Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Gjithçka që duhet të dini rreth kanabisit të përdorur për qëllime mjekësore

February 1, 2021

Gordana Trendovska Serafimovska
Farm. Dipl. Spec. për kontrollin dhe ekzaminimin e ilaçeve
Këshilltare për kanabisin
REPLEK FARM SHPKNJ, Shkup

|



Pas liberalizimit të përdorimit të kanabisit për qëllime mjekësore, që nga qershori i viti 2016, në Maqedoni, si dhe në mbarë botën, u shtrua pyetja se në cilën kategori duhet të futen produktet e kanabisit.

Nga njëra anë, janë shumë të fuqishme për t'u kategorizuar si shtesa ushqimore apo shtesa dietike, ndërsa nga ana tjetër, janë shumë bimore për t'u kategorizuar si ilaçe konvencionale të mjekësisë bashkëkohore.

Në vendin tonë, përpunimet e kanabisit, që përmbajnë përbërje të deklaruar të kanabinoidit parësor jopsikotrop, CBD dhe mungesë apo prani të kufizuar të THC-së psikotrope (me një maksimum prej 0.2% THC dhe një maksimum prej 2 mg konsum të përgjithshëm ditor TDI) janë të kategorizuara si produkte kufitare. Kjo kategori e produkteve kufitare gjendet në shitje të lirë, domethënë merret pa recetë nga mjeku.

Në anën tjetër, përpunimet dhe preparatet e kanabisit mjekësor, që përmbajnë një përbërje të deklaruar të THC-së psikotrope prej mbi 0.2%, vetëm ose në kombinim me kanabinoidin parësor jopsikotrop, CBD-në, janë të kategorizuara si preparate mjekësore të kanabisit. Preparatet e tilla mjekësore jepen vetëm me recetë nga një mjek specialist.

Në rreth 5 vitet e fundit, tregu i brendshëm u pasurua me një numër të madh produktesh kufitare në shitje të lirë (përmbajtje e deklaruar e CBD-së dhe prani rreptësisht e kufizuar e THC-së me maksimum 0.2%), për përdorim të brendshëm dhe të jashtëm, me regjim të shitjes pa recetë nga mjeku. Produktet e miratuara kufitare të prodhimit farmaceutik industrial, si rregull janë me cilësi standarde të lartë dhe me përbërje të pasur biologjike të ruajtur, që është parakushti më i rëndësishëm për potencialin e tyre të shprehur në trajtimin plotësues të sëmundjeve apo gjendjeve të shumta te njerëzit.

Numri i produkteve kufitare të kanabisit është vazhdimisht në rritje. Çdo ditë e më tepër po vihen në dispozicion ekstrakte yndyrore për përdorim oral, me përqendrime të shumta të kanabinoidit parësor jopsikotrop, CBD, në shtrirje të gjerë midis 2% CBD dhe 30% CBD. Këto formulime janë në dispozicion me një metodë të rekomanduar të administrimit, zakonisht në pika, me një bombol me vrimë nxjerrëse, shiringë dozimi etj. Paralelisht janë lëshuar në qarkullim edhe produkte me përqendrime të shumta të kanabinoidit parësor jopsikotrop, CBD, të parapara për përdorim rektal dhe vaginal. Për shkak të vetive pozitive anti-inflamatore, antibakteriale dhe antifungicidale të ekstraktit të kanabisit për qëllime mjekësore me përdorim lokal në lëkurë dhe mukozë, janë disponueshme edhe disa përqendrime të melhemeve, me përmbajtje të deklaruar të CBD-së jopsikotrope.

Kohët e fundit, në treg është paraqitur një produkt tjetër kufitar; produkt me cilësi të lartë, në formën e sprejit të lëkurës, me aktivitet të provuar biocidal të komponentëve përbërës, të plotësuar nga aktiviteti antimikrobik i CBD-së, i deklaruar në përbërjen e dezinfektuesit.  Është i paraparë për lëkurë të ndjeshme, të prirur ndaj acarimit.

Në shtator të vitit 2016, në tregun e brendshëm u shfaqën një sërë preparatesh të kanabisit për qëllime mjekësore, me përmbajtje të deklaruar të THC-së prej mbi 0.2%. Preparatet paraqesin një përzierje të përshtatshme të dy ekstrakteve natyrore të kanabisit mjekësor, një ekstrakt me përmbajtje parësore të CBD-së dhe një ekstrakt me përmbajtje parësore të THC-së. U fillua me katër, kurse deri më tani numri është rritur në 9 preparate të tilla mjekësore (THC + CBD), me tendencë të rritjes së qëndrueshme.

Raporti i kanabinoideve parësore (THC dhe CBD) të deklaruara në këto preparate është i ndryshëm, siç është edhe përqendrimi i tyre përfundimtar, dhe mund të merren vetëm me recetë nga mjeku. Janë të parapara kryesisht për trajtimin plotësues të katër indikacioneve serioze mjekësore, siç është kanceri, epilepsia, skleroza e shumëfishtë dhe HIV/AIDS, në bashkëveprim me mjekësinë konvencionale të bazuar në prova, me arritjet e saj më të fundit.

Organi ligjvënës është i prerë në këtë temë, por shprehimisht përzgjedhës dhe diskriminues. Vetëm mjekët e 3 specialiteteve dhe vetëm për trajtim plotësues të katër indikacioneve serioze mjekësore (kancer, sklerozë e shumëfishtë dhe HIV/AIDS), kanë të drejtë të përshkruajnë të ashtuquajturën “recetë të dyfishtë”. Me këtë, liberalizimi i përdorimit të kanabisit për qëllime mjekësore e ka humbur kuptimin themelor. Qytetarët kërkuan kanabisin për sëmundjet e tyre, të cilat ishin të shumta dhe të ndryshme, jo vetëm për këto tre diagnoza mjekësore. Për dallim, Amerika njeh dhe e përdor potencialin e kanabisit dhe përpunimeve të tij për mbi 100 indikacione mjekësore, ndërsa në Evropë ky numër është mbi 60 dhe vazhdimisht në rritje.

Shumë nga qytetarët të cilët hodhën hapat e parë dhe luftuan për legalizim për qëllime mjekësore, për shkak të mungesës së mundësisë ligjore për të marrë recetën “e dyfishtë” të dëshiruar, me të drejtë reagojnë se janë manipuluar nga Ligji i këtillë, i cili përsëri i kthen në tregun e paligjshëm. Shtrohet pyetja, a ishte ky qëllimi i liberalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore? Kujt i shkon për shtat kjo “lojë e pistë”, përveç tregut të paligjshëm?

Përvojat tregojnë qartë se kjo gjendje duhet të korrigjohet sa më parë, domethënë nevojiten ndryshime të përshtatshme në Ligj, në mënyrë që çdo mjek specialist, dentist, mjek veterinar dhe mjek amë, të fitojë të drejtën për të përshkruar një preparat kanabisi që përmban THC. Është e domosdoshme që të gjithë punonjësit shëndetësorë të mbështesin përpjekjet për këto ndryshime dhe plotësime në Ligj, të cilat janë në procedurë parlamentare, që liberalizimi më në fund të marrë kuptimin e duhur.

Në fillim të vitit 2020, potenciali i lartë i kanabisit në përdorim të jashtëm për qëllime mjekësore, kozmetike dhe higjienike u shfrytëzua në një linjë të re inovative produktesh, të kategorizuara si produkte kufitare. Linja në fjalë bashkon potencialin e ekstraktit natyror CBD me përbërësit kundër plakjes (efekt “anti-aging”) për të ndihmuar lëkurën e pjekur. Ngadalëson me sukses proceset e plakjes, duke mbrojtur, detoksifikuar dhe rigjallëruar lëkurën në të njëjtën kohë. Përmbajtja e përbërësve natyrorë me veti antioksiduese ushqen dhe pasuron lëkurën, duke parandaluar stresin oksidativ dhe dëmtimin e qelizave.

Është e rëndësishme të theksohet se, si të gjitha produktet e tjera kufitare të kanabisit, kjo linjë inovative kozmetike e produkteve me cilësi të lartë përmban prani të deklaruar të CBD-së si parim aktiv, me origjinë nga prania e ekstraktit natyror dhe të plotë (Full Spectrum) të kanabisit, i nxjerrë me procedurë të ftohtë të ekstraktimit tejet kritik të dioksidit të karbonit. Prandaj duhet të bëhet një dallim i qartë midis kësaj linje të produkteve kufitare për higjienën, kujdesin dhe bukurinë dhe të ashtuquajturave produkte kozmetike të pranishme në treg, kryesisht të importuara, të cilat quhen gabimisht si “kozmetikë kërpi” ose “kozmetikë me vaj kërpi”.

E vërteta është një dhe e qartë. Të gjitha produktet e tjera kozmetike nga kërpi ose “vaji i kërpit” që janë aktualisht të pranishme, nuk përmbajnë fare ekstrakt të kanabisit, por vetëm vaj biologjikisht të vlefshëm të farës së kërpit, i cili ka shumë vite që përdoret për qëllime kozmetike dhe ushqimore. Dallimi është më shumë se domethënës. Por meqenëse nuk është i prezantuar qartë, ai paraqet një manipulim të papranushëm të qytetarëve.

Arsyeja kryesore qëndron në Ligjin e vitit 2016, në të cilin kanabisi u miratua për qëllime mjekësore, por jo për qëllime kozmetike, ushqimore dhe të tjera. Dhe që atëherë është i pandryshuar. Ndryshimet në Ligj tani janë në procedurë parlamentare dhe janë padyshim të duhura. Miratimi i një pranie të kontrolluar të CBD-së në më shumë produkte industriale për konsum të gjerë do të stimulojë dhe zhvillojë më shumë degë industriale të lidhura, me qëllim përfundimtar afirmimin më të gjerë të potencialit të kanabisit nga aspekte të shumta, duke sjellë përfitim më të madh për sistemin dhe qytetarët.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.14-15 të botimit elektronik të revistës BETTY (SHKURT 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>