Dr. Kosta Cvetkoviq
Specialist i dermatovenerologjisë
|
Shenjat e para të dukshme të plakjes shfaqen mbi moshën 40 vjeç. Duke e pasur parasysh këtë, në cilën fazë mjafton vetëm përdorimi i kozmetikës cilësore dhe cilat shenja tregojnë se, nëse duam pamje më të freskët, duhet të kontaktojmë me një mjek?
Kjo pyetje nuk ka një përgjigje përfundimtare, ngase secili individ ka perceptim dhe pritshmëri të ndryshme për pamjen e vet. Por nëse duhet të theksojmë diçka, atëherë do të thoja se shfaqja e rrudhave pasive në zona të caktuara të fytyrës është shenjë se duhet të fillojmë të mendojmë për diçka më konkrete sesa vetëm kozmetikë. Rrudhat e tilla më shpesh gjenden në ballë, rreth syve, rreth hundës dhe midis vetullave.
A është botoksi një nga zgjidhjet më të mira për ripërtëritjen e lëkurës (dhe pse është apo nuk është)?
Nuk gabojmë nëse themi se botoksi është aktualisht (dhe në të ardhmen) standardi i artë për rrafshimin e rrudhave të fytyrës dhe arritjen e një efekti ripërtëritjeje. Roli i tij është “relaksimi“ i muskujve që, për shkak të funksionit të tyre normal (grimasave), e mbledhin lëkurën dhe në këtë mënyrë krijojnë rrudha. I sigurt, i shpejtë dhe afatgjatë, botoksi do të mbetet primat në dermatologjinë estetike edhe për shumë vite të tjera.
A ka ndërhyrje efektive joinvazive dhe pa dhimbje kundër plakjes, veçanërisht për ata që kanë frikë nga gjilpërat?
Sigurisht që ekzistojnë shumë teknika joinvazive, sidomos në fushën e mezoterapisë, por efekti i fituar nuk mund të krahasohet me teknikat që përfshijnë shpimin e lëkurës. Shpejtësia e arritjes së rezultateve të dëshiruara, jetëgjatësia dhe efikasiteti, për fat të keq, janë ende në anën e teknikave invazive. Për të qenë të qartë, kjo nuk do të thotë se metodat joinvazive janë joefektive, por se qasja është e ndryshme për arritjen e të njëjtit qëllim.
Cilat janë, sipas mendimit tuaj, trajtimet dhe ndërhyrjet mjekësore-estetike më efektive për ripërtëritjen e fytyrës?
Përgjigja për këtë pyetje ndryshon në varësi të nevojës së pacientëve tanë. Për rrudhat në fytyrë, botoksi është standardi i artë i trajtimeve. Nëse po kërkojmë të kompensojmë vëllimin, atëherë mbushësit prej acidi hialuronik janë vegla jonë më e mirë. Nëse kërkojmë që të rikthejmë shkëlqimin rinor, elasticitetin dhe të përmirësojmë ngjyrën e fytyrës, atëherë pilingjet enzimatike janë mënyra më e mirë për ta arritur atë. Për njollat nga dielli ose shkaqe të tjera, atëherë trajtimi me laser në kombinim me ndonjë nga llojet e shumta të pilingjeve enzimatike na jep rezultatet më të mira. Çdo pacient është i ndryshëm për sa u përket dëshirave, pritjeve dhe nevojave, por këto trajtime, ndonëse jo të vetmet, janë ende më të mirat në kategoritë e tyre dhe pa dyshim japin rezultatet më të mira.
Lëkura e qafës dhe e krahëve është gjithmonë ajo që na i zbulon vitet. Si mund të ndërhyhet për një pamje më rinore pikërisht në këto pjesë të ndjeshme?
E mira e dermatologjisë estetike është se ajo i jep dermatologut lirinë e përdorimit të metodave të ndryshme për të arritur qëllimet e pacientëve të tij. Për problemin në fjalë, do të përdoreshin disa metoda të ndryshme, duke filluar me botoksin për të zvogëluar rrudhat në qafë, më pas mund të përdoren edhe disa mbushës mezoterapie ose fotorejuvenimi me laser për të tendosur dhe rinuar lëkurën. Për këtë rekomandojmë gjithashtu kozmetikë për përdorim të përditshëm dhe për të mirëmbajtur efektin e trajtimeve.
Sa u përket duarve, mbushësit dermalë janë zgjedhja jonë më e mirë, sepse ata e rrafshojnë relievin e strukturave anatomike të duarve dhe kështu i “kthejnë” vitet prapa. Pas mbushësve, qasja më e përshtatshme për trajtimin e njollave nga dielli dhe lipofuscinës janë pilingjet enzimatike, të cilat duhet të shoqërohen me kozmetikë të përshtatshme. Megjithatë, këto janë përshkrime të përgjithshme, sepse natyrisht trajtimet mund të ndryshojnë në pajtueshmëri me vetë pacientët, por edhe sipas indikacioneve. Çdo pacient është i veçantë, me nevojat e veta individuale.
Pas terapive, çfarë ju rekomandoni pacientëve për të ruajtur rezultatet e fituara në jetën e përditshme dhe cila është jetëgjatësia e tyre?
Jetëgjatësia varet nga lloji i preparatit dhe organizmi i secilit individ të veçantë. Megjithatë asnjë prej këtyre trajtimeve nuk zgjat përgjithmonë dhe kërkon veprim të përsëritur, për ç'qëllim ne rekomandojmë kozmetikë të përshtatshme, detyra e së cilës është përmirësimi dhe zgjatja e rezultateve të trajtimeve dermatologjike të kryera. Rekomandimi ynë është që të kujdeseni për të gjithë trupin, jo vetëm për lëkurën. Kjo është për shkak se shëndeti i lëkurës është pasqyrë e shëndetit të trupit tonë, kurse të gjitha problemet e brendshme manifestohen në sipërfaqen e lëkurës dhe në funksionin e saj.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.24-25 të botimit elektronik të revistës BETTY (QERSHOR 2021).