|
Ju pëlqen ose jo, mustaqet janë aktuale çdo vit, veçanërisht në nëntor. Viteve të fundit, fjalën ''movember'' e dëgjojmë çdo nëntor, por pse ndodh kjo dhe çfarë kuptimi ka në të vërtetë kjo dukuri mbarëbotërore gjatë kësaj periudhe të vitit?
Çfarë është ''Movember''?
Çdo vit, në nëntor, burrat anembanë botës rritin mustaqe, gjë që ka kuptim shumë më të thellë sesa thjesht zbukurimi i fytyrës me ca qime shtesë. Me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për shëndetin e burrave, në nëntor, përveç ekzaminimeve të rregullta vjetore, burrat inkurajohen që të jenë të vetëdijshëm për historinë familjare të kancerit dhe të nisin një mënyrë jetese të shëndetshme. Nëse vini re se gjithnjë e më shumë burra rritin mustaqe ose mjekër, mos hamendësoni se ka të bëjë me të qenët përtac ose me një trend të ri. ''Movember'' është një fushatë njëmujore për mbledhjen e parave dhe rritjen e ndërgjegjësimit në lidhje me problemet shëndetësore që i prekin burrat, si kanceri i prostatës, kanceri i testikujve dhe problemet e shëndetit mendor, si depresioni dhe ankthi.
Ideja për fushatën ''Movember'' lindi në vitin 2003 në Melburn, Australi. Në sfidën e parë ''Movember'', një grup prej 30 miqsh australianë (të vetëshpallur "Mo Bros") sfiduan njëri-tjetrin që të rrisnin mustaqe për një muaj, thjesht për të parë nëse do të mund ta rikthenin stilin në popullaritet. Të befasuar nga aftësia e mustaqeve të tyre të guximshme për të provokuar biseda, themeluesit vendosën që të lidhnin sfidën me një kauzë të denjë, por të lënë pas dore - shëndetin e burrave, pas së cilës lindi Fondacioni Movember.
Synimet e ''Movember'' vazhdojnë të jenë stimulimi i bisedave dhe rritja e ndërgjegjësimit në lidhje me kancerin e prostatës, por sot, vëmendja e projektit është zgjeruar edhe te kanceri i testikujve dhe problemet e shëndetit mendor. Shkalla e kancerit të testikujve në 50 vitet e fundit është dyfishuar, ndërsa e njëjta gjë parashikohet edhe për shkallën e kancerit të prostatës në 15 vitet e ardhshme. Këto probleme shëndetësore vazhdojnë të kapërdihen në heshtje, e cila, falë ''Movember'' dalëngadalë po thyhet.
Nëse edhe ju dëshironi të bëheni pjesë e ''Movember'', thjesht rritni mjekrën gjatë muajit nëntor, filloni sa më shumë biseda rreth shëndetit të burrave ose dhuroni para për organizatat joqeveritare përkatëse.
''Movember'' është një mënyrë e shkëlqyer për të thyer heshtjen kur është fjala për shëndetin e burrave në nivel global. Për të festuar fillimin e ''Movember'', më poshtë ju paraqesim disa fakte interesante në lidhje me mustaqet:
- Në kompletin e kartave, vetëm mbreti zemër është pa mustaqe.
- Burrat kalojnë afërsisht gjashtë muaj të jetës së tyre duke rruajtur ose duke u kujdesur për mjekrën.
- Në Eureka, Nevada, burrat me mustaqe e kanë të ndaluar të puthin gra.
- Në shtetin indian Madhja Pradesh, besohet se oficerët e policisë që kanë mustaqe veprojnë me autoritet më të madh dhe kjo është arsyeja pse shteti u paguan bonuse atyre që kanë mustaqe.
- Artefakti i parë historik që paraqet mustaqe daton që nga viti 300 p.e.s., ku shihet një kalorës iranian me mustaqe të trasha dhe të zeza.
- Një studim në Universitetin e Southern Queensland në Australi zbuloi se qimet e fytyrës mund të zvogëlojnë rrezikun e kancerit të lëkurës duke fshehur fytyrën nga rrezet e dëmshme UV.
- Fytyra e një burri ka midis 10,000 dhe 20,000 qime, ndërsa numri mesatar i qimeve në mustaqe është 600.
- Sipas Librit të Rekordeve Guinness, Ram Sing Çauhan mban rekordin për mustaqet më të gjata. Ai ka filluar të rritë mustaqet që nga viti 1982 dhe gjatësia e tyre tani është 14 metra.
- Mesatarisht, një burrë me mustaqe prek mustaqet 760 herë në ditë.
- Marinsave amerikanë nuk u lejohet të rritin mustaqe më të gjata se 1.5 centimetra.
- Ekspertët pohojnë se përdredhja e skajeve të mustaqeve rrit përqendrimin dhe aftësinë njohëse.
Rregullat që duhet të ndiqni nëse doni të bëheni pjesë e kësaj lëvizjeje globale:
- Më 1 nëntor duhet të jeni të rruajtur dhe të nisni praktikisht nga e para me rritjen e mustaqeve.
- Zgjidhni stilin që ju shkon më së shumti.
- Mustaqet mund t'i shkurtoni kohë pas kohe, por nuk duhet t'i hiqni deri në fund të muajit.
- Mos harroni se po ndryshoni shumë më tepër sesa thjesht pamjen tuaj. Përshtatni sjelljen, edukoni veten dhe informoni të afërmit tuaj për shëndetin e burrave.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.30 të botimit elektronik të revistës BETTY (NËNTORI 2020).