1. Pere, si arrite të qëndrosh në formë këtë vit me pandemi dhe të tërheqësh bukuri rreth vetes si në karrierë ashtu edhe në jetën private?
Ecja është ajo që më mban në formë fizikisht dhe mendërisht. Është aktivitet që me plot kuptimin e fjalës më shtyn të mbyllem në vete dhe të shijoj natyrën. Përveç ecjes, shpesh ngas edhe biçikletën për disa orë. Ishte aktiviteti im i parapëlqyer ndërsa jetoja në Barcelonë, të hulumtoja qytetin duke ngarë nëpër rrugët më të fshehta.
Pjesën më të madhe të kësaj vere e kaluam në Ohër, ku çdo ditë ndaja kohë për shëtitje dhe zbulimin e bukurive të reja të qytetit dhe zonës përreth. Ndërsa për të tërhequr bukuritë rreth vetes, duhet të kesh qëndrim dhe energji pozitive, por edhe të dish të qëndrosh larg gjithçkaje që të sjell energji dhe mendime negative. Si secili prej nesh, edhe unë kohë pas kohe e gjej veten të rrethuar nga njerëz që më thithin energjinë dhe shpirtin, si në fushën profesionale ashtu edhe në atë private, gjë që jo rrallëherë më rraskapit, por për fat të mirë janë më të shumtë ata që përhapin pozitivitet.
2. Keni mbajtur disa koncerte në mbarë Maqedoninë me Nokaut. Çfarë masash morët për të mbrojtur shëndetin e adhuruesve?
Nuk pranonim të këndonim nëse organizatori i shfaqjes/koncertit nuk merrte përsipër respektimin e të gjitha masave mbrojtëse. Me fjalë të tjera, sigurimin e një vendndodhje ku audienca të ishte në gjendje që të mbante distancën, matjen e temperaturës në hyrje, të kishte mjete për dezinfektim dhe, natyrisht, shfaqja të mbahej në ambient të hapur.
Periudha pa shfaqje dhe muzikë ishte një periudhë e vështirë për të gjithë ne, por shëndeti i adhuruesve është në radhë të parë për ne. Këtë e vërtetuam në koncertet tona në Gostivar, në Teatrin Antik në Ohër dhe në Herakle, ku numri i biletave ishte rreptësisht i kufizuar dhe organizatorët u siguruan që të mos shkeleshin masat mbrojtëse.
3. Nokaut ishte fituesi i ‘’Makfest“ për këtë vit, duke u shpërblyer me çmimin e parë. Urime për çmimin, prej ku buron suksesi i Nokaut kohëve të fundit?
Faleminderit për uratat dhe uroj që t'ju kthehen me sukses edhe më të madh. Fitorja në " Makfest " vetëm dëshmoi se Nokaut është një emër dhe markë me domethënie në skenën maqedonase. Shumë rrallë kemi marrë pjesë nëpër festivale, jo sepse mendojmë se nuk na meritojnë, por sepse e kemi drejtuar vëmendjen në tjetër drejtim.
Kur është fjala për " Makfest ", vendosëm që 35 vjetori është një rast i shkëlqyer për të performuar përsëri dhe ja që ndodhi të jetë e treta e vërteta. E dinim që kishim një këngë cilësore, të cilën e punuam së bashku me Ognen Nedelkovskin (tekstshkrues) dhe të birin Filipin, me të cilin bashkëpunuam për muzikën dhe, kuptohet, me mikun dhe bashkëpunëtorin tonë të vjetër Darko Dimitrovin, i cili ishte përgjegjës për produksionin.
Ndërsa për suksesin ishte meritor i gjithë grupi: Gorjani, Bageja, Viktori, Borçeja, Bojani dhe Gorançoja, por edhe përkushtimi ndër vite, dashuria për muzikën, këmbëngulja pavarësisht baticave dhe zbaticave, familjet tona dhe njerëzit që në një mënyrë apo në një tjetër na kanë ndihmuar dhe, pa dyshim, më meritorët nga të gjithë - adhuruesit tanë, pa mbështetjen e të cilëve asnjë nga këto nuk do të ishte e mundur e as e rëndësishme. Ndonëse s’do mend që ky nuk është një sukses i menjëhershëm, por vjen si rezultat i punës së palodhshme 23 vjeçare.
4. Nokaut ka qëndruar në krye të skenës muzikore në vend për vite me rradhë. Si ia dilni të jeni të bashkuar dhe të suksesshëm gjatë gjithë këtyre viteve?
Kur je me njerëzit e duhur, me të cilët ke përputhje mendimesh dhe ndan të njëjtën dashuri, suksesi është i pashmangshëm. Grupi është si një organizëm i gjallë. Nëse nuk jeni të lidhur dhe nëse nuk funksiononi si një tërësi dhe për të njëjtin qëllim, si dhe nëse nuk kushtohet secili me të gjitha forcat, atëherë ai do të sëmuret.
Pata fatin të lidhesha me njerëz që janë muzikantë jashtëzakonisht të mirë, secili me një portofol të pasur muzikor. Por, mbi të gjitha, janë njerëz të cilët i quaj miq, me të cilët shoqërohem në jetën private dhe me të cilët nganjëherë di të grindem, por edhe t'ia kaloj shumë mirë. Më e rëndësishmja është se kur jemi në skenë ndjehemi më të sigurt dhe më të lidhur se asnjëherë. Kushdo që ka qenë në koncertet tona e di se për çfarë e kam fjalën.
5. Ku e gjen më së shumti motivimin dhe frymëzimin?
Frymëzimi im është dashuria, në çdo formë të mundshme. Ndaj bashkëshortes dhe vajzave të mia, ndaj prindërve, vëllait, miqve, ndaj qenit tim Brcos. Ndaj muzikës. Frymëzim më jep edhe ndjenja se përkas diku dhe me dikë. Po ashtu frymëzohem nga lindja e diellit. Perëndimi i diellit. Udhëtimet. Ëndrrat. Trishtimi. Shiu. Ndodh të më frymëzojë një bisedë, gjest, tingull... Ndërsa motivimi im janë adhuruesit dhe dëshira për të dhënë kontributin tonë në promovimin e muzikës origjinale maqedonase.
6. Si duket një ditë e zakonshme për Peren?
Së fundi gjithçka lidhet me pritjen për ardhjen në jetë të vajzës sime të tretë. Zgjohem me mendime pozitive dhe me shpresën se do t'ia dalim të ndërtojmë një botë të bukur për të, ashtu siç jam përpjekur dhe ende përpiqem edhe për dy vajzat e tjera, Mihaelën dhe Kajën.
Pastaj vazhdoj me kafe ose çaj, shëtitje ose çiklizëm nëse e lejon moti, pastaj një mëngjes të gjatë me dashurinë time Jovanën. Pjesën më të madhe të ditës e kaloj në studio, duke punuar në albumin tonë të ri, të katërtin me radhë. Mundohem të ndaj kohë çdo ditë për Mian dhe Kajën dhe patjetër, për një bisedë me prindërit e mi në shoqëri të kafesë. Gjatë epidemisë më duhej të bëja ndryshime rrënjësore në stilin e jetës dhe të kufizoja daljet me miqtë, por nga ana tjetër, kam më shumë kohë për veten dhe të dashurit e mi.
7. A i përmbahesh ndonjë diete të veçanta gjatë kësaj periudhe?
Mundohem të ha sa më shumë fruta dhe perime të freskëta dhe të qëndroj i hidratuar. Bëj çmos që të mënjanoj karbohidratet dhe sheqernat, edhe pse nuk është gjithmonë e lehtë, veçanërisht duke pasur parasysh se jam adhurues i madh i çokollatave dhe makaronave të gatuara mirë. Jovana është ajo që përpiqet të më kontrollojë, edhe pse nganjëherë gëlltis fshehurazi ndonjë kub çokollatë.
Unë jam qejfli i të ngrënit. Më pëlqen të gatuaj dhe të ha dhe e kam të vështirë të mbaj dietë. Gjatë kësaj periudhe do të provoj agjërimin me ndërprerje dhe besoj se do të ketë efekt të mirë, të paktën sipas asaj që kam dëgjuar nga miqtë e mi dhe që kam lexuar. Pra, të ngrënit vetëm 8 orë në ditë dhe agjërim në 16 orët e mbetura. Më uroni fat!
8. Si e mbron veten dhe familjen gjatë pandemisë?
Meqenëse Jovana është kah fundi i shtatzënisë, jemi shumë të kujdesshëm dhe u përmbahemi të gjitha masave mbrojtëse. Kemi kontakte të kufizuara që përfshijnë vetëm me të afërmit, gjithmonë mbajmë maskë kur dalim, lajmë dhe dezinfektojmë duart rregullisht, mbajmë distancën dhe natyrisht një dietë që forcon imunitetin.
9. Sa kohë i kushtoni stërvitjes për të ruajtur kondicionin e trupit?
Përveç ecjes së përditshme ose çiklizmit, nuk praktikoj asnjë lloj ushtrimi tjetër. Kam provuar të shkoj në palestër, por parapëlqej aktivitetin fizik në ambient të hapur, të rrethuar nga natyra.
10. Cili është mesazhi yt për lexuesit e revistës BETTY?
Qëndroni të sigurt, në distancë dhe të mbrojtur. Vetëm me disiplinë do të jemi në gjendje ta mposhtim këtë të keqe që e ka pllakosut të gjithë botën. Ushqehuni shëndetshëm, duajeni njëri-tjetrin, mendoni pozitivisht dhe qëndroni larg atyre që jua thithin energjinë. Dhe, medoemos dëgjoni muzikë origjinale maqedonase!
Nikolla Perevski, Grupi Nokaut
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.10-13 të botimit elektronik të revistës BETTY (NËNTORI 2020).
KALKULATORI DIETIK
Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.