Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Hepatiti

July 1, 2021

d-r Katerina Ristoska
specialist në mjekësi të brendshme
ISHP Nefro plus, Shkup

|



Mëlçia është një organ jetik, që kryen funksione të rëndësishme në organizëm. Në të krijohen një numër i madh lëndësh ushqyese dhe faktorë të koagulimit, si dhe pastrohet gjaku nga substancat toksike. Çdo sëmundje ose dëmtim i mëlçisë çon në një çrregullim të ndjeshëm të funksionit të përgjithshëm të organizmit.

Hepatiti është një grup sëmundjesh që prekin indet e mëlçisë, duke shkaktuar inflamacion të mëlçisë. Ekzistojnë disa shkaqe të hepatitit, të tilla si abuzimi me alkoolin, toksina të ndryshme, droga, kimikate, ilaçe, sëmundje autoimune, por shkaku më i zakonshëm i dëmtimit të mëlçisë dhe sëmundjes është hepatiti viral.

Hepatiti viral është i përhapur në të gjithë botën, me shkallë të ndryshme infeksioni, veçanërisht në vendet e pazhvilluara dhe në zhvillim. Ai paraqitet në endemi, por edhe në epidemi dhe pandemi më të mëdha. Ekzistojnë disa lloje, por më të zakonshmet janë pesë llojet e hepatitit viral, të klasifikuar si Hepatiti A, B, C, D dhe E, të cilët përbëjnë 95% të numrit të përgjithshëm të njerëzve të infektuar.

Duke qenë se hepatiti B dhe C prek më shumë se 320 milion njerëz në të gjithë botën, me 3 milion infeksione të reja çdo vit dhe 1.1 milion vdekje në vit, atëherë bëhet e qartë se parandalimi dhe trajtimi në kohë i këtyre sëmundjeve luan një rol të rëndësishëm në ndrydhjen e këtyre sëmundjeve. Në të gjithë botën, rreth 290 milion njerëz jetojnë me hepatit viral pa e ditur se janë të infektuar dhe rreth 400 milion janë bartës kronikë të virusit, gjë që flet shumë për nevojën për ekzaminim dhe diagnostikim në kohë të hepatitit viral, për t'i zbuluar këto forma asimptomatike dhe për të parandaluar përhapjen dhe pasojat kronike shëndetësore, të cilat, nëse nuk trajtohen, mund të jenë vdekjeprurëse.

Hepatiti viral mund të shkaktojë forma akute, kronike dhe fulminante të sëmundjes së mëlçisë.

Forma akute çon në inflamacion të papritur të mëlçisë, mund të përparojë në sëmundje të rëndë, por zgjat më pak se 6 muaj dhe në shumicën e rasteve është një sëmundje vetë-kufizuese, ndërsa forma kronike zgjat më shumë se 6 muaj dhe është një gjendje e përhershme pezmatimi i mëlçisë, i cili çon në dëmtim të rëndë të indeve të mëlçisë dhe ka një rrjedhë më të rëndë. Forma fulminante është një formë e rëndë e hepatitit akut, që përkeqësohet papritmas dhe shumë shpejt dhe zakonisht përfundon me vdekje.

Hepatiti viral ndryshon sipas shpërndarjes gjeografike, mënyrës së bartjes, mënyrës së dëmtimit të mëlçisë, metodave të parandalimit dhe trajtimit dhe pasojave afatgjata për shëndetin e njeriut.

Transmetimi ose mënyra e bartjes mund të bëhet përmes kontaminimit oral me ushqim dhe ujë të ndotur, siç është rasti me hepatitin A dhe E të cilët transmetohen më së shpeshti në këtë mënyrë, kurse në popull janë më të njohur si verdhëza ngjitëse ose sëmundja e duarve të ndyra. Hepatiti A dhe E shkaktojnë sëmundje akute kalimtare dhe janë më të shpeshtë në vendet me standarde të ulëta të higjienës. Nga ana tjetër, hepatiti B dhe C barten përmes gjakut dhe produkteve të gjakut dhe mund të barten përmes kontaktit seksual, transmetimit vertikal nga nëna tek fëmija dhe lëngjeve të tjera të trupit.

Hepatiti A dhe E më shpesh prekin fëmijët, si rezultat i higjienës së pamjaftueshme të përgjithshme dhe personale, ndërsa hepatiti B dhe C më shpesh prek grupet e rrezikut të popullatës, siç janë personat e varur nga droga intravenoze, homoseksualët dhe njerëzit me më shumë partnerë seksualë. Në rrezik të infeksionit me këto lloje të hepatitit janë punonjësit shëndetësorë nga të gjitha profilet, të cilët vijnë në kontakt me gjakun dhe lëngje të tjera të trupit, si dhe disa pacientë që janë të ekspozuar ndaj disa procedurave mjekësore, si p.sh. pacientët me hemodializë, transfuzionet e gjakut dhe transplantimi i organeve nga persona të infektuar (të cilat janë shumë të rralla sot) apo lëndimet aksidentale me sende, instrumente dhe gjilpëra të kontaminuara.

Ndryshe nga këto raste të hepatitit, të cilat, secila më vete çojnë në sëmundje të mëlçisë, hepatiti D shkakton infeksion vetëm së bashku me hepatitin B, për këtë arsye quhet virus satelitor.

Hepatiti B dhe C janë shpesh të lehtë ose asimptomatikë, por bëhen kronikë dhe në shumicën e rasteve shkaktojnë dëmtime të mëdha të mëlçisë, duke çuar në cerozë dhe kancer të mëlçisë (çdo i treti person me kancer të mëlçisë ka pasur hepatitin viral në të kaluarën).

Periudha nga infeksioni deri në zhvillimin e simptomave quhet periudhë inkubacioni dhe mund të zgjasë nga 15-50 ditë në hepatitin A, 26-45 ditë në hepatitin E, 60-150 ditë në hepatitin B ose 2-26 javë në hepatitin C, ndërsa në hepatitin D nga 2 deri në 8 javë.

Simptomat e sëmundjes mund të sillen nga të lehta deri në të rënda, duke përfshirë ethe, humbje të oreksit, plogështi, diarre, të përziera, dhimbje barku, urinë të errët, jashtëqitje të lehta, ngjyrë të verdhë të lëkurës dhe mukozës, skuqje të lëkurës, mavijosje, gjakderdhje, zhvillim të ujit në stomak. Këto simptoma janë më të theksuara te hepatiti A, ndërsa te hepatiti B dhe C mund të mos ketë fare simptoma.

Në rastin e virusit të hepatitit B, pas trajtimit të përfunduar, në gjendje dhe sëmundje të caktuara mund të vijë deri te riaktivizimi i virusit, edhe atë kur përdoret terapi imunosupresive për sëmundje të ndryshme, kur përdoret terapi për trajtimin e kancerit, gjatë terapisë pas transplantimit të organeve, si dhe në bashkë-infeksion me hepatitin C.

Diagnostikimi i hepatitit viral bëhet përmes ekzaminimeve serologjike, duke përcaktuar antigjenet dhe antitrupat për secilin virus veç e veç, si dhe me teste biokimike që do të na tregojnë se sa dhe si është dëmtimi i mëlçisë. Teknikat e imazhit diagnostikues janë gjithashtu të dobishme, si ultrasonografia e mëlçisë, tomografia e kompjuterizuar etj.

Parandalimi ose procedurat që mundësojnë zhdukjen e këtyre sëmundjeve janë të ndryshme dhe përfshijnë disponueshmërinë e ujit të pastër, disponueshmërinë e mjeteve të higjienës dhe dezinfektuesve, higjienën e përshtatshme personale dhe të përgjithshme, sidomos të duarve, si dhe vaksinimin kundër virusit përkatës.

Fatkeqësisht, parandalimi me anë të vaksinimit është i disponueshëm vetëm për hepatitin A dhe hepatitin B, kurse në Shtetet e Bashkuara edhe për hepatitin E. Vaksinimi kryhet sipas një kalendari vaksinimi të miratuar nga Ministritë e Shëndetësisë në secilin vend.

Metoda e trajtimit është simptomatike dhe me terapi antivirale për llojin përkatës të hepatitit, e cila për fat të keq është mjaft e shtrenjtë dhe e padisponueshme për shumë vende të varfra në botë.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.4-5 të botimit elektronik të revistës BETTY (KORRIK 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>