Tanja Mitrova
tehnik farmaceutik
BARNATORE FARMACEUTIKE STRUMICA
|
Cilat produkte ushqimore kontribuojnë në ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit dhe bukurisë së flokëve?
Për kujdesin e flokëve më të rëndësishmet janë vitaminat.
- Vitamina A (Vitamina A nxit sekretimin e sebumit nga gjëndrat e lëkurës. Sebumi është komponent yndyror që parandalon tharjen e lëkurës së kokës dhe ruan shëndetin e flokëve)
- Vitamina E (Vitamina E është antioksidant i tretshëm në lipid, një molekulë që është në gjendje të neutralizojë radikalet e lira në lëkurë, flokë dhe trup. Vitamina E ka fituar popullaritet të madh për shkak të aftësisë së saj për të kthyer flokët e lagësht dhe të thatë në flokë të bujshme dhe me shkëlqim. Besohet se vitamina E mund të zvogëlojë humbjen e flokëve, të përmirësojë shëndetin e lëkurës së kokës dhe qarkullimin dhe t'ua shtojë shkëlqimin flokëve)
- Vitamina D (Disa studime tregojnë se vitamina D ndikon shumë në rritjen e flokëve, prandaj rekomandohet që të merret rregullisht përmes ushqimit. Vitamina D gjendet në peshk (harengë, mustak, troftë dhe salmon) por edhe në peshkun e zakonshëm, si dhe në qumësht soje)
- Vitamina C (Vitamina C është thelbësore për prodhimin e kolagjenit, një proteinë që u jep formë dhe forcë shumë indeve, veçanërisht thonjve, flokëve dhe dhëmbëve. Vitamina C është gjithashtu shumë e rëndësishme për shëndetin e flokëve, pasi zvogëlon copëzimin e flokëve dhe i mban të dendur dhe të fortë. Frutat e agrumeve (portokalli, limoni), siç dihet, janë të pasura me vitaminë C, siç janë edhe domatet, patatet, luleshtrydhet etj.
- Vitamina B (Kur është fjala për mirëmbajtjen e flokëve, vitamina B është miku juaj. Folati është më meritor për fortësinë dhe shkëlqimin e qimeve. Në dietë duhet të përfshini sallata jeshile, drithëra, peshk, pulë, mish gjeldeti, fasule, arra dhe lloje të ndryshme të ushqimeve të detit. Folati është më i pranishëm në fasule, hikërror, spinaq, shparg etj)
Jo më pak të rëndësishëm janë edhe zinku, hekuri dhe kalciumi.
- Zinku - Përveç shumë përfitimeve shëndetësore, zinku ndihmon në mbrojtjen e flokëve nga rënia, ndaj kujdesuni që dieta juaj të përfshijë zink. Ushqimet e pasura me zink janë frutat e detit, si gocat e detit, karavidhet dhe gaforrja, disa lloje të mishit, si mishi i viçit dhe i pulës dhe po ashtu gjendet në vezë, fasule, kos, si dhe në disa lloje të arrave.
- Kalciumi - Kalciumi është me rëndësi të madhe për fortësinë e flokëve tuaj, prandaj kushtojini vëmendje të veçantë atij. Është më i përfaqësuar në produktet e qumështit, por edhe në brokoli, kajsi, portokall dhe sardele.
- Hekuri - Nëse flokët ju bien më shumë se zakonisht, mund të jetë shenjë e anemisë dhe mungesës së hekurit. Prandaj kushtojini vëmendje dietës suaj, duke përfshirë produkte të pasura me hekur, të tilla si viçi, mëlçia, spinaqi, soja, angjinarja dhe kumbullat e thata. Nëse mungesa është e madhe, mund të konsideroni marrjen e hekurit me shtesa ushqimore, për të cilat duhet domosdoshmërisht të konsultoheni me mjekun sepse përdorimi i tepruar mund të jetë i rrezikshëm. Rekomandohet gjithashtu të konsumoni vitaminë C për përthithje më të mirë të hekurit në trup.
Vajrat natyrale janë gjithashtu shumë të rëndësishme për bukurinë dhe shëndetin e flokëve. Më të përdorurat janë vaji i rozmarinës, i livandës, i kedrit e të tjera.
- Rozmarina - Rozmarina është përdorur prej kohësh për të parandaluar humbjen e flokëve. Si trajtim për flokët, rozmarina mund të përdoret në formë të çajit në mënyrë që t'i mbuloni tërë flokët ose t'i bëni masazh lëkurës së kokës me vaj rozmarine. Prisni që të veprojë, pastaj lajeni mirë.
- Livanda - Përveç fuqisë për të qetësuar shqisat, livanda është gjithashtu e dobishme për flokët tuaj. Masazhoni kokën me vaj livande tri herë në javë dhe do ta vini re vetë rezultatin.
- Kedri - Kedri është një nga përbërësit më të përdorur për prodhimin e parfumeve dhe produkteve të ndryshme kozmetike, por përdorimi i tij nuk ndalet këtu. Përdoreni lirisht vajin e kedrit për të forcuar flokët tuaj.
Nëse keni flokë të thatë është e rëndësishme të merrni produkte që përmbajnë squfur dhe bakër, të tilla si kallamari, kastraveci, hudhra qepa, lakra, kungulli i njomë.
Ja disa ide për maska të flokëve që mund të përgatiten në kushte shtëpiake:
Për një maskë flokësh që mund ta bëni edhe vetë, është e nevojshme të përdorni vajra bimore si vaji i rrodhes, i ricinit ose i ullirit në kombinim me mjaltin dhe vezët, ndërsa të njëjtën mjafton të vini një herë në javë.
Maskë me vezë
Vezët janë të pasura me shumë lëndë ushqyese, vitaminë D, A dhe B, hekur dhe proteina. Në fakt, proteinat në vezë janë një nga proteinat më cilësore që mund të gjenden në ushqim. Cilat lëndë ushqyese të vezëve do t'ju ndihmojnë në kujdesin për flokët?
- Proteinat: ushqejnë rrënjët e flokëve dhe mundësojnë rritje më të shpejtë
- Vajrat: u japin shkëlqim natyral flokëve
- Vitamina A: ndihmon me flokë të brishtë
- Vitamina D: mbron flokët nga rënia
- Kalciumi: ndihmon në përshpejtimin e rritjes së flokëve.
Si të përgatisni një maskë flokësh nga vezët?
Artikujt e nevojshëm:
- 1 vezë (për flokë më të gjatë, përdorni 2 vezë)
- 1/2 gotë qumësht
- lëng të 1 limoni
- 2 lugë çaji vaj ulliri
Mënyra e përgatitjes:
Ndani të bardhat nga të verdhat, në varësi të llojit të flokëve që keni. Për flokë të yndyrshëm, përdorni vetëm të bardhat e vezës, për flokë të thatë vetëm të kuqet e vezës dhe për flokë normale një vezë të tërë. Vendosni pjesën e vezës që e përdorni në një enë. Llokoçisni mirë dhe shtoni qumësht dhe vaj ulliri dhe përzijini së bashku. Shtoni edhe lëngun e limonit. Vendoseni maskën në lëkurën e kokës, pastaj vazhdoni poshtë deri te majat e flokëve. Mbështillni flokët në një kësulë dushi ose qese plastike dhe lëreni të qëndrojë për 15 minuta. Shpëlajeni me ujë të vakët dhe shampo organike.
Maskë me banane
Bananet janë fruti më i mirë të cilin mund ta gjeni gjatë gjithë vitit. Të pasura me vitamina, antioksidantë dhe vajra natyrale, bananet janë një zgjedhje e shkëlqyer për përgatitjen e maskave shtëpiake të flokëve. Maska e bananeve do t'i forcojë qimet e flokëve dhe do ta rrisë elasticitetin e tyre. Ja cilët janë lëndët e fuqishme ushqyese në banane që do të jenë dobiprurëse për flokët tuaj:
- Vitamina A: ndihmon flokët e thatë dhe të dëmtuar
- Vitamina E: forcon folikulat e flokëve dhe i ushqen ato
- Vitamina C: rregullon yndyrën në flokë.
Si të përgatisni një maskë me banane?
Artikujt e nevojshëm:
- 1 ose 2 banane të qëruara
- 1 lugë gjelle vaj kokosi
- 1 lugë gjelle vaj ulliri
- 1 lugë gjelle mjaltë
Mënyra e përgatitjes:
Përzieni bananet në blender. Shtoni mjaltin, vajin e kokosit dhe vajin e ullirit dhe përzijini përsëri. Vendoseni maskën në flokë të lagur dhe lëreni të qëndrojë për 10 minuta. Më pas shpëlajeni vetëm me ujë të vakët.
Maskë shtëpie me kos
Kosi është përplot me antioksidantë, vitamina, kalcium dhe proteina. Ai ka efekt ushqyes dhe është veçanërisht i dobishëm për flokët e yndyrshëm.
Si ta përgatisni atë?
Artikujt e nevojshëm:
- 1/2 gotë kos (ose më pak, në varësi të dendësisë së flokëve)
- 1 lugë gjelle uthull molle
- 1 lugë gjelle mjaltë
Mënyra e përgatitjes:
Përzieni kosin, uthullën e mollës dhe mjaltin në një tas.Vendoseni përzierjen në lëkurën e kokës, duke e bartur butësisht kah majat e flokëve. Lëreni të veprojë për 15 minuta, pastaj lajeni me ujë të vakët dhe shampo.
Si ndikojnë në flokët tuaj pjesa tjetër e artikujve ushqimorë që përdoren në këto maska?
Vaji i ullirit
Hidraton flokët, gjegjësisht vepron si hidratues natyror. Është i shkëlqyer për kujdesin e flokëve të thatë dhe të dëmtuar dhe për maja të ndara, duke u dhënë shkëlqim natyral dhe freski flokëve.
Qumështi
Zbut flokët.
Limoni
Limoni vepron ashtu që mbyll poret e lëkurës së kokës, duke i liruar flokët nga yndyra e tepërt. Por duhet të jeni të kujdesshëm, ngase ai mund t'ua çelë ngjyrën flokëve, prandaj sigurohuni që lëngu i limonit të përdoret i holluar me ujë, në një raport prej 1:2.
Vaji i kokosit
I shkëlqyer për mbajtjen e flokëve të butë dhe të shëndetshëm, duke u dhënë njëherësh edhe një aromë të ëmbël, vaji i kokosit vepron kundër flokëve të dëmtuar, sidomos pas ekspozimit në diell ose mot të ndryshueshëm.
Mjalti
Mjalti është shumë i dobishëm, veçanërisht nëse keni flokë të thatë ose zbokth. Me veprimin e tij regjenerues, ai e ushqen flokun, duke i dhënë një shkëlqim natyral.
Uthulla e mollës
Uthulla e mollës do t'ju ndihmojë në heqjen e yndyrës së tepërt nga lëkura e kokës dhe flokët dhe do t'ju çlirojë nga zbokthi dhe ndjenja e kruajtjes së vazhdueshme në kokë.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.8-9 të botimit elektronik të revistës BETTY (MARS 2020).