Ivona Iliev
Magjistre e farmacisë
|
Organizmi i njeriut është në kontakt të vazhdueshëm me bakteret, viruset dhe kimikatet dhe është i ekspozuar ndaj rrezatimit dhe ndotjes së llojeve të ndryshme. Mekanizmi që ka për detyrë ta mbrojë trupin nga këto ndikime të dëmshme quhet sistem imunitar. Sistemi imunitar formohet nga organet dhe qelizat e shpërndara në të gjithë trupin, roli kryesor i të cilave është mbrojtja e organizmit, njohja e “armikut”, si dhe asgjësimi apo mënjanimi i ndikimeve të dëmshme nga jashtë. “Armiqtë” nga mjedisi vazhdimisht sulmojnë trupin tonë dhe prishin homeostazën. Prishja e homeostazës së sistemit imunitar manifestohet në forma të ndryshme, kështu që ai mund të reagojë së tepërmi ndaj antigjeneve, të mos reagojë mjaftueshëm (mungesa e imunitetit) ose të reagojë ndaj proteinave të tij (sëmundjet autoimune).
Sistemi imunitar (mbrojtës) te njeriu punon, domethënë vepron përmes dy sistemeve: sistemi imunitar kongjenital (jospecifik) dhe sistemi imunitar i fituar apo adaptiv (specifik). Shkaqe të shumta mund të dobësojnë funksionimin e këtij sistemi, të tilla si stresi, rraskapitja dhe lodhja kronike, mënyra jo e shëndetshme e të ushqyerit me marrje të ulët të lëndëve ushqyese, vitaminave, mineraleve dhe antioksidantëve, humori i keq, mungesa e higjienës, aktiviteti i pamjaftueshëm fizik, sëmundjet e gjata dhe të rënda, pirja e duhanit dhe shprehi të tjera të dëmshme.
Sot, njerëzit jetojnë një jetë dinamike dhe të shpejtë, të mbushur me stres dhe obligime të ngjeshura të përditshme, duke mos i kushtuar kohë të mjaftueshme kujdesit për veten dhe shëndetin e tyre, derisa të shfaqet ndonjë problem shëndetësor. Përmes marrjes së shtesave ushqimore të pasura me vitamina dhe minerale, mund të forcojmë sistemin imunitar dhe ta mbështesim atë për të funksionuar si duhet, t'i përmbushim mungesat e vitaminave dhe mineraleve që nuk merren mjaftueshëm përmes ushqimit, si dhe të kontribuojmë në reduktimin e lodhjes dhe rraskapitjes. Vitaminat dhe mineralet janë gjithashtu veçanërisht të rëndësishme për fëmijët, gratë shtatzëna dhe atletët, të cilët kanë nevojë më të madhe për to.
Një nga vitaminat më të rëndësishme dhe efektive është
vitamina C, një antioksidant i fuqishëm që vepron kundër stresit, ngadalëson plakjen, është një antihistaminë natyrore (te alergjitë) dhe ndihmon shërimin më të shpejtë të plagëve dhe sintezën e kolagjenit. Krahas vitaminës C, do të përmendim edhe vitaminat
B-
kompleks, të cilat janë thelbësore për funksionimin normal të sistemit nervor, mëlçisë dhe sistemit të tretjes në tërësi, si dhe për krijimin e energjisë dhe ruajtjen e shëndetit të mirë të lëkurës, flokëve dhe syve.
Për sa u përket mineraleve, ndër më të rëndësishmet janë
kalciumi - pjesë përbërëse e eshtrave dhe dhëmbëve, i rëndësishëm për stimulimin, rritjen dhe ndarjen e qelizave, punën e rregullt të zemrës dhe rregullimin e koagulimit të gjakut,
zinku - një mineral i rëndësishëm për sistemin imunitar, shëndetin e syve dhe të organeve riprodhuese mashkullore dhe
magnezi, i cili është i rëndësishëm për mineralizimin e eshtrave, rritjen dhe zhvillimin e drejtë dhe prodhimin e energjisë dhe është veçanërisht i rëndësishëm te njerëzit me presion të lartë të gjakut dhe ngërçe të muskujve.
Marrja e magnezit përmes dietës mund të jetë e vogël, sidomos te gratë, që mund të lidhet me sëmundje të caktuara, si osteoporoza, presioni i lartë i gjakut, bllokimi i arterieve, sëmundjet e zemrës, diabeti dhe goditjet në tru, prandaj mungesa duhet të plotësohet përmes shtojcave. Këtu do të
përmendim hekurin, i cili merr pjesë në proceset e frymëmarrjes qelizore dhe është i rëndësishëm në ndërtimin e hemoglobinës dhe mioglobinës, përdorimi i të cilave rritet tek fëmijët, gratë e moshës riprodhuese, atletët dhe njerëzit me kolit ulcerativ dhe hemorroide.
Prandaj, sidomos në këtë periudhë të viruseve, ftohjeve sezonale dhe gripit, praktikoni gjumë të rregullt dhe pakësoni stresin, shmangni konsumimin e alkoolit dhe cigareve, konsumoni ushqim të shëndetshëm, shumë perime, fruta, arra dhe fara, dilni në diell (rrezet e diellit mundësojnë krijimin e vitaminës D në lëkurë), bëni aktivitet të rregullt fizik dhe thjesht përpiquni të keni një mënyrë jetese të shëndetshme.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.22-23 të botimit elektronik të revistës BETTY (MARS 2020).