nëse keni diarre; bakteret nga jashtëqitjet e lëngshme hyjnë më lehtë në traktin urinar kur jeni në ujë.

- pasi të keni dalë nga uji, ndërroni sa më shpejt kostumin e lagur të banjës me të thatë. Një kostum i lagësht banje është mjedis i mirë mbijetese për bakteret. Lani kostumin pas çdo përdorimi.

- mbani nën kontroll konsumin e alkoolit. Në pushim ndodh të konsumohet më shumë alkool se zakonisht, çka mund të çojë në dehidratim dhe acarim të fshikëzës. Prandaj këshillohet që të pini një gotë ujë midis pijeve alkoolike, që ju ndihmon të qëndroni të hidratuar dhe të ruani shëndetin e fshikëzës.

- kini kujdes gjatë aktivitetit seksual. Gratë janë veçanërisht të ndjeshme ndaj cistitit pas marrëdhënieve seksuale. Marrëdhëniet seksuale lehtësojnë lëvizjen e baktereve nëpër rrugët urinare dhe fshikëz. Këshillohet që të zbrazni fshikëzën pas marrëdhënieve seksuale. Te disa gra, marrja e një doze të antibiotikëve pas seksit ndihmon.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.4-5 të botimit elektronik të revistës BETTY (GUSHT 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>