Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Shtatzënie dhe përdorimi i vitaminave dhe mineraleve

June 1, 2021

dr. Abdieri Bilali Veapi
gjinekolog-obstetër specialist
Ordinanca gjinekologjike HERA, Gostivar

|



Kujdesi parësor i gruas shtatzënë mundësohet nga një mjek obstetër-gjinekolog i sektorit parësor, i cili është i kualifikuar për të dhënë kujdes prenatal. Qëllimi kryesor i kujdesit prenatal është ruajtja e shëndetit të përgjithshëm dhe mirëqenies së gruas shtatzënë, fetusit/foshnjës, si dhe të gjithë familjes.

Në tre dekadat e fundit, në botë dhe në vendin tonë, është bërë përparim i rëndësishëm teknologjik në kuadër të kujdesit shëndetësor prenatal nëpërmjet sjelljes së teknikave për ndjekjen elektronike të fetusit, sonografisë dhe amniocentezës. Qëllimi është të sigurohet parandalimi dhe ulja e shkallës së vdekshmërisë së nënës dhe fetusit. Një nga qëllimet kryesore të kujdesit shëndetësor prenatal është sigurimi i ushqimit adekuat dhe përdorimi i duhur i shtojcave ushqimore gjatë shtatzënisë. Dieta cilësore dhe e shumëllojshme dhe marrja e mjaftueshme e mineraleve dhe vitaminave, kontribuon në një shtatzëni të shëndetshme dhe një zhvillim më të mirë të fëmijës.



Gjatë shtatzënisë rritet nevoja për marrje më të madhe të lëndëve ushqyese. Sipas rekomandimeve të fundit për marrjen e përditshme të lëndëve ushqyese, vetëm hekuri, acidi folik dhe vitamina D duhet të konsumohen dy herë më shumë në periudhën e shtatzënisë. Sipas rekomandimeve të Akademisë Kombëtare të Shkencës, përveç kësaj, gratë shtatzëna duhet të marrin çdo ditë rreth 30 mg hekur në formën e oksidit të hekurit. Rritja e përqendrimit të hekurit në trup, është e dobishme jo vetëm për fetusin, por edhe për përmirësimin e pasqyrës së gjakut të shtatzënës. Për këtë arsye, grave shtatzëna u rekomandohet që të konsumojnë më shpesh ushqime të pasura me hekur. Ky mineral gjendet në mish, mëlçi, vezë, arra, lakër, bukë integrale, drithëra dhe fruta të thata.

Të gjitha gratë gjatë shtatzënisë duhet të marrin 0.4 mg acid folik në ditë. Gratë që kanë lindur më parë një fëmijë me defekt të tubit nervor, duhet të marrin 4 mg në ditë, 4 javë para ngjizjes dhe tre muaj gjatë shtatzënisë. Është provuar se përdorimi i acidit folik, para se gruaja të mbetet shtatzënë mund të zvogëlojë incidencën e defekteve të tubit nervor, si dhe defekteve të tjera neurologjike.

Kërkesa për kalcium dhe fosfor rritet me 50%, ndërsa për B6 (piridoksinë) dhe B1 (tiaminë) me rreth 30%. Tek pacientet me një dietë vegjetariane të rreptë, mund të kërkohet marrja shtesë e vitaminës B12, ndërsa marrja e proteinave, zinkut dhe riboflavinës duhet të rritet me rreth 25%. Të gjitha lëndët ushqyese të tjera, përveç vitaminës A, duhet të rriten përafërsisht me 20%. Vitamina A, duhet të merret në sasi normale, sepse në trupin e nënës ka rezerva të mjaftueshme të kësaj vitamine dhe grumbullimi i tepruar ka efekt teratogjenik.

Është e njohur që gratë me status më të lartë socio-ekonomik, kanë kapacitet më të lartë riprodhues dhe një përqindje më të lartë të pasardhësve normal/të shëndetshëm, krahasuar me gratë me status më të ulët socio-ekonomik, pasi ato zakonisht ushqehen më shëndetshëm, me ushqim cilësor dhe marrin proteina të mjaftueshme.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.20-21 të botimit elektronik të revistës BETTY (QERSHOR 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>