|
Për sigurinë e më të dashurve
Kur bëhet fjalë për dekorimin e dhomës së foshnjave, menjëherë na shkon mendja për orenditë e zgjedhura me shije, elementet dhe ngjyrat e hareshme dhe të larmishme e të ngjashme. Por në fakt, dhoma e foshnjave kërkon shumë më tepër vëmendje sesa mendojmë. Prindërit duan më të mirën dhe cilësinë më të lartë për më të dashurit e tyre, ndërsa duke dashur të krijojnë këndin më të bukur për foshnjën, ndodh që të harrojnë anën praktike dhe funksionale.
Ekzistojnë disa veçori kryesore që duhet të merren parasysh për zhvillimin e duhur dhe të shëndetshëm të foshnjës. Nuk duhet harruar se kushti më i rëndësishëm gjatë dekorimit të dhomës duhet të jetë siguria e foshnjës.
Raftet në të cilat do të vendosni lodrat dhe elementet dekorativë duhet të përforcohen në mënyrë të sigurt në mur dhe të kenë lartësinë e duhur. Sidomos në periudhën kur fëmija fillon të ecë, është domosdoshme që të gjitha elementet në dhomën e fëmijës të jenë të qëndrueshme, të ngulitura dhe me mbrojtëse për sipërfaqet e mprehta.
Meqenëse fëmija kalon shumicën e kohës në krevatin e tij, përveç modelit dhe ngjyrave, është tejet e rëndësishme të dini se sa të sigurta janë gjërat që gjenden në të.
Ja se ku duhet të përqendroheni kur zgjidhni krevatin e fëmijës:
- Binarët anësorë të krevatit duhet të jenë mjaftueshëm të ngushtë, midis të cilëve fëmija nuk do të jetë në gjendje të futë kokën.
- Lartësia e krevatit duhet të rregullohet në përputhje me moshën e fëmijës dhe me kalimin e kohës, ndërsa fëmija juaj rritet, duhet të ulni nivelin e krevatit.
- Disa ekspertë mbështesin qëndrimin se mundësia e mbytjes duhet t'ju shtyjë të hiqni jastëkët anësorë që ndodhen në të dy anët e krevatit.
- Dysheku që do të vendoset në krevatin e fëmijës nuk duhet të jetë shumë i butë dhe duhet të ketë një hapësirë prej më shumë se dy centimetrash.
- Krevati i fëmijës nuk duhet të vendoset asnjëherë pranë dritares. Sidomos nëse ka perde pranë krevatit, gjithmonë ekziston rreziku i varjes në perde.
- Lodrat zbukuruese që bashkëngjiten mbi krevatin e fëmijës duhet të jenë në një lartësi që fëmija nuk do të mund t'i prekë. Me kalimin e kohës, këto lodra duhet të zhvendosen pak më lart.
Për elementet e tjera që zakonisht janë pjesë e dhomës së fëmijës:
- Tavolina e ndërrimit duhet të jetë e ngjitur mirë me sipërfaqen në të cilën ndodhet.
- Pjesa e butë e tavolinës së ndërrimit duhet të ketë mure të forta në të dy anët, gjë që kontribuon në sigurinë e saj.
- Nëse planifikoni të shtoni rafte ose një dollap të vogël afër tavolinës së ndërrimit, ku mund të ruani kremrat, ato duhet të jenë të paarritshme për fëmijën.
- Të gjithë dollapët dhe sirtarët që do të jenë pjesë e dhomës së fëmijës, duhet të kenë mekanizma që ngadalësojë mbylljen e dyerve dhe kapakëve.
- Të gjithë lidhësit e elementeve duhet të jenë të përforcuar mirë dhe me skaje të rrumbullakosura ose të mbrojtura.
- Shmangni vënien e kornizave ose pasqyrave të rënda në muret e dhomës. Nëse dëshironi ta bëni këtë, sigurohuni që të jenë në lartësinë e duhur dhe të qëndrueshme.
- Të gjitha prizat në dhomë duhet të mbulohen ose mbrohen.
- Kabllot nga pajisjet elektronike duhet të jenë të paarritshme për fëmijën.
- Kur zgjidhni lodra dhe elemente dekorative në dhomë, gjithmonë preferoni që të jenë të përbëra nga materiale natyrore.
- Meqenëse ngjyrat ndikojnë në gjendjen tonë mendore, kur zgjidhni ngjyrat për muret, zgjidhni ngjyrat pastel dhe të qeta. Ngjyra e kaltër si qumësht, e gjelbër dhe kremoze, të cilat janë ndër ngjyrat themelore të natyrës, kanë veprim qetësues.
- Kur zgjidhni qilimin, kini vëmendjen te materialet sintetike dhe përbërjet antibakteriale.
- Ndriçimi në dhomë duhet të jetë qendror, ose nëse ka pajisje ndriçimi, ato duhet të jenë në disa vende dhe me dritë jo shumë të fortë.
- Kurrë mos e lini bejbifonin brenda në krevatin e fëmijës.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.17 të botimit elektronik të revistës BETTY (NËNTORI 2020).