Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Kontracepsioni

October 1, 2020

|

ass. d-r Iva Malahova Gjoreska
EPSH KLINIKA UNIVERSITARE PËR
GINEKOLOGJI DHE AKUSHERI



Termi kontracepsion nënkupton metodat e ndryshme që praktikohen me qëllim të mbrojtjes nga shtatzënia e padëshiruar.

Efektiviteti i kontracepsionit varet nga metoda e zgjedhur e kontracepsionit, por edhe nga përdorimi i drejtë i saj. Prandaj shkalla e suksesit varet nga përdorimi i drejtë dhe/ose adekuat i metodës kontraceptive dhe zakonisht është e ndryshueshme. Nuk ka një metodë të përsosur për mbrojtje nga shtatzënia e padëshiruar, sepse secila prej tyre ka të mirat dhe të këqijat e veta.

Sot ekzistojnë shumë lloje të kontracepsionit, edhe atë: kontracepsioni hormonal, intrauterin, mekanik ose kimik, metoda natyrale e kontracepsionit dhe sterilizimi.

KONTRACEPSIONI HORMONAL siguron mbrojtje të thjeshtë dhe të sigurt, por përdoret gjithmonë në konsultim me gjinekologun. Vepron në mënyrë sistematike, që bazohet në efektet e hormoneve që përmbahen: estrogjen dhe progestin. Këto hormone frenojnë hormonet natyrore ciklike në trupin e gruas, me qëllim të parandalimit të shtatzënisë. Ato parandalojnë ovulacionin, trashin mukozën rreth qafës së mitrës, duke e bërë më të vështirë migrimin e spermës në drejtim të qelizës vezës dhe zvogëlojnë pranueshmërinë e endometriumit për qelizën vezë të fekonduar.

Është i disponueshëm në forma të ndryshme si pilula hormonale ose të ashtuquajturat pilula anti-bebe, kontraceptivë të injektuar, implante nënlëkurore, unaza vagjinale dhe fasha transdermale.

Më të përdorura janë pilulat hormonale, edhe atë në kombinim me kontraceptivët oralë, të cilët janë një kombinim i hormoneve estrogjen dhe progesteron. Sot, shumica e pilulave kontraceptive kanë 28 pilula, nga të cilat 21 janë pilula që aktivizojnë hormonet dhe 7 pilula placebo, në mënyrë që të mos humbet ritmi i përditshëm i marrjes së pilulave. Marrja e tabletave placebo rezulton në gjakderdhje (e ngjashme me gjakderdhjen menstruale). Megjithëse mund ta merrni tabletën në çdo kohë brenda ditës, është më mirë ta merrni para mëngjesit ose në kohën e gjumit, sepse është më e lehtë për t'u mbajtur mend.

Përveç mbrojtjes nga shtatzënia e padëshiruar, kontraceptivët oralë kanë një numër përfitimesh, siç janë zvogëlimi dhe vonimi i gjakderdhjes menstruale, zvogëlimi i shfaqjes së cisteve beninje funksionale dhe trajtimi i dismenoresë. Mangësia kryesore është nevoja për marrje ditore, e cila shpesh përcillet me mosmarrje të pilulës, gjë që nga ana tjetër rrit gjasat e shtatzënisë.

Përveç kontraceptivëve oralë, ekzistojnë edhe kontraceptivë oralë që përmbajnë vetëm progestogjen. Ata janë të përshtatshëm për gratë te të cilat kundërindikohet përdorimi i kontraceptivë që përmbajnë estrogjen, siç janë kontraceptivët oralë.

Pilulat për raste urgjente, të njohura si "pilulat e mëngjesit të nesërm" janë metodë e kontracepsionit urgjent dhe përdoren në situatat kur një grua ka kryer marrëdhënie seksuale pa mbrojtje. Për efekt më të mirë, tableta duhet të merret brenda 72 orëve nga marrëdhënia seksuale. Siç nënkupton edhe emri i saj, kjo metodë duhet të përdoret vetëm në raste skajshmërisht urgjente dhe kurrsesi si një kontraceptiv i rregullt ose si mjet parandalues.

Kontraceptivët e injektuar zakonisht përmbajnë progestogjenë, por në disa vende ata mund të jenë një kombinim i estrogjenit dhe progestogjenit. Injeksioni jepet nga një punonjës mjekësor, një herë në muaj ose një herë në tre muaj, në varësi të përbërjes kimike.

Implantet nënlëkurore përmbajnë progestogjenë dhe të njëjtat vendosen nën lëkurë, zakonisht në parakrah. Ato sigurojnë kontracepsion të vazhdueshëm dhe afatgjatë për 3-5 vjet, në varësi të preparatit. Mangësia e kësaj metode është nevoja për ndërhyrje të vogël kirurgjikale, që është e domosdoshme për futjen dhe nxjerrjen e implantit.

Unaza vagjinale është një unazë e vogël, fleksibile, me një diametër prej jo më tepër se 5.5 cm. Kjo lëshon estrogjen dhe progestin, me çka parandalon procesin e ovulacionit. Pas vendosjes në brendi të vagjinës, ajo mbahet 3 javë dhe më pas duhet ta hiqni që të ndodhë gjakderdhja e përmuajshme.

Fashat transdermale mbahen mbi lëkurën e pjesës së poshtme të barkut, të mollaqeve, pjesën e sipërme të trupit (por jo në gjoks) ose pjesën e jashtme të krahëve. Përbërja dhe mekanizmi i veprimit është identik me atë të unazës vagjinale. Fasha duhet të ndryshohet çdo javë për 3 javë. Javën e fundit, gjegjësisht javën e 4-të duhet ta kapërceni, që të mund të ndodhë gjakderdhja e përmuajshme.

Çdo grua duhet të jetë e mirinformuar për përparësitë dhe mangësitë e kontracepsionit hormonal para se të fillojë ta përdorë atë dhe duhet medoemos të mbikëqyret nga një gjinekolog.

KONTRACEPSIONI INTRAUTERIN Pajisjet intrauterine, të njohura si spirale, janë një metodë shumë efektive e kontracepsionit. Ekzistojnë dy lloje: pajisjet intrauterine që përmbajnë bakër dhe pajisjet intrauterine të veshura me hormon. Spiralet me bakër veprojnë duke ndikuar në lëvizshmërinë e spermës dhe duke parandaluar kështu fekondimin e qelizës vezë të pjekur, dhe gjithashtu veprojnë në mukozën e mitrës, duke e bërë murin e saj të pafavorshëm për implantimin e vezës së fekonduar. Për më tepër, spiralja me bakër mund të përdoret si kontracepsion urgjent. Nëse futet brenda 5 ditëve pas marrëdhënies seksuale të pambrojtur, është metodë efektive e kontracepsionit me koeficient 99.9%. Pajisjet e tjera intrauterine lëshojnë sasi të vogla të progestogjenit në mitër, gjë që e bën mukozën e qafës së mitrës të trashë dhe të padepërtueshme për spermën dhe gjithashtu zvogëlon lëvizshmërinë e spermës. Vendosja dhe heqja e spirales duhet të kryhet gjithmonë nga një gjinekolog.

KONTRACEPSIONI MEKANIK përfshin metodat që parandalojnë shtatzëninë duke penguar migrimin e lëngut të spermës në vagjinë. Ato nuk kanë veprim sistematik, janë të lehta dhe të sigurta për t’u përdorur dhe nuk kanë pothuajse asnjë kundërindikacion. Përdorimi i tyre ka të bëjë me aktin seksual, për këtë arsye, përdorimi i drejtë gjatë secilit akt seksual është thelbësor për suksesin optimal të metodës.

Këtij grupi i përket një nga metodat më të përdorura të kontracepsionit dhe ai është prezervativi, i cili është gjithashtu i vetmi kontraceptiv që mbron nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Prezervativi mashkullor (kondomi) përbëhet nga lateksi i hollë dhe është i disponueshëm gjerësisht, i lirë dhe i lehtë për t’u përdorur. Prezervativi femëror (femidomi) përbëhet nga poliuretani i lubrifikuar paraprakisht dhe ka të njëjtin funksion si kondomi mashkullor. Ai ka formën e tubit dhe dy unaza, një përbrenda dhe një përjashta, të cilat nuk lejojnë që të bie në vagjinë gjatë marrëdhënies seksuale.

Diafragma është një kësulë e vogël silikoni që mbulon plotësisht qafën e mitrës dhe kështu parandalon hyrjen e spermës në mitër. Prodhohet në madhësi të ndryshme. Madhësia e diafragmës duhet të përcaktohet nga gjinekologu juaj. Çdo 1-2 vjet duhet të bëhet një kontroll mjekësor për të parë nëse ende përshtatet me madhësinë e saj, sidomos nëse keni luhatje në peshë.

Vendoset në vagjinë pak para marrëdhënies seksuale (më së shumti 6 orë para marrëdhënies seksuale).  Pas marrëdhënieve seksuale, diafragma duhet të lihet në vagjinë edhe për disa orë, por jo më pak se 6 orë. Përdorimi i shpeshtë mund të çojë në dëmtime të vogla të murit vagjinal dhe infeksione urinare ose kërpudhore.

KONTRACEPSIONI KIMIK Spermicidet janë kimikate që shkatërrojnë spermën dhe futen në vagjinë pak para marrëdhënies seksuale. Ato vijnë në forma të ndryshme, si kremra, tableta, pastë, xhelatinë, shkumë dhe të ngjashme. Kanë efikasitet të ulët nëse përdoren vetë, por të kombinuara me metodat mekanike japin një shkallë të lartë mbrojtjeje.

METODAT NATYRORE TË KONTRACEPSIONIT përfshijnë abstinencën periodike, gjegjësisht shmangien e marrëdhënieve seksuale gjatë periudhës kur gruaja është pjellore, d.m.th. rreth kohës së ovulacionit. Këto metoda janë të përshtatshme për gratë që mund të përcaktojnë ditët pjellore në ciklin menstrual dhe për çiftet që janë të motivuar të abstenojnë gjatë asaj periudhe.

Ky grup metodash përfshin matjen e temperaturës bazale të trupit, metodën e kalendarit dhe përcjelljen e ndryshimeve në mukozën e qafës së mitrës. Matja e temperaturës bazale përfshin monitorimin ditor të temperaturës, duke u mbështetur në faktin se gjatë ciklit menstrual temperatura bazale ndryshon në pajtim me ndryshimet hormonale. Nga fillimi i menstruacioneve e deri para ovulacionit, temperatura bazale sillet mes 36 deri në 36.4° C. Në periudhën pas ovulacionit, temperatura bazale shënon rritje prej 0.2-0.4° C mesatarisht.

Metoda e kalendarit përfshin numërimin e ditëve të ciklit menstrual, me përdorimin e disa formulave për përcaktimin e ditëve pjellore dhe llogaritësve të ndryshëm në internet. Ovulacioni ndodh dy javë para ciklit të pritshëm menstrual. Në një cikël ideal 28-ditor, ovulacioni pritet në ditën e 14-të që nga dita e parë e gjakderdhjes menstruale. Duke qenë se gjatësia e ciklit normalisht mund të sillet nga 24 deri në 35 ditë, ovulacioni mund të pritet nga dita e 10-të deri në ditën e 18-të, në varësi të kornizës themelore kohore të ciklit, por gjithmonë dy javë para gjakderdhjes së pritshme, për shkak të pandryshueshmërisë së fazës së dytë të ciklit.

Përcjellja e ndryshimeve në mukozën e qafës së mitrës (sekrecionet vagjinale) - duke vëzhguar ndryshimet në pamjen e sekrecioneve, ju mund të përcaktoni kur ka më shumë të ngjarë të ndodhë ovulacioni. Në periudhën rreth ovulacionit, sekretimi i mukozës së qafës së mitrës rritet, ajo fryhet, bëhet më elastike, kurse për të shmangur shtatzëninë në këtë periudhë, kërkohet abstinencë.

Suksesi i metodave natyrore varet shumë nga angazhimi i partnerëve dhe gjasat për të dështuar janë më të larta se te metodat e tjera të kontracepsionit, sepse shenjat dhe simptomat që e shoqërojnë ovulacionin nuk janë gjithmonë të qarta.

Metoda më e vjetër natyrore e kontracepsionit është coitus interruptus - nxjerrja e organit gjenital para ejakulimit. Konsiderohet si një metodë shumë e pasigurt, sepse shkarkimi i spermës mund të vijë përpara se të ndodhë ejakulimi. Prandaj, nëse doni të shmangni shtatzëninë, është më mirë të përdorni metoda të tjera të kontracepsionit.

E vetmja metodë e përhershme e kontracepsionit është sterilizimi kirurgjikal. Është një procedurë shumë efektive, që shoqërohet nga një shkallë e ulët e komplikimeve si te femrat ashtu edhe te meshkujt. Te femrat, procedura përfshin lidhjen ose vënien e unazave përreth tubave të Fallopit. Te meshkujt, procedura përfshin bllokimin e kanaleve të bartjes së spermës, procedurë e njohur si vazektomi.

Mitet në lidhje me shmangien e shtatzënisë së padëshiruar

Urinimi, bërja dush dhe aplikimi i mjeteve të ndryshme në vagjinë, siç janë sapunët, shampot, dezinfektuesit pas kryerjes së marrëdhënies seksuale të shoqëruar me ejakulim në vagjinë nuk do t'ju mbrojnë nga shtatzënia.

Pozicioni më këmbë ose çfarëdo pozicioni tjetër nuk do të çojë në rrjedhje të spermës nga organet gjenitale femërore, kështu që kjo metodë nuk është aspak efektive në parandalimin e shtatzënisë.

Përdorimi i dy prezervativëve ose një kombinim i prezervativëve mashkullorë dhe femërorë vetëm mund të rrisë rrezikun e plasaritjes së prezervativit për shkak të fërkimit në sipërfaqen e tyre gjatë marrëdhënies seksuale.

Ushqyerja me gji nuk është një metodë e besueshme e kontracepsionit, ngaqë kjo e vonon, por nuk garanton mungesën e ovulacionit.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.20-21 të botimit elektronik të revistës BETTY (TETOR 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>