Dr. Biljana Todorova
Klinika e endokrinologjisë, diabetit dhe sëmundjeve të metabolizmit
|
Mbipesha ose obeziteti është një sëmundje komplekse që karakterizohet nga sasitë e tepërta të yndyrës në trupin e njeriut. Mbipesha nuk është vetëm problem estetik, por edhe problem mjekësor që rrit rrezikun e sëmundjeve dhe problemeve të tjera shëndetësore.
Mbipesha përcaktohet nga indeksi i masës trupore (BMI). Ky indeks fitohet duke pjesëtuar peshën e trupit të shprehur në kilogram me gjatësinë e trupit të shprehur në metra - për katror. Njerëzit me indeks të masës trupore më të ulët se 18.5 kg/m2 janë nënpeshë, nga 18.5 - 24.9 kg/m2 janë me peshë normale trupore, kurse njerëzit me BMI prej 25.0 - 29.9 kg/m2 janë mbipeshë. Nga aspekti klinik, më së shumti duhet të shqetësohen personat me BMI prej 30.0 - 34.9 kg/m2 - klasa I e mbipeshës, 35.0 - 39.9 kg/m2 klasa II e mbipeshës dhe sidomos 40 kg/m2 dhe më lart, të cilët klasifikohen në klasën III të mbipeshës ose obezitet morbid.
Ka një sërë arsyesh pse disa njerëz kanë vështirësi në shmangien e mbipeshës. Zakonisht është rezultat i faktorëve të lindur, të kombinuar me faktorët e mjedisit, dietat dhe mënyrat e të ushqyerit, ndonëse varet edhe nga aktiviteti fizik. Lajmi i mirë është se edhe humbja më e vogël në peshë mund të përmirësojë ose parandalojë problemet shëndetësore që paraqiten për shkak të mbipeshës. Përveç faktorëve gjenetikë për mbipeshën, ekziston edhe një ndikim metabolik dhe hormonal në peshën e trupit. Rritja e saj ndodh edhe kur merren më shumë kalori sesa trupi mund të harxhojë nëpërmjet aktivitetit fizik dhe aktiviteteve ditore. Në këtë rast trupi i depoziton kaloritë e tepërta në yndyrë.
Një dietë e pasur me shumë kalori, si ushqimi i shpejtë dhe ushqimet me kalori të lartë ka shumë të ngjarë të çojnë në obezitet. Njerëzit obezë mund të hanë më shumë kalori para se të ndjehen të ngopur, i merr shpejt uria ose hanë më shumë si rezultat i stresit ose ankthit. Nga ana tjetër, faktorët gjenetikë mund të kenë ndikim në sasinë e yndyrnave që depozitohen në trup dhe shpërndarjen e tyre. Po aq të rëndësishme janë efektiviteti me të cilin trupi shndërron ushqimin në energji, mënyra se si trupi rregullon oreksin dhe mënyra se si i djeg kaloritë gjatë aktivitetit fizik.
Shpeshherë ndodh që obeziteti të jetë i pranishëm te më shumë anëtarë në familjen më të ngushtë. Kjo nuk vjen vetëm si pasojë e faktorëve gjenetikë, por edhe për shkak të zakoneve të ngjashme të të ushqyerit dhe aktivitetit fizik. Dieta me shumë kalori, me pamjaftueshmëri të frutave dhe perimeve, përdorimi i ushqimit të shpejtë dhe ngrënia e porcioneve të mëdha, si dhe konsumimi i pijeve kalorike (alkoolike, të gazuara) që nuk të ngopin, e gjithë kjo e kombinuar me pasivitet fizik dhe shumë orë të kaluara para ekraneve, pa dyshim që çon në obezitet.
Obeziteti mund të paraqitet edhe në suaza të disa sëmundjeve endokrinologjike, probleme të tilla si artriti, dhe kur përdoren disa ilaçe (ilaçet kundër depresionit, antiepileptikët, antipsikotikët, ilaçet e diabetit, kortikosteroidet dhe beta-bllokuesit). Në këtë mes nuk mund të lihen pa përmendur edhe faktorët socialë dhe ekonomikë, të cilët janë të lidhur ngushtë me obezitetin. Mungesa e financave për të siguruar ushqim të shëndetshëm dhe ekzistimi i njerëzve obezë në familje, me të cilët kalojnë më shumë kohë, mund të rrisin rrezikun e obezitetit.
Obeziteti mund të ndodhë në çdo moshë, madje edhe tek fëmijët e vegjël. Por me procesin e plakjes, ndryshimet hormonale dhe aktiviteti fizik i zvogëluar, rreziku i obezitetit rritet. Shtatzënia është një periudhë kur fitohet shumë peshë trupore. Të gjitha gratë shtatzëna duhet të këshillohen që të ushqehen shëndetshëm, të hanë një dietë të përshtatur nga ana sasiore dhe të harrojnë teorinë se në shtatzëni duhet të hahet për dy vetë. Kjo peshë trupore që fitohet mund të bëhet shkak për obezitetin më vonë në jetë, prandaj është mirë që çdo grua të humbasë kilogramët e tepërt të fituar gjatë ushqyerjes me gji.
Ndërprerja e pirjes së duhanit, me ç'rast cigaret zëvendësohen me ushqim, mund të bëhet shkaktar i obezitetit. Mungesa e gjumit ose gjumi i tepërt dhe situatat stresuese që shoqërohen me ngrënie të tepërt, sidomos ushqime me shumë kalori, po ashtu mund të çojnë në rritje të oreksit dhe obezitet. Është shumë e rëndësishme të theksohet efekti yo-yo, ku metabolizmi ngadalësohet dhe përpjekjet e mëparshme për të humbur peshë pasohen nga fitimi i shpejtë në peshë trupore, që mund të çojë në fitim afatgjatë në peshë dhe obezitet.
Njerëzit obezë janë në rrezik të rritur të zhvillimit të një numri të problemeve serioze shëndetësore, si
sëmundjet kardiovaskulare dhe goditjet në tru, diabeti i tipit 2, rreziku i kancerit (të mitrës, vezoreve, gjirit, zorrës së trashë, ezofagut, mëlçisë, fshikëzës së tëmthit, pankreasit, veshkave dhe prostatës),
problemet me sistemin e tretjes (vështirësi në tretjen e ushqimit, gurë në fshikëzën e tëmthit dhe probleme të mëlçisë),
problemet gjinekologjike dhe seksuale (infertilitet, cikle menstruale të parregullta te femrat, probleme të ereksionit te meshkujt),
apnea e gjumit (ndërprerjet e frymëmarrjes në gjumë),
simptoma të rënda të COVID-19 (obeziteti është faktor i lartë rreziku për zhvillimin e një forme të rëndë të sëmundjes në infeksionet me koronavirus).
Obeziteti ndryshon shumë cilësinë e jetës. Njerëzit obezë mund të ndihen “të diskriminuar”. Këta njerëz shpesh vuajnë nga depresioni, problemet seksuale, izolimi shoqëror me një ndjenjë turpi dhe faji, kapaciteti më i ulët i punës etj.
Hapat për të parandaluar fitimin në peshë trupore janë të njëjtë me ato të humbjes në peshë: aktiviteti fizik i përditshëm, një dietë e shëndetshme dhe kujdesi në përzgjedhjen e ushqimeve dhe pijeve që konsumohen çdo ditë. Aktiviteti fizik me intensitet mesatar (p.sh. ecja e shpejtë dhe noti), për 150-300 minuta në javë, është shumë i dobishëm në parandalimin e obezitetit. Për më tepër, këshillohet një dietë e shëndetshme, që synon ngrënien e ushqimeve me pak kalori, më shumë fruta, perime, drithëra dhe zvogëlimin e yndyrnave të ngopura, sheqernave, alkoolit. Gjituashtu këshillohet që të hani tre vakte të shëndetshme në ditë, të shoqëruar me ngrënie të kufizuar të mesvakteve. Mos harroni të matni peshën një herë në javë!
Në përgjithësi, obeziteti duhet dhe mund të trajtohet. Këshillohen para së gjithash ndryshimet në stilin e jetës (të ushqyerit, rritja e aktivitetit fizik, ndryshimet në sjellje). Individët që kanë një BMI prej 30kg/m2 ose më shumë, duhet të marrin parasysh marrjen e barnave për dobësim. Në rastet kur indeksi BMI është më i lartë se 27 kg/m2 dhe njerëzit kanë komplikime të lidhura me obezitetin, po ashtu duhet të merret parasysh trajtimi me barna për dobësim.
Ekzistojnë edhe procedura kirurgjikale për zvogëlimin e peshës që lejohen tek njerëzit me BMI prej 30 kg/m2 dhe më shumë, kur dieta dhe aktiviteti fizik nuk rezultojnë në humbje peshe. Te njerëzit me obezitet morbid, me BMI 40 kg/m2 dhe më shumë ose BMI prej 35-39.9 kg/m2, por të shoqëruar me probleme të tjera shëndetësore, mund të mendohet mundësia e ndërhyjes kirurgjike për zvogëlimin e peshës.
Krahasuar me njerëzit me peshë normale të trupit, njerëzit obezë kanë rrezik nga 50% - 100% më të madh të vdekjes së parakohshme. Për këtë arsye, obeziteti duhet të identifikohet dhe të parandalohet në kohë, meqenëse trajtimi i tij është i mundimshëm dhe më shpesh kërkon një qasje multidisiplinore nga disa fusha të ekspertizës.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.5-6 të botimit elektronik të revistës BETTY (JANAR 2020).