Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Shënimi i Ditës Botërore të Ndihmës së Parë

September 2, 2020

|

Kryqi i Kuq i Maqedonisë



Dita Botërore e Ndihmës së Parë shënohet në të gjithë botën çdo vit, të shtunën e dytë të shtatorit. Kjo ditë u caktua nga Federata Ndërkombëtare e Shoqërive të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe në vitin 2000 dhe që atëherë festohet çdo vit.

Në këtë ditë, më shumë se 100 Shoqëri Kombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe në të gjithë botën organizojnë ngjarje dhe aktivitete që synojnë ngritjen e vetëdijes publike për ndihmën e parë dhe shpëtimin e jetës në situata të përditshme dhe të krizës, si dhe promovimin dhe përkrahjen e njohurive dhe aftësive për ofrimin e ndihmës së parë për publikun e gjerë.



Aftësitë e ndihmës së parë duhet të jenë të disponueshme për të gjithë si një vepër humanitare që i fuqizon njerëzit të shpëtojnë jetë dhe të ndihmojnë në shërimin nga dëmtimet e papritura ose nga sëmundjet. Për këto arsye, Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut përpiqet që të paktën një anëtar i secilës familje të arsimohet dhe të aftësohet për të ofruar ndihmën e parë, ndaj ju inkurajojmë që të merrni pjesë në një nga trajnimet tona të ndihmës së parë.

Ndihma e parë nuk jepet gjithmonë nga personeli mjekësor, sepse në aksidentet e përditshme dhe emergjenca njerëzit e thjeshtë shpesh detyrohen të ofrojnë ndihmën e parë për t'i shpëtuar jetën dikujt. Ndihma e parë ndonjëherë mund të përfshijë improvizim, por nëse personi që jep ndihmën e parë nuk e di se çfarë po bën, në vend se ta ndihmojë mund ta dëmtojë personin e prekur. Prandaj, Federata Ndërkombëtare e Shoqërive të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe inkurajon njerëzit që të ndjekin trajnimet themelore të ndihmës së parë ose të paktën të edukohen për përdorimin e të gjitha materialeve dhe mjeteve të mundshme.



Sigurimi i ndihmës së parë cilësore dhe bazuar në shkencë, që është i disponueshëm për të gjithë, do të kontribuojë në ndërtimin e komuniteteve të sigurta dhe të shëndetshme, duke parandaluar dhe zvogëluar rreziqet e aksidenteve dhe fatkeqësive të përditshme. Ndërmarrja e veprimeve në kohën e duhur dhe zbatimi i masave standarde dhe adekuate të ndihmës së parë është vendimtar për shpëtimin e jetës së njeriut.



Për shkak të situatës globale me pandeminë KOVID 19, si dhe rolin në rritje dhe me zhvillim të shpejtë të shoqërive kombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe në kohë krizash, këtë vit është menduar që Dita Botërore e Ndihmës së Parë të përqendrohet te pandemia, në mënyrë që të përhapen mesazhe për parandalim dhe të sugjerohen aktivitete dhe aftësi të ndihmës së parë që mund të përshtaten kudo, përfshirë mësimin në largësi përmes përdorimit të platformave të reja arsimore.



Nën moton "Përshtatja e praktikave të ndihmës së parë në përputhje me pandeminë", ku grupet kryesore të synuara do të jenë fëmijë dhe të rinj, mësues dhe prindër, më 12 shtator të vitit 2020 do të shënohet Dita Botërore e Ndihmës së Parë. Organizatat bashkiake të Kryqit të Kuq dhe Organizata bashkiake e Kryqit të Kuq të qytetit të Shkupit, në bashkëpunim me institucionet përkatëse (institucionet shëndetësore, policinë e trafikut, ndihmën urgjente mjekësore, njësitë e zjarrfikësve, drejtorinë për mbrojtje dhe shpëtim, qendrën për menaxhim me krizat, policinë, ushtrinë, qeveritë lokale etj) me rastin e Ditës Botërore të Ndihmës së Parë organizon disa aktivitete në formën e ushtrimeve simuluese dhe demonstruese, ku ekipet mobile dhe vullnetarët tanë do të kenë mundësinë t'i demonstrojnë dhe t'i ripërtërijnë njohuritë e tyre për ndihmën e parë. Gjithashtu, në Ditën Botërore të Ndihmës së Parë, në disa pika do të shpërndahen materiale informative-botuese, ndërsa në organizatat komunale të Kryqit të Kuq do të zhvillohet trajnim për edukimin e bashkëmoshatarëve për ndihmën e parë, me qëllim të përcjelljes së njohurive dhe aftësive të ndihmës së parë.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.14 të botimit elektronik të revistës BETTY (SHTATOR 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>