Dr. Kosta Cvetkoviq
Specialist i dermatovenerologjisë
DERMA PLUS
|
Çfarë është paraqitja e theksuar e qimeve në pjesë të ndryshme të trupit tek burrat dhe gratë?
Të qenit leshtor mund të jetë një gjendje e lindur, domethënë, natyrale ose kongjenitale, por gjithashtu mund të jetë simptomë e prishjes së ekuilibrit hormonal. Në sajë të profilit të tyre hormonal, burrat kanë më shumë qime në lëkurë dhe kjo ndryshon rrënjësisht nga shpërndarja dhe dendësia e qimeve te gratë. Megjithatë, në të dy gjinitë hasen rajone me qime, kurse për të ardhur në përfundimin se nëse gjithmonë e kanë patur këtë gjendje (më shumë, më pak, të rralla, të shpeshta), na ndihmon marrja e anamnezës.
-
A fillon një dukuri e tillë që në periudhën e pubertetit dhe a mund të zvogëlohet me kalimin e viteve?
Në përgjithësi, rritja fiziologjike e qimeve arrin kulmin pas përfundimit të pubertetit. Por, për fat të keq, ka gjendje mjekësore që mund ta përmbysin plotësisht atë pritshmëri dhe qimet të shtohen më vonë në jetë.
-
Cili është shkaku i një dukurie të tillë te gratë (në kuptimin se nëse vjen si pasojë e disa çrregullimeve hormonale)
Ky është më shpesh një çrregullim hormonal ku testosteroni rritet në mënyrë patologjike dhe kështu rrit karakteristikat sekondare seksuale, të cilat janë tipike për gjininë mashkullore. Këto gjendje diagnostikohen përmes qasjes multi-disiplinore, që do të thotë, në konsultim me një gjinekolog dhe një endokrinolog.
-
Në cilat pjesë të trupit ndodh më shpesh dendësia e tepërt e qimeve?
Simptomat e para të dendësisë së tepërt patologjike të qimeve te gratë janë më të shprehura në skaj të nofullës së poshtme, qafë dhe shpinë. Qimet në këto zona janë të shpeshta, të trasha dhe më të errëta se normalet. Kjo gjendje shpeshherë shoqërohet me puçrra në fytyrë. Dendësia e tepërt fiziologjike e qimeve vërehet zakonisht në krah dhe këmbë, si dhe në shpinë. Këto qime janë të holla, të shpeshta dhe kanë rritje të gjatë. Këto karakteristika nuk janë të përcaktuara, ka gjithmonë ndryshime, prandaj është pothuajse përherë e nevojshme mbështetje konsultative nga specialistët e përmendur më herët.
-
Si është trajtimi, gjegjësisht, si arrihet heqja e përkohshme apo e përhershme e qimeve?
Ekzistojnë disa variante për trajtimin e dendësisë së tepërt të qimeve. Në të gjitha rastet trajtimi është çrrënjosja me nxjerrje ose, me pak fjalë, heqja. Trajtimi më i rekomanduar për këtë problem patjetër që është trajtimi me laser. I shpejtë, efektiv, pa dhimbje dhe me shumë pak efekte të padëshiruara, ky trajtim paraqet standardin e artë në kohët e sotme për mënjanimin e qimeve të padëshiruara.
-
A ka dhe cilat janë përparësitë e epilimit me laser?
Përparësitë janë në aspektin e efekteve anësore pas trajtimit dhe në aspektin e jetëgjatësisë së rezultateve. Ndryshe nga depilimi klasik, heqja me laser nuk lë vend për infeksion ose për shfaqjen e qimeve të hyra në mish, me çka folikuliti mbetet në të kaluarën. Përparësia e dytë e lazerit qëndron në jetëgjatësinë e tij. Pas përfundimit të trajtimit tek pacientët, mund të pritet që në ato rajone nuk do të ketë rritje qimesh për muaj apo edhe deri në një vit.
-
Kur është koha ideale për të bërë trajtimin e parë?
Në përgjithësi, nuk ka një kohë ideale, por megjithatë rekomandimet thonë se trajtimet duhet të bëhen në muajt e ftohtë të vitit, kur ndikimi i diellit është më i dobët. Në thelb, kjo është për shkak të efekteve të padëshiruara që ka dielli në lëkurë gjatë muajve të verës, ndërsa në kombinim me laserin mund të shkaktojë ndryshime në pigmentimin.
-
Sa trajtime nevojiten për heqjen e përhershme të qimeve?
Përgjigja është kryesisht e ndryshme për çdokënd, që do të thotë se çdo pacient ka një numër të ndryshëm faktorësh që do të ndikojnë në rezultatin përfundimtar. Në përgjithësi, mesatarja jonë është të paktën 4 trajtime për të thënë se e kemi arritur rezultatin përfundimtar.
-
Çfarë duhet të dimë para se të fillojmë trajtimin e epilimit me laser?
Gjëja më e rëndësishme që duhet të dini është se nuk duhet të keni depiluar qimet para trajtimit. Laseri vepron në rrënjën e qimes dhe kështu arrin efektin e vet. Nëse nuk ka rrënjë, as laseri nuk do të ketë efekt. Përveç kësaj, duhet të shihet dhe të vlerësohet çdo ndryshim në lëkurë për të zbuluar nëse është një kundërindikacion i mundshëm. Nëse është gjithçka në rregull, atëherë trajtimi mund të kryhet vazhdimisht.
-
A ka të ngjarë të shfaqen efekte anësore (në kuptimin e paraqitjes së njollave ose puçrrave në vendin e trajtuar)
Efektet anësore janë minimale. Pas trajtimit nuk ka njolla dhe puçrra (nëse bëhet në stinën e duhur), nuk ka djegie dhe as rrezatim. E vetmja gjë që shfaqet është një skuqje e lokalizuar, e cila zhduket brenda 24 orëve të ardhshme.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.28 të botimit elektronik të revistës BETTY (SHKURT 2020).