Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Dielli dhe lëkura

July 1, 2021

Dr. Tanja Deleva Jovanova
spec. dermatovenereolgjisë
ISHP Shtëpisë së shëndetit-Poliklinika Draçevo

|

јули2021

Trupi ynë është krijuar për të përfituar shumë nga dielli. Rrezet e diellit krijojnë ritmin tonë të gjumit, kanë ndikim në gjendjen shpirtërore dhe e ndihmojnë lëkurën të prodhojë vitaminën D, e cila është thelbësore për funksionimin normal të kockave dhe shëndetin e përgjithshëm.

Por rrezet e diellit gjithashtu mund të shkaktojnë pasoja të dëmshme. Ato janë një përzierje e valëve ose rrezeve të dukshme ose të padukshme. Valët e gjata nuk janë të dëmshme për njerëzit, por valët e shkurtra, siç janë rrezet UV, mund të sjellin probleme. Rrezet më të gjata të spektrit UV janë UVA, ndërsa më të shkurtrat janë UVB. Ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve UVB çon në djegie, kurse rrezet UVA mund të depërtojnë më thellë në lëkurë, por që të dy llojet ndikojnë në shëndetin e saj. Kur depërtojnë thellë në lëkurë, rrezet UV bëjnë ndryshime në rritjen dhe pamjen e saj. Me kalimin e kohës, ekspozimi ndaj këtyre rrezeve çon në uljen e elasticitetit të lëkurës, e cila mund të trashet ose hollohet si një fletë letre.

Kur ekspozohemi në diell, lëkura jonë i nënshtrohet vazhdimisht një procesi ripërtëritjeje të secilës qelizë të ekspozuar. Por me plakjen, ky proces bëhet më i vështirë për t'u ruajtur dhe dëmtimi i materialit të tij gjenetik mund të çojë në ndryshime në rritjen dhe ndarjen e qelizave.

Rrezatimi UV, i cili normalisht është shumë i dobishëm për organizmat e gjallë, bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm, veçanërisht në verë. Për t'i informuar njerëzit për intensitetin ditor të rrezeve UV, OBSH-ja ka zhvilluar një sistem njohjeje të quajtur Indeksi UV, i cili u zbatua për herë të parë në Kanada në vitin 1992 dhe synon të ndihmojë në identifikimin e intensitetit të rrezeve UV përmes një shkalle, me numërim nga 1 në 11+. Shifra i referohet sasisë së rrezatimit UV që arrin sipërfaqen e tokës dhe konsiderohet si një vlerë praktike që tregon gjasat e dëmtimit të mundshëm të lëkurës. Shkalla e numërimit përcakton rrezikun total për njerëzit e ekspozuar ndaj rrezatimit UV. Ajo është një shkallë që përdoret kryesisht në parashikimin ditor për të mbrojtur veten si duhet nga ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve UV dhe pasojat e tilla si, djegiet e lëkurës, dëmtimi i syve, plakja e përshpejtuar ose shfaqja e llojeve të caktuara të kancerit të lëkurës.

Për mbrojtje rekomandohet të vishni kapelë të gjerë, veshje me mëngë të gjata, syze dielli dhe përdorim të detyrueshëm të kremit me faktor mbrojtës (SPF-> 20). Ekspozimi në diell duhet të jetë minimal ndërmjet orës 11 dhe 16. Njerëzit me lëkurë të ndjeshme dhe fëmijët mund të pësojnë djegie në më pak se 10 minuta. Kur indeksi UV është i lartë, rrezet UV mund të depërtojnë përmes çadrave të diellit, ujit, madje edhe veshjeve të holla dhe të dëmtojnë lëkurën. Ekspozimi maksimal i drejtpërdrejtë në diell tek njerëzit me ngjyrë më të errët të lëkurës, nuk duhet të jetë më shumë se 20-25 minuta.

SPF, i njohur si faktor mbrojtës, është një masë e efektivitetit të kremit kundër diellit. Sa më i lartë numri, aq më e madhe është mbrojtja e lëkurës suaj. Produkti i duhur për ju përfshin tre faktorë:

  1. Spektër i gjerë mbrojtjeje

  2. Faktor mbrojtës (SPF)

  3. Rezistencë ndaj ujit.


Çdo produkt me një spektër të gjerë mbrojtjeje dhe faktor mbrojtës prej të paktën 15, është provuar të zvogëlojë rrezikun e kancerit të lëkurës. Në kontakt me ujin ose djersën, kremi kundër diellit mund të tretet dhe të shpërbëhet, duke u bërë më pak efektiv. Sipas rregullave më të reja të Agjencisë së Ushqimit dhe Barnave (FDA), kremrat e diellit në deklaratën e tyre duhet të përmbajnë të dhëna për kohën e rezistencës ndaj ujit (40 ose 80 min). Është e rëndësishme të dini jo vetëm nëse produkti është i papërshkueshëm nga uji, por edhe se në çfarë intervalesh kohore duhet të riaplikohet ai.

Faktori i mbrojtjes llogaritet me kohën që i duhet lëkurës së mbrojtur për t'u djegur dhe me kohën që nevojitet për t'u paraqitur djegie në lëkurën e pambrojtur. Duke aplikuar SPF 2, lëkura e njerëzve të cilët zakonisht skuqen pas dhjetë minutash ekspozimi në diell, do të skuqet për 20 minuta. Nëse përdoret SPF 20, lëkura skuqet pas 200 minutash, që është më shumë se tre orë ekspozim në diell. Kremrat kundër diellit zakonisht përmbajnë dioksid titaniumi dhe oksid zinku, grimcat e të cilave, ngjashëm me pasqyrën, i reflektojnë rrezet e diellit. Preparatet e tilla, me shtimin e një përqendrimi të lartë të filtrit UV, zvogëlojnë efektin e rrezeve UV në minimum. Ato ndryshojnë në përbërjen e tyre nga prania e përbërjeve organike ose inorganike dhe mund të gjenden në formën e vajit, sprejit, kremit dhe xhelit.

Nëse jeni duke marrë barna, informohuni nëse janë të ndjeshme ndaj dritës, ngase disa ilaçe e bëjnë lëkurën jashtëzakonisht të ndjeshme ndaj ekspozimit në diell. Alergjitë nga dielli, hiperpigmentimi dhe plakja e parakohshme e lëkurës janë gjithashtu të zakonshme. Si do të ndikojnë efektet e dëmshme të diellit në lëkurën tonë, varet nga mosha, gjinia, si dhe zonat e ekspozuara ndaj rrezeve.

Informohuni për shëndetin e lëkurës tuaj.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.24-25 të botimit elektronik të revistës BETTY (KORRIK 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>