Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Këshilla kyçe për vendimin në lidhje me karrierën

July 1, 2021

Katerina Zlatanovska Popova
këshilltare e certifikuar e zhvillimit të karrierës

|

јули2021

Me siguri që deri tani, ju ose ndonjë i afërm i juaji, keni hasur në vështirësi në zgjedhjen e karrierës dhe, në një masë më të madhe ose më të vogël, vendimi që keni marrë bazohej në bindjet dhe qëndrimet tuaja ose mendimin e të afërmve, komunitetit apo rrethit tuaj. Pa marrë parasysh nëse jeni një i ashtuquajtur realist, një optimist i pandreqshëm ose thjesht besoni se disa janë më me fat se të tjerët, ju rekomandoj që të lexoni 5 "pengesat" e zakonshme të mëposhtme gjatë marrjes së vendimit për karrierën dhe, më e rëndësishmja, të përpiqeni të hiqni qafe besimet kufizuese. Sepse, nëse udhëhiqemi nga shprehja "ki kujdes se çfarë dëshiron", është jashtëzakonisht e rëndësishme se cilat janë mendimet dhe qëndrimet tuaja në lidhje me karrierën.

Sugjeroj që t'i shqyrtojmë ato që i hasim më shpesh kur flasim me klientët dhe gjithashtu t'ju ofrojmë një këndvështrim paksa të ndryshëm për secilin.

  1. Jam tashmë 40 vjeç, jam i/e moshuar për të kërkuar një punë të re!


Do të doja të theksoja që në fillim se, kur bëhet fjalë për vitet, nuk ekziston diçka e tillë si mosha e duhur ose e gabuar për të ndryshuar punë, profesion ose për të filluar një karrierë të re në një fushë krejt tjetër. Sigurisht, për profesione të caktuara, kufiri i moshës mund të jetë pengesë, por nuk do të thotë që nëse jeni mbi 40 vjeç nuk ka asnjë mundësi për të gjetur punë ose për të ndryshuar profesion. Gjëja më e rëndësishme është se si e shikoni karrierën tuaj, a mendoni për ndryshim apo parapëlqeni të qëndroni në zonën e sigurt.

Ndonjëherë, jeta dhe gjithçka që ndodh në të, na shtyjnë në një drejtim ku jemi të detyruar të bëjmë zgjedhje të reja, të kërkojmë punë të re. Ndonjëherë, është vendim i ndërgjegjshëm për të filluar një fazë të re në jetë. Cilado qoftë arsyeja pse po mendoni të ndryshoni profesionin ose vendin e punës në çfarëdo moshe, është thelbësore që t'i bëni vetes pyetjen e parë: "a dua të filloj biznesin tim apo dua të kërkoj punë diku"? Në varësi të përgjigjes suaj, qasja dhe strategjia për arritjen e qëllimit do të jenë krejtësisht të ndryshme.

Unë njoh dhe jam dëshmitare e shembujve të panumërt kur pas shumë vitesh përvojë pune në një kompani, njerëzit vendosin të fillojnë biznesin e tyre, të njëmendësojnë një dëshirë jetësore. Nga ana tjetër, kompanitë janë të interesuara për njerëz punëtorë, me qëndrime reale ndaj qasjeve dhe mënyrave të reja të punës dhe veçanërisht për njerëz që do të angazhohen për një kohë të gjatë dhe janë të interesuar të qëndrojnë në kompani.

Ajo që e bën ndryshimin është përvoja e fituar, aftësitë e përvetësuara dhe njohuritë që keni grumbulluar gjatë viteve, duke qenë se punëdhënësit gjithnjë e më shpesh po tregojnë vullnet që, krahas të rinjve, të punësojnë edhe njerëz me përvojë. Madje ka kompani, strategjia për tërheqjen e stafit cilësor dhe të trajnuar e të cilave, bazohet në punësimin e njerëzve që janë në vitet para pensionit, duke u ofruar atyre përfitime të veçanta dhe paketa pensioni, nëse qëndrojnë në kompani për një kohë të gjatë. Prandaj, nëse keni cilësi të tilla, si dëshira për të punuar, interesi për të mësuar vazhdimisht diçka të re, mund të përshtateni me ekipin e ri dhe mjedisin e ri të punës, keni fituar aftësi dhe njohuri që i duhen dikujt, atëherë nuk keni nevojë të brengosuni për moshën.

  1. Ah, si nuk mendova ta kryeja fakultetin me kohë!


Për fat të keq, në vendin tonë ende mbizotëron besimi se diploma universitare, titulli dhe arsimi formal sjellin përparësi në punësim dhe ngritje në detyrë. Edhe ky, pohoj me përgjegjësi, është një mit nga i cili duhet të liroheni sa më shpejt të jetë e mundur. Koha e kaluar në universitet sigurisht që ju sjell njohuri të caktuara, përvojë, rrjet kontaktesh dhe mundësish, por nuk është parakusht për sukses në karrierë ose punësim. Ajo që është më e rëndësishme është të mos reshtni së përsosuri, së mësuari aftësi të reja, së marruri pjesë në kurse të arsimit joformal...

Për më tepër, ju këshilloj të mos e harxhoni energjinë duke u penduar që nuk keni diplomë universiteti, por ta investoni atë kohë dhe forcë për të mësuar vazhdimisht diçka të re, duke e përmirësuar veten dhe duke e bërë mësimin pjesë të jetës së përditshme. Edukimi formal e ka gjithnjë e më të vështirë të qëndrojë në hap me nevojat e një bote dinamike dhe të ndryshueshme të biznesit, duke qenë se shumë nga kompanitë më të mëdha në botë tani të pyesin se çfarë di të bësh, çfarë di të punosh, çfarë aftësish të veçanta ke që do të ishin vlerë e shtuar për ekipin dhe kompaninë dhe janë shumë pak të interesuara për një diplomë universiteti. Kjo prirje po përhapet gjithnjë e më shumë dhe besoj se, shumë shpejt, edhe në vendin tonë vlera e punonjësit do të matet sipas kompetencave që zotëron, jo sipas diplomës.

  1. Është tepër vonë për mua të mësoj një gjuhë të huaj tani!


Pse mendon kështu? Kush e përcakton këtë?

Siç e përmenda më lart, të mësuarit duhet të bëhet misioni juaj gjatë gjithë jetës. Sa më shpejt të ndryshoni qëndrimin tuaj nga "tani është tepër vonë" në "është koha e duhur për mua", aq më shpejt do ta ndjeni fuqinë e universit dhe mundësitë që vijnë me hapjen e mendjes suaj për përvoja, njohuri dhe aftësi të reja. Me kapërcimin e mendimeve kufizuese, do të ndërtoni vetëbesimin dhe vetëvlerësimin tuaj dhe në të njëjtën kohë do t'ju hapen dyer për mundësi të reja më të mëdha në lidhje me karrierën dhe përparimin tuaj. Pra, para se të thoni me vete "nuk mund të mësoj një gjuhë të huaj tani", mendoni se çfarë do të ishte ndryshe dhe çfarë mund të fitoni nëse vendosni të ndryshoni qëndrimin tuaj dhe të filloni t'i përvetësoni aftësitë e nevojshme në kohën e re.

  1. Ka krizë, nuk ka punë, të gjithë po i pushojnë nga puna punonjësit!


Për disa, kriza do të thotë mundësi, për të tjerët humbje. Sipërmarrësit do t'ju thonë se kohët më të mira janë kohët e krizës. Për dikë, krizat nënkuptojnë një fillim të ri, mundësi të reja, tregje të reja, nevoja të reja, që nga ana tjetër nënkuptojnë mundësi të reja biznesi. Fatkeqësisht, për të tjerët do të thotë humbje, dështim i plotë i biznesit, humbje e vendit të punës...

Ajo që është thelbësore është aftësia juaj për t'iu përshtatur gjendjes dhe rrethanave. Ata që adaptohen dhe përshtaten më shpejt, do ta shikojnë krizën nga këndi i mundësisë për të fituar aftësi dhe njohuri të reja, për të hapur një sektor ose një treg të ri në biznes dhe janë pikërisht ata që do të dalin fitimtarë edhe në kushte të vështira të punës.

Dhe ndërsa disa biznese i pushojnë nga puna punonjësit e tyre për shkak të zvogëlimit të vëllimit të punës, të tjerët kanë nevojë për më shumë punonjës. Prandaj, mos u dëshpëroni, por punoni në ndërtimin e elasticitetit tuaj, aftësi që do t'ju ndihmojë të përshtateni me situatën aktuale të jetës dhe të vështroni përreth se ku mund të kërkoni një punë të re, çfarë mund të mësoni ose në çfarë fushe mund të përsoseni dhe të specializoheni, cila industri ka nevojë të shtuar dhe ku ju me aftësitë dhe njohuritë tuaja mund të jeni vlerë e shtuar.

  1. Nuk shkoj të punoj për një pagë prej 200 euro!


Paga, si dhe të gjitha kushtet e tjera të punës janë pjesë e kontratës midis punëmarrësit dhe punëdhënësit. Kjo do të thotë se, si në çdo marrëveshje, të dy palët kanë të drejtë të barabartë për të pranuar ose refuzuar kushtet, përfshirë shumën e pagës. Kushtet ekonomike, oferta dhe kërkesa në tregun e punës, ekspertiza dhe specifika e profesionit të kërkuar, ndikojnë drejtpërdrejt në pagat e ofruara nga punëdhënësit në industri të ndryshme. Ajo që dua të theksoj është që ju nuk keni nevojë ta pranoni punën nëse nuk ju përshtatet paga.

Fatkeqësisht, në vendin tonë, veçanërisht në disa sfera të sektorit privat, pagat janë nën të gjitha standardet dhe nuk sigurojnë mbulimin e nevojave themelore. Megjithatë, ka disa profesione që nuk kanë të bëjnë me industrinë e IT-së, në të cilën pagat janë jashtëzakonisht të larta për kushtet tona dhe janë "me një çmim". Zakonisht bëhet fjalë për punëtorë shumë të kualifikuar, si hidraulikë, elektricistë, instalues, marangozë, shefa kuzhine, kujdestarë... lista është shumë e gjatë.

Shikojeni situatën nga një këndvështrim tjetër. Sa jeni të gatshëm të paguani për të mësuar një profesion ose aftësi të re? Sa jeni të gatshëm të punoni pa pagesë (pagë ose honorar), nëse brenda një kohe të shkurtër ju lejon të fitoni përvojë, aftësi ose njohuri të reja dhe keni mundësi t’i zotëroni ato duke punuar drejtpërdrejt për nje periudhe te caktuar?

Së fundmi, nëse arsyeja pse vendosni të bëni një punë të caktuar është vetëm për shkak të pagës, ka të ngjarë që të mos jeni kurrë të lumtur dhe të kënaqur. Nëse do të keni mundësi të mësoni, edhe nëse paguheni minimalisht për një periudhë të caktuar kohe, është mirë ta shqyrtoni dhe ta pranoni marrëveshjen. Me siguri ka një të vërtetë të madhe në fjalën e urtë të popullit, që përdorej nga gjyshërit tanë dhe të cilën e kemi harruar ne të rrinjtë: "Puno kot, mos rri kot!"

Secili prej nesh e interpreton ndryshe kuptimin e fjalës karrierë dhe ka masë të ndryshme për suksesin, por ajo që vlen për të gjithë në mënyrë të barabartë është se a krijojmë kufizime dhe e sabotojmë veten me qëndrimet dhe mendimet tona ose jemi nga ata që dinë të gjinden ngado që t'i "hedhë" jeta?

Ju inkurajoj fort të hiqni dorë nga paragjykimet dhe t'u përkushtoheni mundësive që ju presin, për ta shfrytëzuar çdo ditë dhe çdo mundësi dhe duke zgjedhur një karrierë dhe sukses që u shkon për shtat standardeve tuaja.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.16-17 të botimit elektronik të revistës BETTY (KORRIK 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>