Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Fuqia e fjalëve të thëna

April 1, 2021



Ekziston një ligj i gravitetit, elektricitetit dhe ligje të tjera në fizikë. Ka edhe ligje shpirtërore, të tilla si ligji i shkakut dhe pasojës, por ekziston edhe ligji i mendjes. Mendimi, fjala ose fjalia e thënë del prej nesh sipas ligjit të mendjes dhe na kthehet si përvojë. Shpejtësia e mendimeve tona është e madhe dhe në fillim është e vështirë të formësohen. Nga ana tjetër, shprehja e mendimit është e ngadalshme, por edhe fjalia e shprehur ka fuqi të madhe dhe për këtë nuk jemi as vetë të vetëdijshëm. Nëse fillojmë të analizojmë fjalët, të cilat janë themeli i asaj që krijojmë vazhdimisht në jetë, do të vërejmë se flasim shumë dhe rrallëherë jemi të vetëdijshëm për atë që po flasim dhe se si i themi fjalitë. Ne u kushtojmë shumë pak vëmendje fjalëve të thëna. Në fakt, shumë prej nesh flasin në mohim.

Në shkollë kemi mësuar se si të flasim në mënyrë të duhur gramatikore, por nuk kemi mësuar se fjala e thënë mund të ndikojë në jetën tonë. Askush nuk na mësoi se mendimet janë krijuese dhe se mund ta formësojnë jetën tonë. Askush nuk na mësoi se ajo që e japim në formën e mendimit do të kthehet tek ne në formën e përvojës. Gjatë gjithë kohës na mësuan “Trajtojini të tjerët ashtu siç dëshironi që ata t'ju trajtojnë”, por askush nuk na mësoi se ia vlen të na duan, të na respektojnë.

Si fëmijë marrim mesazhe nga prindërit tanë, nga të cilët shpesh dëgjojmë, “bëje këtë apo atë”, “rregulloje dhomën”, “rregulloje shtratin”, e gjithë kjo që të na duan. Që në fëmijëri, ne e krijojmë idenë se vetëm nëse bëjmë disa gjëra do të na pranojnë. Më vonë, këto mesazhe të hershme formojnë të folurit tonë të brendshëm, mënyrën se si flasim me veten tonë, gjë që është shumë e rëndësishme, sepse është themeli i veprimeve dhe sjelljes sonë. Nëse e nënvlerësojmë veten, ashtu do ta kemi edhe jetën; nëse e duam dhe respektojmë veten, mund të kemi jetë të mrekullueshme dhe të hareshme. Ndaj, filloni të dëgjoni mendimet tuaja, nëse vëreni një kufizim ose fjalë negative, ndryshojini ato.

Ajo që shkakton më shumë stres dhe lidhet me të menduarit dhe fjalën e folur është fjala “duhet”, e cila duhet të hiqet nga fjalori dhe mendimet tona. Kur arrijmë ta bëjmë këtë, do të heqim qafe presionin e madh në të folur, gjë që na shkakton stres. Ne i krijojmë vetes shumë presion kur themi “Duhet të shkoj në punë”; “Duhet këtë... duhet atë... duhet”. Sa më të relaksuar do të ishim nëse do të thoshim “Unë zgjedh të shkoj në punë, sepse tani më lejon të paguaj...” Shprehja “Unë zgjedh” hap mundësi të reja në jetën tonë. Çdo gjë që bëjmë është zgjedhja jonë, edhe kur nuk na duket ashtu. Ne zgjedhim mendimet tona dhe ne jemi përgjegjës për atë se kush jemi, për karakterin tonë, për strukturën e personalitetit.

Sjellja jonë është e lidhur ngushtë me gjithçka që gjendet në nënvetëdijen tonë, e nënvetëdija nuk gjykon, ajo pranon dhe bën gjithçka në përputhje me besimet tona. Ajo thotë PO për gjithçka. Nënvetëdija jonë na jep gjithçka që deklarojmë. Por ne mund të bëjmë zgjedhje dhe nëse zgjedhim besime dhe qëndrime të këqija, supozohet se edhe e duam një gjë të tillë. Nënvetëdija na jep gjithçka që duam derisa të ndryshojmë mendimet, fjalët dhe besimet tona. Nënvetëdija jonë nuk bën dallimin midis të vërtetës dhe të rremes, të mirës dhe të keqes. Nëse themi “Ah, sa budallallaqe që jam”, nënvetëdija e përvetëson atë dhe pas një kohe të caktuar, ashtu edhe do të ndihemi. Për të qenë të lumtur dhe të kënaqur, është e nevojshme të heqim qafe mendimet dhe besimet negative.

Filloni të përdorni pohimet se jeni një person i denjë për dashuri. Pohimi është pika fillestare e ndryshimit dhe me të, i themi nënvetëdijes që të marrë përgjegjësi. ''Jam e vetëdijshme se ka diçka që duhet ta ndryshoj”.

Kur flasim për pohimet, nënkuptojmë një fjali të zgjedhur me vetëdije që do t'ju ndihmojë të mënjanoni me vetëdije diçka nga jeta ose të krijoni diçka të re në jetë në një mënyrë pozitive. Kur thoni “Nuk dua të jem më e sëmurë”, nënvetëdija do ta dëgjojë fjalën ''e trashë''. Duhet ta themi qartë atë që duam, të themi: “Ndihem për mrekulli, rrezatoj shëndet!”. Nënvetëdija e realizon atë që e dëgjon.

Duke përdorur pohimet ne gjithashtu mund të lirohemi nga shprehitë që na pengojnë dhe nuk i duam, për t'u liruar më pas nga diçka që nuk e duam në jetën tonë. Ajo mund t'u referohet njerëzve, situatave, objekteve në mjedisin e jetesës e të ngjashme. P.sh. “Të bekoj me dashuri, të lë të shkosh”.

Mendoni pak se çfarë do të donit në këtë çast? Çfarë doni sot në jetën tuaj? Kur pohimet shqiptohen për herë të parë, mund t'ju duket se nuk funksionon dhe se nuk është e gjitha e vërtetë, por kini durim, sepse pohimet janë si farat që mbillen në tokë - duhet kohë për të dalë lulja. Nëse jeni këmbëngulës dhe nëse i shprehni pohimet, do të vijë një moment kur, ose do të liroheni nga gjithçka që nuk e dëshironi në jetë ose do t'ju hapet një derë e re në jetë. Pohimet shprehen në kohën e tanishme dhe nuk duhet t'i referohen një veprimi të bërë nga një person tjetër. Për shembull, “Ai më do tani” nuk është pohim, është manipulim, një mënyrë për të kontrolluar jetën e dikujt tjetër. Një gjë e tillë mund të shkaktojë efekt bumerang dhe do të jeni të pakënaqur që nuk e keni marrë atë që e dëshironit. Mund të thoni: “Unë dua një person të mrekullueshëm që është...”, me çka shprehni cilësitë që i dëshironi në një marrëdhënie, që më pas t'ju zhvillohet fuqia për të gjetur një person që do t'i përmbushë këto cilësi.

Ushtrim për t'u liruar nga ankthi dhe frika me fjali të thëna si duhet

Ky është një ushtrim i thjeshtë por efektiv për të hequr qafe ndjenjat e ankthit, frikës ose fobisë. Para se të filloni ta ushtroni, është e dëshirueshme të bëni një listë të të gjithë njerëzve, vendeve ose situatave që ju bëjnë të ndiheni të shqetësuar, të frikësuar ose në ankth, tani ose në të kaluarën. Këtë ushtrim mund ta praktikoni kur të doni të liroheni nga frikërat dhe shqetësimet e së kaluarës ose nëse në moment ndjeni frikë, shqetësim ose ankth.

Si kryhet ky ushtrim?

Uluni, relaksohuni, kujtoni një situatë, vend ose njerëz në listën tuaj, dhe shprehni me zë të lartë çdo mendim apo ndjenjë që ju vjen, të tilla si “Unë jam e shqetësuar dhe e frikësuar, jam e tmerruar...“ Përsëriteni këtë frazë sa më shpejt që mundeni. Do të vini re se kur ta përsërisni këtë frazë, ajo do të bashkohet, do të mbështillet dhe në fund do të filloni të murmurisni. Në atë moment, prisni dhe shihni nëse ju vjen ndonjë frazë e re.

Medoemos përmendni ato fjalë nëse vuani nga një fobi, për shembull nëse jeni të frikësuar nga diçka e veçantë si merimangat, tërmeti, se mos sëmureni nga ndonjë sëmundje e veçantë. Nëse nuk i shprehni, nuk do të jeni në gjendje të ndërprisni ciklin e frikës ose fobisë.

Një nga komentet që kanë njerëzit të cilët ndiejnë shpesh ankth është se ata kanë frikë ta shprehin frazën, sepse besojnë se nëse e thonë, do të kenë edhe më shumë frikë. Por nëse përpiqeni ta harroni problemin, këto frika do të futen edhe më tej në pavetëdijen e personit dhe do të shkaktojnë probleme edhe më të mëdha, në formën e ankthit, panikut, dhimbjes së kokës etj.

Por në qoftë se arrijmë t'i shprehim, të çlirohemi nga ndjenjat e ankthit, pa marrë parasysh nëse i rifreskojmë mendimet, përvojat ose kujtimet e shkaqeve, ato ndjenja largohen. Kur të dalin prej nesh, kur nuk do të jenë më të kyçura në pavetëdije, nuk do të na bëjnë më problem. Si rezultat i kësaj, do të ndiejmë freskim dhe kënaqësi.

(Teksti është pjesë e programit të terapisë anti-stres. Rindërtoni mendimet tuaja dhe hiqni stresin, ankthin dhe tensionin duke bërë tuajin të gjithë programin e terapisë anti-stres me trajnimin autogjen. Më shumë informacion mbi trajnimin në as.anima@hotmail.com )

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.16-17 të botimit elektronik të revistës BETTY (PRILL 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>