|
prof. d-r Slagjana Angelkoska
psikolog
Megjithë sukseset dhe arritjet e mjekësisë, numri i të sëmurëve sa vjen e rritet. Rreth dy të tretat e të gjitha sëmundjeve kanë prapavijë psikologjike ose shkaktohen nga faktorë psikologjikë. E gjithë kjo është pasojë e ritmit të shpejtë të jetës, ngarkimit shpirtëror në rritje, nga njëra anë, dhe aktivitetit fizik në rënie, nga ana tjetër.
Jeta moderne rrit nivelin e stresit tek njerëzit - njerëzit marrin përgjegjësi të panevojshme që u shkaktojnë dëm dhe lënë pasoja në shëndetin e tyre. Në këtë mënyrë ata hyjnë në një rreth vicioz nga i cili nuk mund të dalin as me ilaçet më të mira. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për nervozizëm, probleme me stomakun, tension të lartë të gjakut apo sëmundje të civilizimit.
Stërvitja autogjene ofrohet si një metodë ideale që ndihmon personin "e konstruktuar gabimisht" të përshtatet në epokën e re. Shumë njerëz kanë ide të paqartë për atë se çfarë është stërvitja autogjene - e shohin si diçka magjike ose çudibërëse. Të paktë janë ata që e dinë se bëhet fjalë për një metodë shkencore, me ndihmën e së cilës vëmendja drejtohet nga trupi. Është një metodë me të cilën aspekti mendor dhe fizik përbëjnë një tërësi. Njeriu i jep drejtim psikikës së tij.
Stërvitja autogjene është një teknikë e relaksimit të thellë që i jep shtysë shëndetit fizik dhe mendor, lehtëson efektet e dëmshme të stresit dhe përmirëson cilësinë e jetës. Kjo lloj stërvitjeje është vërtetuar shkencërisht si teknikë për relaksim dhe vetë-ndihmë, ndërsa frymëzohet nga hipnoza, gjegjësisht një gjendje e sugjestibilitetit të shtuar dhe një metodë e manipulimit me anë të sugjerimit.
Stërvitja autogjene është një teknikë e ndihmës së vetvetes e zhvilluar nga Johannes Heinrich Schultz në fillim të shekullit të 20-të. Ajo që është veçanërisht e rëndësishme dhe e dobishme te stërvitja autogjene, por edhe te metodat e ngjashme të relaksimit, është fakti që gjatë stërvitjes do të mësoni të realizoni vetë ushtrimet. Kjo është shumë e rëndësishme për përparimin e mëtutjeshëm dhe punën me veten, sepse do të jeni në gjendje të zbatoni rregullisht teknikat e stërvitjes autogjene për të përmirësuar gjendjen tuaj psiko-fizike.
Stërvitja autogjene kryesisht ndihmon në rivendosjen e qetësisë së brendshme që trazohet vazhdimisht nga stresi i përditshëm. Rritja e rezistencës ndaj stresit është një nga qëllimet kryesore që arrihet përmes ushtrimeve dhe stërvitjes së vazhdueshme. Të gjitha teknikat, metodat dhe ushtrimet i rikthejnë personit baraspeshën e trupit dhe një ndjenjë të qëndrueshme të vetë-kontrollit. Qëllimi kryesor është të kuptohet lidhja midis trupit dhe psikikës.
Shumë nga sëmundjet dhe streset e sotme kanë një efekt të thellë në gjendjen mendore të individit, gjë që thekson edhe më tepër rëndësinë e vendosjes së qëndrueshmërisë mendore. Stërvitja autogjene nuk është e paraparë vetëm për njerëzit që kanë probleme të caktuara me situata stresuese ose mosfunksionim psikologjik. Meqenëse nuk mund të thuhet se ka dikush që nuk përjeton stres, stërvitja autogjene mund të jetë e dobishme për këdo që kujdeset për shëndetin e vet mendor.
Përfitimet nga stërvitja autogjene janë të panumërta. Ja vetëm disa nga ato:
- Baraspesha e jetës psikike,
- Shkallë më e lartë e relaksimit psikofizik,
- Normalizim i frymëmarrjes dhe funksionit vaskular,
- Përmirëson cilësinë e fjetjes dhe gjumit,
- Zvogëlon ankthin, tensionin fizik, shqetësimin,
- Rrit vetëbesimin dhe vetëvlerësimin,
- Jep një ndjenjë kontrolli dhe fuqizimi të vetvetes,
- Arritje e relaksimit dhe paqes në të gjitha rrethanat,
- Ballafaqim i suksesshëm me stresin,
- Arritje e qëndrueshmërisë emocionale,
- Ndryshim i stilit të jetës.
Stërvitja autogjene përdoret kryesisht në trajtimin e tensionit, panikut, frikës, ankthit, stresit dhe sëmundjeve psikosomatike. Teknikat e vetë-relaksimit përdoren nga njerëz të shëndetshëm për të përmirësuar përqendrimin, relaksimin, krijimtarinë, imagjinatën, formën fizike dhe gatishmërinë për punë. Rekomandohet veçanërisht për sportistët profesionistë.
Për kë është e paraparë stërvitja autogjene?
Stërvitja autogjene është e dobishme për të gjithë ata që kujdesen për shëndetin e tyre mendor, të gjithë personat e qëndrueshëm mendërisht që janë të ekspozuar ndaj situatave stresuese në jetën e përditshme: sportistët, studentët, mjekët, shkencëtarët, oficerët e policisë, amviset etj.
Si vepron?
Stërvitja autogjene përbëhet nga 7 ushtrime themelore që ndihmojnë në arritjen e një gjendje relaksimi të plotë fizik dhe mendor. Qëllimi është që dalëngadalë të arrihet efekti i relaksimit të tërë trupit dhe kontrolli mbi trupin.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.24-25 të botimit elektronik të revistës BETTY (SHTATOR 2020).