Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Parandalimi dhe ndihma e parë për dhjamosjen e mëlçisë!

April 1, 2021

Filip Açkoski
Mr. Farm.

|



Dhjamosja e mëlçisë është një problem shëndetësor që ndodh në 10 - 24% të popullsisë (madje edhe tek fëmijët) dhe nëse nuk reagohet në kohën e duhur, mund të jetë shumë e rrezikshme. Është e njohur gjerësisht që konsumi i alkoolit në sasi të mëdha dhe gjatë një periudhe të gjatë kohore çon në dëmtime të mëlçisë. Megjithatë edhe më e shpeshtë është dhjamosja e mëlçisë me prejardhje joalkoolike.

Këtu bëjnë pjesë disa sëmundje: steatoza (grumbullimi i yndyrës në mëlçi), steatohepatiti joalkoolik, e cila është një formë më e rëndë dhe përfshin inflamacion në mëlçi, ndërsa forma më serioze është e ashtuquajtura cirroza e mëlçisë, e cila është dëmtimi i pakthyeshëm si rezultat i inflamacionit kronik dhe formimit të indit lidhës në mëlçi, si rezultat i të cilit e humb funksionin e saj. Këto tre sëmundje mendohet të jenë rezultat i rezistencës së insulinës, kurse indeksi BMI i ngritur (indeksi i masës trupore) është shumë shpesh i lidhur me shkallën e dëmtimit të mëlçisë. Me fjalë të tjera - sa më e madhe pesha, aq më i madh dëmtimi në mëlçi! Kjo është arsyeja pse ulja e peshës trupore është hapi i parë në trajtimin e kësaj sëmundjeje, pasi është treguar se ulja e peshës trupore çon në një nivel më të ulët të enzimave të mëlçisë së zezë në gjak.

Për këtë qëllim, faktor vendimtar është rregullimi i dietës, përkatësisht zëvendësimi i ushqimeve të yndyrshme dhe sheqernave të thjeshta me opsione më të shëndetshme dhe para se gjithash, rritja e konsumimit të frutave dhe perimeve të freskëta dhe proteinave të shëndetshme (mish i padhjamë, peshk, fasule, bishtajore, arra) dhe natyrisht, ulja e kalorive ditore. Ushqimi duhet të jetë i pasur me fibra (drithëra të plota) dhe probiotikë për të përshpejtuar metabolizmin. Është veçanërisht e rëndësishme të zëvendësohen pijet joalkoolike, të cilat zakonisht përmbajnë sasi të mëdha të sheqerit, me ujë të thjeshtë ose lëngje frutash të paëmbëlsuara.

Në përgjithësi, duhet të shmangen ushqimet me indeks të lartë glicemik që e ngritin me shpejtësi sheqerin në gjak, të tilla si buka e bardhë dhe pasta e bardhë, ëmbëlsirat, makaronat, orizi i bardhë dhe sheqeri i thjeshtë. Duhet të shmanget mishi i dhjamosur (p.sh. derri) dhe mishi i përpunuar (pashtetat, salsiçet, sallamet etj.), ushqimet e skuqura jo të shëndetshme (patate të skuqura, flips etj.), majoneza etj. Duhet të pini shumë ujë (2-3l në ditë) për të ndihmuar veshkat që të nxjerrin toksinat e çliruara nga mëlçia.

Qasjet e tjera nënkuptojnë abstinencën nga pijet alkoolike dhe pirja e duhanit, si dhe ulja e konsumit të kafesë në një maksimum prej 2-3 filxhanësh në ditë. Përveç ndryshimeve në dietë, është e rëndësishme të fillohet edhe me aktivitet të përditshëm fizik - ecje me kohëzgjatje prej të paktën 30 minutash në ditë. Aktiviteti fizik është shumë i rëndësishëm për shëndetin e mëlçisë sepse ndihmon në harxhimin e yndyrës së ruajtur nga mëlçia (si dhe nga pjesa tjetër e trupit). Ushtrimi, në kombinim me ndryshimin e dietës, rrit masën muskulore dhe ndjeshmërinë ndaj insulinës.

Përveç kësaj, shpeshherë duhet të trajtohen sëmundjet që janë të pranishme njëkohësisht, të tilla si diabeti i tipit 2 dhe nivelet e larta të kolesterolit dhe triglicerideve. Në këtë kontekst, ne gjithashtu mund ta ndihmojmë veten duke përdorur produkte natyrore të bazuara në silimarinë, angjinare, oriz të kuq, vitaminë E etj. Angjinarja është një mbrojtëse e njohur e mëlçisë dhe ndihmon në uljen e niveleve të larta të kolesterolit dhe triglicerideve duke stimuluar sekretimin biliar. Silimarina është një antioksidant i fortë që ndihmon në ripërtëritjen e qelizave të mëlçisë së zezë, ndërsa ekstrakti i orizit të kuq, përmes komponentit aktiv monakolinë K (në një dozë prej 10 mg/ditë), vepron si statinë natyrale dhe është provuar se normalizon nivelet e larta të kolesterolit dhe triglicerideve në gjak.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.6-7 të botimit elektronik të revistës BETTY (PRILL 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>