prof. dr. Slagjana Anglekoska
psikolog
|
Njohja dhe shprehja e ndjenjave te fëmijët e talentuar
Zhvillimi emocional është një nga proceset më të rëndësishme në zhvillimin e personalitetit, që zhvillohet nën ndikimin e maturimit dhe të mësuarit shoqëror. Reagimet emocionale i ndjekin të gjitha përvojat tona, ato janë një proces psikik me të cilin i japim vlerë asaj që përjetojmë dhe u qasemi në mënyrë subjektive ngjarjeve, njerëzve dhe veprimeve tona. Përveç përvojave subjektive, ky proces ngjall ndryshime organike dhe të sjelljes. Këto ndryshime janë të ndërlidhura: si ndihemi ashtu edhe sillemi.
Si lindin emocionet?
Vëzhgimi i një fenomeni të caktuar shkakton reagime të drejtpërdrejta trupore, kurse emocioni është përgjigjja jonë ndaj atyre reagimeve trupore. Stimuli udhëton nga receptorët në talamus ku sinjali përkthehet në gjuhën e trurit. Pjesa më e madhe e sinjaleve transmetohen në pjesën e korteksit ku analizohet dhe interpretohet kuptimi i tyre dhe përgatitet një përgjigje. Nëse përgjigjja është sinjal emocional, ajo i dërgohet amigdalës, e cila është një roje mendore dhe emocionale që mund të shkaktojë përgjigje emocionale para se truri i arsyeshëm të vlerësojë se çfarë po ndodh me të vërtetë. Shpërthimet emocionale para përfshirjes së trurit të arsyeshëm më shumë e pengojnë sesa e ndihmojnë personin, ndërsa kjo varet nga ndërveprimi i korteksit paraballor dhe sistemit limbik, pjesë e neokorteksit e cila është përgjegjëse për vetëkontrollin dhe qetësimin e reagimeve emocionale.
Zhvillimi i emocioneve te fëmijët
Që nga lindja, fëmijët reagojnë ndaj ndikimeve të jashtme dhe ngjarjeve në trupin e tyre, ndonëse foshnjat reagojnë ndryshe kur janë të uritur, kur kanë ngërçe ose kur kanë të ftohtë. Pas lindjes, fëmija mund të ketë vetëm një gjendje të përgjithshme emocionale të papërcaktuar, që quhet
ngacmim i përgjithshëm dhe që ndodh pavarësisht nëse fëmija përgjigjet pozitivisht ose negativisht ndaj stimulit. Pas tre
muajsh mund të veçohen dy reagime themelore emocionale:
rehatia (kënaqësia) dhe parehatia (shqetësimi).
Deri në
muajin e gjashtë, nga parehatia dallohen tre emocione:
zemërimi, neveria dhe frika. Pak më vonë, deri në
muajin e nëntë, nga rehatia dallohet
dashuria për të rriturit. Rreth
muajit të trembëdhjetë, kjo e fundit shndërrohet në
dashuri për fëmijët. Në mes të
vitit të dytë, fëmija mund të reagojë
me xhelozi, ndërsa në
muajin e njëzetenjëtë është në gjendje të shprehë
gëzim.
Karakteristikat e emocioneve të fëmijëve
Emocionet e fëmijëve ndryshojnë ndjeshëm nga emocionet e të rriturve. Këto ndryshime vërehen në mënyrën e shfaqjes së emocioneve, shprehjes, intensitetit, shpeshtësisë dhe kohëzgjatjes. Fëmijët reagojnë menjëherë ndaj të gjitha ndryshimeve, ndërsa emocionet e tyre janë të dukshme përmes manifestimit të jashtëm: shprehjes dhe lëvizjes së tërë trupit. Emocionet e fëmijëve janë të forta dhe jetëshkurtra. Ashtu siç ndryshon stimuli, ndryshon edhe përgjigja pozitive apo negative emocionale. Të gjitha mënyrat e reagimit emocional pa kontroll emocional e bëjnë fëmijën të shprehë emocionet më ndryshe nga të rriturit.
Mund të veçojmë dy grupe emocionesh: emocione themelore ose parësore dhe komplekse.
Emocionet parësore
Emocionet e para që dallojmë janë emocionet themelore ose parësore: zemërimi, frika, gëzimi dhe trishtimi. Tre të parat rrisin tensionin dhe inkurajojnë aktivitetin, ndërsa trishtimi është një emocion me tension dhe aktivizim më të ulët. Zemërimi dhe gëzimi priren drejt qëllimit, ndërsa frika është një emocion që anon nga shmangia ose shpëtimi nga rreziku.
Zemërimi - shfaqet kur një pengesë ndërhyn në aktivitetin ose arritjen e ndonjë qëllimi, çka çon në zhgënjim. Zemërimi mund të shoqërohet me agresion të drejtpërdrejtë ose të matur. Me rritjen e fëmijëve, reagimet fizikisht agresive bien, kurse ato verbale rriten, por për shkak të pasojave të paleverdishme, fëmijët mësojnë se si ta kontrollojnë këtë emocion.
Frika - shfaqet në një situatë që kërcënon integritetin e personit. Frika shkaktohet nga ndryshime të papritura, pasi ato zvogëlojnë kontrollin mbi situatën dhe rrisin pasigurinë se rreziku mund të shmanget. Frika shoqërohet me ndryshime të forta në organizëm dhe sjellje. Frika mund të sillet nga një frikë e vogël në një ndjenjë tmerri.
Gëzimi - shfaqet pasi të arrihet qëllimi i dëshiruar. Intensiteti i gëzimit varet nga vlera e qëllimit të arritur, niveli i tensionit të mbledhur gjatë aktivitetit motivues dhe momenti në të cilin qëllimi arrihet ndërsa tensioni zvogëlohet.
Hidhërimi - ndodh pas humbjes së diçkaje të cilën e kemi synuar ose objektit që e kemi dashur. Te fëmijët, hidhërimi zhvillohet më vonë se emocionet e tjera kryesore, për shkak të kompleksitetit të strukturës së situatës në të cilën shfaqet ky emocion. Hidhërimi kërkon të kuptuarit për humbjen dhe pasojat që sjell ajo. Intensiteti mund të sillet nga një i matur deri në dëshpërimin më të madh për shkak të humbjes.
Neveria - emocion parësor i shkaktuar nga objekte të ndryshme kur i shohim, nuhasim, shijojmë ose prekim ato. Karakterizohet nga gjendje të pakëndshme shqisore dhe motorike, ndjesi trupore të shkaktuara nga të përzierat, prirja për të vjellë dhe reagime të tjera. Neveria shoqërohet nga një prirje e lartë për të shmangur.
Emocionet komplekse
Me moshën vjen deri te lidhja e qëndrueshme e emocioneve me proceset e tjera psikike: kognitive dhe konative. Zhvillimi i tyre lidhet me proceset e socializimit dhe standardet e vlerësimit.
Ky grup përfshin emocionet që lidhen me vetëvlerësimin, si ndjenjat e suksesit dhe dështimit, krenarisë, frikës, turpit, fajit dhe pendimit.
Ndjenja e suksesit - ndjek vetëvlerësimin subjektiv se rezultati është arritur, ndërsa rezultati i pafavorshëm çon në
ndjenjën e dështimit. Të dyja emocionet lidhen me nivelin e tyre të aspiratës dhe motivimit për të arritur.
Ndjenja e krenarisë - shfaqet me përvetësimin e vlerave relativisht të larta të personalitetit ose rolit të dikujt, ndërsa ndjenja e kundërt,
e frikës, shfaqet me vetëdijen për të metat e veta ose veprimet e pahijshme. Ky emocion shfaqet te fëmija pas formimit të unit të tij (viti i tretë). Për të zhvilluar këtë ndjenjë përdoren standardet e jashtme shoqërore për vlerësimin e sjelljes.
Ndjenja e fajit - shfaqet te personi i cili ndjen se ka shkelur normat morale dhe të sjelljes, ndërsa shoqërohet nga brejtja e ndërgjegjes.
Pendimi është një emocion i pakëndshëm që shfaqet kur kujtojmë sjelljen tonë për shkak të së cilës nuk kemi ndërgjegje të qetë. Intensiteti i kësaj ndjenje lidhet me përvojën e mëparshme.
Emocionet që lidhen me njerëzit e tjerë
Ky grup i emocioneve përfshin: dashurinë, xhelozinë, urrejtjen, përbuzjen, zilinë, keqardhjen, tërbimin, respektin e përzier me frikë.
Dashuria - është një ndjenjë që përmban ndjenjën e afrimit, butësisë dhe lidhjes me personin që na tërheq. Te fëmijët, dashuria ndaj nënës ndodh në vitin e parë, dhe për fëmijët e tjerë në fillim të vitit të dytë.
Urrejtja - është një ndjenjë në strukturën e së cilës ndodhen ndjenjat e mospëlqimit, zmbrapsjes dhe neveritjes.
Xhelozia - është ndjenjë që shfaqet si reagim ndaj një rreziku real ose të imagjinuar të humbjes së objektit të dashur. Ky emocion shfaqet në gjysmën e dytë të vitit të dytë të jetës së fëmijës. Ndaj xhelozisë, fëmija mund të reagojë hapur, me agresion fizik apo verbal, ose fshehurazi, me prapavajtje, frikë, belbëzim.
Zilia - është një emocion negativ që shfaqet te një person në situata kur vëren se personi i afërt posedon ose arrin atë që e dëshiron edhe vetë ai.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.24-25 të botimit elektronik të revistës BETTY (JANAR 2020).