Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Revista – Trio Gentlemen – I fuqishëm dhe botëror

September 2, 2020

Të pazakontë, të veçantë dhe jashtëzakonisht cilësorë janë fjalët që mund të përshkruajnë grupin Trio Gentlemen. Treshja përbëhet nga këngëtarët profesionistë të operës: Dejan Stoev - tenor, Kristijan Antovski - bariton dhe Jane Dunimagloski - tenor. Muzika e tyre është ilaç për shpirtin në çfarëdo gjendje të humorit tonë. Secili prej tyre tingëllon bukur, por së bashku ata janë një treshe tepër e fuqishme që tingëllon si një. Krijimtaria e tyre mbushullon me vepra klasike, përpunime të hiteve më të mëdha botërore të popit të interpretuara në stilin klasik-pop, këngë napolitane, këngë spanjolle dhe romanca ruse. Por ajo që është e veçantë për ta është krijimi dhe përpunimi i këngëve maqedonase në stilin e tyre, të shoqëruara me video që nxjerrin në pah pjesë të bukurive të Maqedonisë. Bashkëbisedojmë me ta për frymëzimin e tyre, motivin për muzikë të mirë, si dhe promovimin e kishave dhe bukurive të Maqedonisë në videot muzikore, por edhe për mënyrën se si e ruajnë shëndetin e tyre.



  1. Si lindi Trio Gentlemen?

  2. E gjithë ideja filloi nga Darko Neshovski, i cili hodhi themelet e grupit pesë vjet më parë. Menduam që ta provonim, dhe nëse të gjithë e gjenim veten në të, të vazhdonim më tej. Nuk kishim emër, por për një kohë shumë të shkurtër Dejani gjeti rastësisht frymëzim nga etiketa e një pije të këndshme, andaj ja ku jemi tani pas pesë vitesh e ca muajsh të njohur si "Trio Gentlemen". Ndërkohë pati një ndryshim në përbërje, sepse Darko vendosi të shpërngulej nga vendi, kështu që në vend të tij, me sugjerimin e vetë Darkos, e ftuam Jane Dunimagloskin, i cili edhe sot e kësaj dite është pjesë e tregimit të "Trio Gentlemen".

    2. Si e ruani ekuilibrin midis miqësisë dhe punës?

  3. Ne jemi para se gjithash miq dhe kolegë, sepse që të tre jemi të punësuar në Operën dhe Baletin e Maqedonisë. Thuajse nuk kalon ditë pa u dëgjuar me njëri-tjetrin, ndërsa puna është pjesë e pashmangshme e bisedave tona.

  4. 3. Me cilët autorë të muzikës bashkëpunoni më shumë?

  5. Ne jemi të hapur për bashkëpunim me të gjithë autorët që dinë të dallojnë cilësinë dhe veçantinë e asaj që bëjmë. Janë vërtet të shumtë ata me të cilët kemi bashkëpunuar dhe me siguri që do të ketë edhe të tjerë të cilët e shohin si sfidë të shkruajnë për ne.




  1. Si i zgjedhni këngët për përpunim?


Para së gjithash, kënga duhet të ketë “peshë”, përkatësisht duhet të ketë një linjë vokale të bukur me harmoni të gjerë, në mënyrë që ta përpunojmë për tre vokale dhe natyrisht, duhet të jetë e njohur, që audienca ta njohë prapëseprapë, por në një trajtë të re.

  1. Shpesh përdorni vendndodhje nga Maqedonia në videot muzikore. Cili është frymëzimi për këtë?


Përgjigja për frymëzimin gjendet në vetë pyetjen... Maqedonia! Le të nxjerrim në pah të gjitha vlerat dhe bukuritë e saj.



  1. Në videot muzikore, rolin kryesor e luajnë një djalë dhe një vajzë, të cilët janë të dashuruar dhe shijojnë bukuritë dhe vendet ku xhirohet videoja, në mënyrë që të përshkohet historia e bukur e këngës. A është ky një skenar që do ta vini në jetë në të ardhmen?


Dashuria, rinia dhe atmosfera e përsosur nëpër zonat e bukura të prekura dhe ato më pak të prekura të Maqedonisë janë gjithmonë një frymëzim i mirë për skenar.

  1. Deri më tani keni dhënë disa shfaqje dhe koncerte në të gjithë vendin. Cili është suksesi juaj më i madh në atë fushë?


Për sa kohë që ekzistojmë, kemi dhënë mbi 220 shfaqje në të gjithë vendin tonë dhe jashtë tij. Çdo shfaqje është një histori në vetvete, një sukses në vetvete dhe i ndryshëm nga tjetri.



8. Çfarë ju bën krenarë në punën tuaj?

Shumë gjëra! Krenarë na bën këmbëngulja jonë në skenën muzikore dhe mosrënia nën ndikimin e asnjë tendence, krenarë na bën respekti i ndërsjellë mes nesh dhe kapërcimi i situatave të vështira dhe të krizës, krenarë na bën njohja jonë e cila bëhet më e theksuar me kalimin e kohës dhe mbase më krenarë jemi për thjeshtësinë tonë dhe profesionalizmin të cilit i kemi qëndruar besnik.

  1. Me cilët interpretues keni bashkëpunuar deri më tani?


Ne jemi tre në skenë, kështu që nuk kemi nevojë për interpretues shtesë, por megjithatë kemi bashkëpunuar me disa interpretues dhe madje kemi regjistruar disa video të përbashkëta. Nëse kemi propozime dhe ide të mira do të vazhdojmë ta bëjmë edhe më tej.

  1. I keni përpunuar në mënyrë të përkryer disa nga këngët e Toshe Proeskit. A mund të presim më shumë përpunime të këngëve të tij prej jush?


Faleminderit! Toshe dhe muzika e tij nuk mund të lihen mënjanë në krijimtarinë tonë të mëtutjeshme, prandaj pa dyshim që duhet të pritni edhe aranzhime të tjera nga opusi i tij.

  1. Si e ruani shëndetin për të mbrojtur zërat tuaj të fuqishëm?


Ju falënderojmë edhe një herë për fjalët lavdëruese. Do të tregojmë një ngjarje që na ka ndodhur në një bisedë të drejtpërdrejtë në televizor diku në fillim kur Darko ishte ende me ne. Moderatori bëri të njëjtën pyetje, duke hamendësuar se bëjmë një jetë të qetë, pa stres, pa ngritur zërin kur flasim, kurse Darko, duke dashur t’i përmbledhë të gjitha në një fjali, iu përgjigj vetëtimthi: “e dini, ne kemi një trajtim të veçantë dhe kjo është një gotë verë e kuqe dhe një meze e këndshme”. Kuptohet që të gjithë u befasuam nga kjo përgjigje, por e kthyem në shaka dhe ja ku po kthehemi përsëri te ai lapsus pas kaq shumë kohësh.

  1. A keni një dietë të veçantë për energji shtesë në ditët e ngarkuara?


Që të gjithë jemi gustatorë të mëdhenj, disa nga ne gatuajmë disa jo, por të gjithëve na pëlqen të hamë mirë dhe të respektojmë ushqimin e këndshëm dhe të shëndetshëm që është i nevojshëm për energji shtesë. Çdo moment i kaluar së bashku në një tryezë të bukur është i mrekullueshëm për ne sepse shndërrohet në një këngë, aranzhim spontan të zërave, gaz dhe hare.

  1. Si jeni përshtatur me "normalitetin e ri" si pasojë e virusit korona?


Jemi një ekip që ka dëshmuar se "normaliteti i ri" nuk na bën dot asgjë. Kemi materiale të gatshme për t'i lëshuar, madje pa qenë nevoja as të bëjmë prova të përbashkëta, si dhe disa projekte të tjera. Ne e dëshmuam këtë gjatë kësaj periudhe dhe jemi ndër të parët që dhamë shfaqje sapo u miratua protokolli për interpretime publike. Kemi edhe shfaqje me data tashmë të caktuara, kështu që le të mësohet "virusi korona" me ne, sepse ne do të jemi këtu dhe do të këndojmë.

  1. Cilat janë planet tuaja për të ardhmen për sa i përket muzikës?


Në të ardhmen e afërt duhet të mbajmë koncertet tona në Nju Jork dhe Moskë, të cilat janë shtyrë për shkak të "normalitetit të ri", do të nxjerrim këngë të reja, si origjinale ashtu edhe të përpunuara dhe pak "përzierje" me folklorin, çka është pjesë e pashmangshme e jona, do të mbajmë shumë koncerte, do të marrim pjesë në festa private etj. Kushdo që dëshiron të ndjekë punën tonë është i ftuar të shikojë faqen tonë në Facebook "Trio Gentlemen".

  1. Cili është motivimi juaj më i madh për të krijuar?


Ne nuk kemi nevojë për shumë motivim. Kjo punë për ne është edhe përditshmëri edhe hobi. Natyrisht, pa dashuri për punën, për të afërmit dhe për jetën nuk ka asgjë, kështu që dashuria është ajo për të cilën këndojmë dhe e cila na jep shtytje përpara.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.10-13 të botimit elektronik të revistës BETTY (SHTATOR 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>