Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Është koha për vrapim!

April 1, 2021

Kokan Ajanovski
-më shumë se 20 herë kampion maqedonas në disiplina të ndryshme atletike
-reprezentues maqedonas me më shumë se 30 shfaqje për Maqedoninë,
-autor i librit ''Vrapimi më mëson'' dhe trajner në Shkollën e vrapimit Nike (Shkup)

|

Vrapimi sjell dobi të pafundme tek ata që e praktikojnë. Ata që fillojnë të vrapojnë në mënyrë rekreative, zakonisht e bëjnë atë me qëllim të përmirësimit të kondicionit fizik. Kur e arrijnë këtë qëllim, ata vërejnë se edhe trupi i tyre ka ndryshuar dhe duken më mirë dhe më bukur. Por ajo për të cilën ndoshta nuk janë të vetëdijshëm në fillim është se përfitim të madh do të kenë edhe në shëndetin e tyre mendor. Ajo është si bonus. Kështu, përmes vrapimit fitojmë mirëqenie të plotë, gjegjësisht shëndet psikofizik plotësisht në harmoni. Pavarësisht nëse keni filluar të vraponi për të humbur peshë ose për të “kullotur trurin”, me siguri do të ndiheni shumë të kënaqur me vrapimin, nëse merreni me të në mënyrë rekreative ose profesionale.



Ka më shumë faktorë, por unë do të përmend vetëm disa. Ekziston një fjalë e urtë maqedonase që thotë: “Ngadalë, më larg”. Fillestarët janë zakonisht shumë euforikë kur fillojnë të vrapojnë, duke dashur që të arrijnë qëllimet e tyre brenda natës dhe harrojnë se shkaku i formës së tyre aktualisht të padëshirueshme është krijuar gjatë disa muajve apo viteve. Prandaj, gjëja më e rëndësishme është të përparojnë pak nga pak. Do të ishte mirë nëse vrapimi bëhet mënyrë jetese, ashtu që të mos ketë nevojë për nxitim dhe të mund t'i arrijmë qëllimet e dëshiruara hap pas hapi dhe me kënaqësi. Po flasim për qëllime, por shumë fillestarë nuk kanë qëllimet e tyre, kështu që do të ishte e zgjuar t'i vendosnim vetes një qëllim të qartë që nga fillimi. Qëllimet e përcaktuara saktësisht do të na paraprijnë më lehtë përgjatë rrugës së realizimit të tyre.

Vrapimi është sport që zhvillohet në kushte të jashtme. Kjo është arsyeja pse numri më i madh i dashamirësve të vrapimit e zgjedhin pikërisht këtë aktivitet fizik, që të mund të jenë në natyrë dhe të ikin nga ambientet e mbyllura në të cilat e kalojnë kohën kur janë në shtëpi, në shkollë, në punë etj. Prandaj mendoj se nëse bëhet një anketë, 90% do të zgjidhnin të vraponin jashtë, dmth. në natyrë.

Kohët moderne në të cilat jetojmë dhe zhvillimi i teknologjisë, na lejon të kemi një zgjedhje dhe nëse duam, të vrapojmë dhe në shirit vrapi. Përparësia e vrapimit në shirit vrapi është se jemi ne ata që i përcaktojmë kushtet në të cilat vrapojmë dhe nuk kemi ndikime të jashtme, si moti i ftohtë ose i nxehtë, shiu apo dëbora, era, akulli etj. Ana negative është se vrapimi në shirit mund të na bëhet monoton dhe i mërzitshëm, çka nuk ndodh kur jemi jashtë, ku çdo herë mund të zgjedhim një vend të ri për të bërë aktivitet. Vrapimi në natyrë gjithashtu na jep mundësinë për të vrapuar në një sipërfaqe më të butë, të vrapojmë në grup etj. Meqenëse jemi të gjithë të ndryshëm nga njëri-tjetri, do të ishte më mirë që secili të zgjedhë për vete se ku do të vrapojë. E vetmja gjë e rëndësishme është të vrapojmë!



Vrapimi vepron shkëlqyeshëm në shëndetin tonë dhe rekomandohet gjithmonë, në qoftë se dëshirojmë të jemi person më i fortë dhe i shëndetshëm mendërisht! Është vërtetuar shkencërisht se vrapimi ndihmon në momente depresioni dhe ankthi dhe është aktivitet fizik shumë i dobishëm për trajtimin ose parandalimin e këtyre situatave apo luhatjeve të tjera psikike dhe krizave gjatë jetës.

Filloni të vraponi sot. Mos e shtyni vrapimin për kohë më të mira, kur të jetë më ngrohtë ose më ftohtë, sepse nëse e prisni kohën ideale për të filluar, mbase nuk do t'i vishni kurrë atletet e vrapimit. Shijoni procesin dhe mos i bëni vetes presion të panevojshëm. Le të jetë vrapimi dashuria juaj. Gëzohuni dhe jini mirënjohës për çdo vrap tuajin.

Kujdesuni për ushqimin, shkoni në masazh, vizitoni një qendër SPA dhe kështu do të jeni në gjendje të lëshoheni plotësisht në vrapim, kurse mundësia e lëndimeve do të jetë minimale. Dëgjoni trupin tuaj. Investoni në veten tuaj dhe pajisjet e vrapimit - kështu nuk do të mërziteni asnjëherë. Konsultohuni me një trajner vrapimi dhe dëgjoni këshillat dhe planin e seancave të stërvitjes. Merrni pjesë në gara dhe respektoni komunitetin e vrapimit. Gjeni një klub vrapimi ku vrapimi mund t'ju duket më tërheqës dhe më argëtues. Stërvituni me zgjuarsi dhe mos harroni se edhe pushimi është pjesë e rëndësishme e stërvitjes. Zgjidhni edhe aktivitet fizik shtesë, që do të jetë plotësues për vrapimin dhe t'ju bëjë edhe më të suksesshëm.

Përshëndetje sportive!


Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.30 të botimit elektronik të revistës BETTY (PRILL 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>