Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Parashikimi i tendencave të modës 2021

January 1, 2021

Frosina Fran
stilist

|



Mos e besoni po deshët, por viti 2021 veç sa s'ka mbërritur. Kjo do të thotë se jemi rrugës drejt tendencave krejtësisht të reja të modës. Duke analizuar koleksionet S/S 21, veçova disa tendenca që me kënaqësi do t'i vishja menjëherë, por edhe ato që me kënaqësi do t'i kapërceja.

E pra, cilat u gjenden në këtë listë?

Rezulton se ka shumë për të parë, nga motivet dhe modelet mbresëlënëse që përsëriten kudo, deri te veshjet bazike që përshtaten në mënyrë të përkryer me veshjet e shtresuara dhe një ngjyrë e veçantë që do të gjendet në dollapin e secilit që ndjek modën.

 Bluzat e ngushta

S'ka gjë që më pëlqen më shumë se sa veshjet bazike me shumë përdorime, të cilat janë gjithçka përveçse bazike. Prandaj, këto bluza që mund të quhen ''lëkurë e dytë'', janë një nga tendencat e dalluara që i kam me qejf për sezonin e ardhshëm. I parë në pistat S/S 21 të dizajnerëve si Miu Miu, Givenchy dhe Marin Serre, ky është artikulli me të cilin do të eksperimentojë çdo e dhënë pas modës gjatë muajve të ardhshëm, këtë jua garantoj. Pavarësisht nëse kombinohet me triko sportive ose mbahet nën triko të thurur dhe pantallona të gjera, siç e pamë në shfaqjet e markës Prada, hapësira e përdorimit të tyre është e pafundme.

Jelekët

Trendi që më ngjall kureshtjen për vitin e ardhshëm janë jelekët. Jeleku i thurur me pulovër ka një moment të madh rikthimi këtë sezon dhe mendoj se do të ketë një evolucion në ta. Tani do të vishni jelekë shushuritës, të mbushur me tegela, në përgjithësi versione më të ngrohta, kurse me ardhjen e pranverës, do të kaloni në variante të lehta.



Roza ''bubblegum''

Kam qenë gjithmonë adhuruese e ngjyrave të guximshme dhe jam shumë e lumtur që kjo ngjyrë e fuqishme rozë do të freskojë dollapët tanë në sezonin e ardhshëm. Ngjyrat e tilla janë gjithmonë të forta në të shprehurit e modës, sidomos kur kombinohen me ngjyra asnjanëse, si ngjyrë hiri, krem dhe të ngjashme.

Keni diçka, ''Barbie'', nëpër shtëpi? Nëse nuk keni, vraponi për të marrë!

''Lidhëset''

Tashmë kemi parë një version të këtij trendi vitin e kaluar, në formën e lidhëseve të korsesë, mirëpo këtë vit janë transformuar në detaje shumë më delikate që i plotësojnë edhe veshjet më të thjeshta.

Pantallonat e gjera

Kishte një mori pantallonash të gjera të lirshme në pasarelat e sezonit pranveror dhe mua veçanërisht më pëlqeu se si ishin stiluar ato të markës Fendi. Ky trend të jep një ndjesi aq të hatashme sa që nuk mund të mos dukesh e hijshme në to. Por unë mendoj se janë të rezervuara vetëm për ata me trup më të hollë. Vajzave më të plota nuk u shkojnë shumë për shtat pantallonat e gjera.



Mikro mini fundet

Skajet e fundeve sa shkonin e ngjiteshin më lart në sezonin pranveror të vitit 2021, veçanërisht në shfaqjen e Miu Miu, ku minifundet mikroskopike të kombinuara me trikotazh me mëngë të shkurtra më transportuan në vitet '60. Për ata që kanë këmbë të holla ky është një lajm shumë i mirë. Për ne më të plotat, është vetëm lajm.

Zinxhirët e gjatë

U gëzova shumë kur pashë zinxhirë më të gjatë në pistat S/S 21 dhe përfundimisht mezi po pres që ta përshtat këtë trend të bizhuterive në garderobën time. Në përgjithësi, unë gjithmonë mbaj gjerdanë të mëdhenj dhe të gjatë, kështu që jam e lumtur që do të ketë shumë më tepër në treg këtë vit. Ky artikull strukturor nga Bevza më tërhoqi vërtet vëmendjen.

Fusha e shahut

Fusha e shahut është një trend që vazhdon të ndërtohet që nga viti i kaluar, dhe jam e ngazëllyer që do të vazhdojmë ta shohim edhe në S/S 21. Është shumë më emocionuese sesa shiritat ose pikat. E adhuroj setin grafik në tri pjesë (plus këpucët!) të Dolce & Gabbana. Variacionet e temës në ngjyra të papritura janë mjaft zbavitëse dhe freskuese.



Tangat dhe hapjet e integruara

Diçka shumë seksi dhe e mrekullueshme u shfaq në pasarelat modës që më tërhoqi vëmendjen. Ky trend, ndonëse mund të mos jetë për çdokënd, në doza të moderuara mund të përkthehet edhe në kombinime të përditshme. Për shembull, këto pantallona pothuajse klasike të zeza me hapje diskrete mund të kombinohen lehtësisht me një bluzë me mëngë të shkurta ose pulovër të gjerë.



Bluza të thurura me mëngë

Bluzat e thurura me mëngë janë në modë për momentin dhe pamja do të vihet edhe më shumë në qendër të vëmendjes në vitin 2021. Mezi pres të provoj disa silueta të ndryshme, si një mënyrë e lehtë për ta sjellë atë sofistikim modern në atmosferë.



Edhe pse të përmbledhura kështu shkurtimisht, këto janë tendencat e modës që shquhen në krijimet e dizajnerëve për sezonin e ardhshëm, se sa dhe si do të vijnë në vendin tonë mbetet për t'u parë. Nga ana tjetër, dua të shtoj se megjithatë bëhet fjalë për tendenca që përfshijnë vetëm modele të përmasave 0, përkatësisht pak prej tyre janë edhe për gratë e përditshme. Artikuj të tillë do të gjeni në mini linjat për gratë me forma - franplusfashion, ku përpiqemi t'ju sjellim më afër tendencave të modës, të përkthyera në variante për gratë normale, pa mos harruar të përmend klasikët e modës, që duhet të gjenden në dollapin e çdo gruaje.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.22-23 të botimit elektronik të revistës BETTY (JANAR 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>