Pyetje për Savka Todorovskën – Gratë mund t’ia dalin mbanë!
March 1, 2021
Savka Todorovskën Presidente e Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore
|
1. Si e gjetët veten në historinë e barazisë gjinore?
Të vepruarit me përgjegjësi shoqërore e secilit individ është jashtëzakonisht e rëndësishme për komunitetin në të cilin jeton dhe krijon. Nuk është privilegj i një klase të caktuar, as nuk është e paracaktuar sipas gjinisë, besimit, kombit apo moshës. Të vepruarit me përgjegjësi shoqërore kërkohet në çdo fushë, sepse jam e bindur se kudo ka vend për përparim dhe zhvillim. Edhe unë kështu zbulova drejtimin që më ngjall interes.
Me rënien e shtetit të përbashkët dhe sistemit njëpartiak të dikurshëm, shpërthimi i luftërave në fqinjësi dhe trazirat e tjera krijuan një vakum në organizimin e vendin tonë. Nuk e dinim se çfarë do të ndodhte me shtetin, por unë thjesht e dija që gratë, si gjysma e popullsisë së vendit, duhet të japin kontributin e tyre dhe të fitojnë trajtim të barabartë në të gjitha segmentet e shoqërisë. Kështu, më 28 shkurt të vitit 1991, u bëra udhëheqëse e njërës prej OJQ-ve të para në sistemin e ri, Organizatës së grave të qytetit të Shkupit dhe komunave. Përplot entuziazëm dhe me synime të qarta, të gjithë anëtarët e organizatës ishim kudo ku mund të kontribuonim për paqen dhe mirëqenien e vendit dhe rajonit. Shteti ynë asokohe shihej si një oazë paqeje.
Ashtu ndihmuam ushtarët e JNA-së së atëhershme që të ktheheshin në shtëpi, që të mbetej spitali ushtarak me të gjitha pajisjet mjekësore në vendin tonë, morëm pjesë në aktivitete paqeruajtëse, ishim të angazhuar vazhdimisht për shpërndarjen e ndihmës humanitare, për strehimin e grave dhe fëmijëve nga Bosnja dhe Hercegovina, dhurimin e gjakut në Serbi, duke ndihmuar nënat në Kroaci etj. Pastaj vendosëm themelet e lëvizjes së grave në shtetin e pavarur dhe sovran dhe ishte më se e qartë se ai ishte vetëm fillimi.
Me zhvillimin e vendit, u zhvilluan pa dyshim edhe fushat në të cilat duhej të forcohej pozita e grave, ndaj filluam dhe zbatuam me sukses programin për fuqizimin politik të grave, të cilin e nënshkruan të gjitha partitë politike, për të rritur përqindjen e grave në politikë dhe për t'i fuqizuar gratë në komunitetin e biznesit. Gratë viktima të dhunës fituan linjën e parë kombëtare SOS, përmes së cilës mund të raportojnë dhunën dhe të gjejnë mbështetje. Ka ende nevojë për nxitje dhe përkrahje, ndaj vazhdojmë me ritmin e njëjtë, duke vepruar të bashkuar për një të ardhme më të mirë për të gjithë.
2. Nëse ju kërkohet një profil i grave në Maqedoni, si i përshkruani ato?
Të arsimuara, punëtore, të zgjuara, të përkushtuara ndaj punës dhe familjes, megjithëse ende të ngarkuara me stereotipat për pozitën e gruas në familje dhe shoqëri. Prandaj është ende i vogël numri i grave në Ekzekutiv, në bordet drejtuese dhe mbikëqyrëse, drejtori dhe organe rregullatore, media e komuna. Nuk ka pasur kurrë një femër në krye të shtetit, të parlamentit apo qeverisë dhe një numër shumë i vogël grash janë në krye të bizneseve të mëdha. Kjo do të thotë se ka shumë pak ose aspak gra në pozita ku merren vendime dhe ku në të vërtetë ndodhet pushteti.
Gratë në RMV janë gjysma e popullsisë, 10% më shumë se homologët meshkuj, kanë të kryer arsim të lartë, magjistratura e doktoratura. Ka shumë gra të suksesshme në vendin tonë, edhe atë në fusha të ndryshme, por është ende e pamjaftueshme duke pasur parasysh mundësitë.
Vlen të përmendet se gratë kanë ndryshuar për mirë pasqyrën e parlamentit, duke pasur parasysh se nga katër gra në vitin 1991, sot janë 44. Unë e di që gratë mund t'ia dalin, por duhet shtytje edhe nga institucionet e shtetit. Një mënyrë është të hapen shërbime të subvencionara për mbështetje dhe ndihmë të familjeve, me çka gruaja do të mund të lirohet nga barra “stereotipike” në supet e saj dhe të angazhohet lirisht në aktivitete biznesi dhe socio-politike. Kështu ajo do të ketë më shumë kohë për t'u dhënë dashuri të gjithë anëtarëve të familjes.
3. Çfarë mendimi keni për 8 marsin?
8 Marsi është Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Punëtoreve Gra, kur gratë u rebeluan për një orar tetë orësh të punës dhe rrogë më të lartë. Për fat të keq, sot, në shekullin 21, në vendin tonë ka ende punëtore që nuk i kanë këto të drejta, megjithëse ka Ligje posaçërisht për atë çështje.
Te gratë mbizotëron ende frika nga më e keqja - pushimi nga puna, për ç'arsye ato punojnë në dy ndërrime, nuk paguhen mjaftueshëm e kështu me radhë. Për këtë shkak duhet të vihen në veprim ligje, në mënyrë që punëtoret gra, gratë në zonat rurale dhe të gjitha gratë e tjera, të margjinalizuara në çfarëdo baze, të njihen me ligje dhe të kërkojnë të drejtat e tyre, të mos durojnë dhunë, mobing etj. dhe ta raportojnë atë tek Avokati i Popullit. Të jenë këmbëngulëse, të jenë të bashkuara, të arsimuara, të përfshira në proceset e punës dhe të drejtësisë për veten dhe brezat e ardhshëm.
4. Cilin aktivitet tuajin e konsideroni si më të rëndësishmin në karrierën tuaj?
Aktivitetet janë të shumta dhe asnjëri nuk është më pak i rëndësishëm se tjetri nën moton “Së bashku jemi më të fortë”:
Hapja e linjës së parë SOS për gratë viktima të dhunës në familje, e cila në kushtet e reja sot është celulare, pa pagesë, me disponueshmëri 24 orëshe, nga të gjithë operatorët dhe pa prefiks në 141700
Ratifikimi i Konventës së Stambollit kundër dhunës ndaj grave
Ndryshimi i Kodit Zgjedhor dhe futja e kuotës për kyçjen e grave në strukturat vendimmarrëse në nivel kombëtar dhe lokal
Themelimi i rrjetit të parë të OJQ-ve të Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore (SOZHM), ku janë të përfshira më shumë se 100 organizata të grave
Projekti kundër mobingut “Si t'i thuash JO shefit”
Aktivitetet kundër tregtisë me gratë
Anëtarësimi në lëvizjen evropiane për luftimin e dhunës ndaj grave WAWE
Anëtarësimi në Këshillin Botëror të Grave (ICW)
Puna me gratë nga zonat rurale dhe përfshirja e tyre në biznes, ku kemi shembuj pozitivë të grave që kanë hapur bizneset e tyre dhe i drejtojnë me sukses ato
5. Cilat gjëra janë kyçe për arritjen e barazisë gjinore?
Përfshirja e barabartë dhe angazhimi i përbashkët i institucioneve, burrave dhe grave. Tejkalimi i stereotipave për vendin dhe rolin e gruas, hapja e shërbimeve të subvencionuara, me çmime të volitshme, të cilat do t'u mundësojnë grave që të marrin guximin dhe të marrin pjesë, pa pengesa, në të gjitha sfidat.
6. A ka mungesë mbështetjeje të ndërsjellë midis grave në vendin tonë?
Në veçanti jo, domethënë nuk është një gjendje e përgjithshme. Ai është një tipar karakteri pavarësisht nga gjinia. Trajtimi i pabarabartë në raste individuale, mund të çojë në pakënaqësi dhe mbështetje të pamjaftueshme midis grave. Por kjo nuk dallon shumë nga popullata mashkullore.
7. Kur e konsideroni gruan më të fuqishme?
Fuqia është në dije, informim, shëndet, vetëbesim dhe pavarësi. Nëse një grua i posedon të gjitha këto, atëherë është e fuqishme.
8. Me cilat fjalë dëshironi t'u jepni zemër të gjithë atyre që përballen me çfarëdo lloj dhune?
Dhuna, sido që të jetë, është një problem i madh. Ndaj dëshiroj që grave t'u jap zemër me fjalët: Dije se nuk je vetëm. Merr guxim dhe paraqitu në linjën celulare SOS, nga të gjithë operatorët, pa pagesë, pa prefiks, 24/7, me diskrecion të garantuar: 141700. Ka gjithmonë një zgjidhje për gjithkënd.
9. Cili është motivimi juaj që ju ka shtytur të luftoni për barazi gjinore pa u lodhur për 30 vjet?
Më motivojnë rezultatet e arritura gjatë 30 viteve të fundit:
Rritja e numrit të grave në strukturat vendimmarrëse në nivel kombëtar dhe lokal
Ekzistenca e ligjeve, strategjive dhe standardeve dhe mundësive për zgjidhjen e problemit të dhunës së çfarëdollojshme
Ratifikimi i Konventës së Stambollit kundër dhunës ndaj grave
Një numër në rritje i grave të arsimuara dhe të pavarura që mund të bëjnë ndryshime
Rritja e numrit të grave në biznes
Rritja e numrit të organizatave të grave që luftojnë për barazi
Rritja e numrit të grave të reja, të interesuara për përparim dhe përfshirje në të gjitha sferat e jetës shoqërore
Por, gjithmonë ka vend për më shumë!
10. Cili është mesazhi juaj për të gjitha lexueset e revistës Betty?
Së pari, të jenë të shëndetshme, fizikisht dhe mendërisht. Të kujdesen për shëndetin e tyre si dhe sa të munden. Vetëm nëse gëzojnë shëndet të mirë do të mund t’iu dalin përkrah të afërmve dhe më të shtrenjtëve të tyre. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, të jenë të sigurta, të shkathëta, të pavarura, të forta dhe këmbëngulëse para çdo sfide. Gratë mund t'ia dalin mbanë!
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.10-12 të botimit elektronik të revistës BETTY (MARS 2020).
KALKULATORI DIETIK
Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.