Pastrimi pranveror i shtëpisë është një praktikë që në prapavijë ka rrënjë historike. Ritmi i shpejtë i jetës ditëve të sodit, imponon shprehi që na e bëjnë jetën e përditshme praktike dhe më të lehtë. Në të kaluarën, pranvera sillte me vete disa rregulla që më vonë u shndërruan në traditë. Pas ditëve të ftohta të dimrit, shtëpitë kishin nevojë për heqjen e plotë të papastërtive të shkaktuara nga metoda e ngrohjes, mundësitë e pamjaftueshme për ajrim të dhomave ose mungesa e praktikës së pastrimit më të shpeshtë të shtëpisë.
Ngrohja e motit dhe ditët më të gjata janë një mundësi e shkëlqyer për të kryer pastrimin pranveror dhe për ta kthyer në gjendje të mëparshme shtëpinë tonë. Një kohë kur mund t'i kryejmë të gjitha ato obligime që i patëm shtyrë gjatë dimrit.
Mjedisi i pastër do të thotë shëndet.
Mendoni për të gjitha vendet në shtëpinë tuaj ku nuk mund të qaset fshesa me korrent. Zhvendosni të gjitha orenditë dhe hiqeni tërësisht pluhurin nën to.
Pastrimi pranveror është gjithashtu një mundësi e mirë për t'i shtuar në listën për mirëmbajtje edhe gjërat që duhet të pastrohen vetëm një herë ose disa herë në vit. Disa nga këto detyra bëjnë një ndryshim të madh në jetëgjatësinë, shfrytzueshmërinë dhe pamjen e shtëpisë suaj, të tilla si klimat, pastruesit e ajrit e madje edhe pjesa tjetër e teknikës.
Kur duhet të filloni pastrimin pranveror?
Ka dy mënyra për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Në mënyrë subjektive, duhet të filloni pastrimin pranveror kur ta ndjeni freskinë e pranverës në ditët e ngrohta. Kur ta ndjeni se keni grumbuj sendesh vend e pa vend nëpër shtëpi dhe ju mungon hapësirë për të funksionuar më mirë dhe për t'u ndjerë më rehat. Përgjigja e dytë është kur të vendosni të rinovoni një pjesë të shtëpisë suaj, ta ngjyrosni ose të blini ndonjë mobilie të re.
Përveç pastrimit të hapësirave të mëdha, pranvera është një mundësi e shkëlqyer për të hequr çdo send që nuk e përdorni dhe që ju zë vend, edhe pse tashmë nuk ju hyn në punë. Të gjitha ato cikërrima që nuk dëshironi t'i hidhni ose t'i dhuroni, vendosini në një kuti dhe hiqini mënjanë. Nëse pas një kohe vëreni se nuk ua ndjeni mungesën, do të thotë se as nuk keni nevojë për to.
Pastroni çantën e makijazhit, kontrolloni afatet e produkteve kozmetike që përdorni dhe hiqni gjithçka që nuk është më e përdorshme. Riorganizoni dollapin në tualet, hidhni furçat e vjetra të dhëmbëve ose të flokëve. Ritmi i shpejtë i jetës na bën që të mos i vëmë re detajet e këtilla ose thjesht t'i shtyjmë për më vonë.
Ndërsa riorganizoni dollapët me rroba, hiqni mënjanë të gjitha rrobat që nuk i keni veshur vitin e kaluar. Dhurojani dikujt dhe lironi hapësirë për rrobat e reja që do të vijnë. Bëjeni të njëjtën gjë me këpucët tuaja. Ndoshta është koha për t'i hequr nga përdorimi këpucët e preferuara që tashmë janë shumë të vjetra për t'u veshur.
Uthulla - si lëndë natyrore për pastrim
Uthulla mund t'ju hyjë në punë si një agjent universal pastrimi për shumë sipërfaqe, përveç sipërfaqeve të gurit dhe mermerit. Për shkak të aciditetit të saj, uthulla pamundëson zhvillimin e baktereve dhe prandaj mund të thuhet se është ideal për t'u përdorur në kuzhinë dhe banjë.
Përgatisni një tretësirë natyrale pastrimi me raport të barabartë midis uthullës dhe ujit, në të cilën mund të shtoni vajra esenciale nëse dëshironi. Nëse e teproni me sasinë e uthullës, ajo mund ta brejë sipërfaqen. Mos u shqetësoni për erën e fortë të uthullës, sepse zhduket shumë shpejt.
Uthulla e bardhë është lëndë e shkëlqyeshme që mund ta përdorni për të pastruar banjën tuaj. Do t'ju ndihmojë me pastrimin e vaskës, lavamanit, dollapëve ose guaskës së tualetit. Spërkatni me tretësirën e uthullës dhe ujit, lëreni të qëndrojë disa minuta dhe pastaj fshijeni me një leckë të pastër.
Për shkak të përmbajtjes së lartë të acidit, uthulla e bardhë ka një jetëgjatësi shumë të madhe.
Këshillë shtesë nga Betty:
Nëse mobiliet tuaja kanë njolla që dëshironi t'i hiqni, provojeni këtë tretësirë, për të cilën do t'ju nevojitet:
- 1 filxhan sode buke
- 1 lugë gjelle uthull
- 1 gotë ujë
Përzieni të gjithë përbërësit dhe futini në një shishe me spërkatës. Spërkatni njollat, prisni nja dhjetë minuta dhe fshijini me një leckë të pastër dhe të butë.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.24 të botimit elektronik të revistës BETTY (MARS 2020).